Kurti pas takimit me Vuçiç: Mbrojta interesat e Kosovës, shpresoj për marrëveshje më 13 maj
PRISHTINË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje për darkën e tij joformale mbrëmë në Berlin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai tha se gjatë darkës, siç e quajti të punës, ka mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës dhe para vetës ka pasur kushtetutshmërinë dhe ligjet e vendit.
Gjatë konferencës për media me ministren gjermane të Mbrojtjes, kreu qeveritar u shpreh optimist se në takimin e 13 majit të kryenegociatorëve në Bruksel do të arrihet marrëveshja për targat, energjinë në veri dhe të ketë përafrim në çështjen e personave të pagjetur.
“Unë mbrëmë si kryeministër i Kosovës, kam përfaqësuar vullnetin e popullit dhe kam mbrojtur interesat e shtetit, gjithnjë duke pasur për dysheme dhe tavan, Kushtetutshmërinë dhe Ligjin e Kosovës. Pavarësisht a ka darkë apo jo, unë i këtillë jam dhe njësoj ndihem. Me shumë përgjegjësi për detyrën që mbaj, por të njëjtën kohë edhe me krenari për këtë përgjegjësi që më është besuar. E kemi theksuar tash e shumë vite, se nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk duam dialog pa parime. Një ndër parimet e dialogut është barazia e palëve. Në atë darkë nuk kemi pasur gjella të ndryshme, pra ka pasur barazi të palëve dhe i kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit midis kryenegociatorëve. Më 13 maj unë, shpresoj se përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet edhe për zgjidhjen reciproke për targat e automjeteve, çështjes së mos pagesës së energjisë në veri të Kosovës dhe po ashtu nevojës për përshpejtim të çështjes së zbardhjes së fatit të pagjeturve”, tha ai.
Kurti ritheksoi se dialogu me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes.
“Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Nuk them se njohja reciproke duhet të jetë i vetmi element i marrëveshjes, por duhet të jetë në qendër. Do të ketë edhe elemente të tjera, por të cilët nuk mund të kenë kuptimin pa këtë qendër që është njohja reciproke. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur është çliruar, Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008 kur e ka shpallur pavarësinë, Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2010 kur është dhënë opinioni i GJND-së, që ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkel ligjin ndërkombëtar. Po ashtu, Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2012 kur ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë. Ne duhet të ecim përpara dhe për të ecur përpara, presidenti i Serbisë duhet të distancohet edhe nga Millosheviçi dhe Putini. Kërkesa për kompromise në kushtet kur thotë se asnjëherë nuk do të njohë Kosovën, teksa nuk distancohet nuk është kërkesë për zgjidhje”, tha ai.
Ai ndërkaq tha se ministren Lambrecht diskutuan për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës në aspiratat e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
“Duhet të flasim sa më shpesh dhe hapur për aspiratat tona në fushën e sigurisë, si për shembull, anëtarësimi ynë në mekanizma të sigurisë të përbashkët. Për sigurinë tonë dhe të vendit tonë ka 23 vjet që përkujdesen forcat gjermane në misionin e NATO-s, se si Gjermania është ndër partnerët tanë që ka ndihmuar me trajnime dhe pajisje ndërtimin dhe zhvillimin e FSK-së, si dhe ky bashkëpunim vazhdon ende dhe ne e presim përkrahjen e mëtejme. Ministres i kërkova mbështetje lidhur me qëllimin e Kosovës për përgatitjen për aplikim dhe pranim në Programin e Partneritetit për Paqe, si dhe në organizata tjera rajonale dhe ndërkombëtare, specifikisht në Kartën e Adriatikut A5”, tha Kurti.