Shqipëria/Aktualitet

Kumbaro: Pastërtia dhe disiplinimi i plazheve, prioritet për sezonin turistik

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Në zonat turistike të vendit vazhdon intensivisht puna përgatitore për sezonin e ri turistik.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte e pranishme sot në një takim në qytetin e Sarandës, ku theksoi se “pastërtia e zonave turistike dhe disiplinimi i plazheve janë prioritete të punës përgatitore për sezonin turistik”

“Në 27 janar Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit kanë hapur sistemin online përmes akshit të aplikimit të stacioneve të plazhit, të cilat mund tu jepen për menaxhim subjekteve private. Kjo datë erdhi pas 4 muaj punë shumë intensive midis ministrisë dhe të gjitha bashkive të bregdetit, përfshirë edhe bashkinë e Sarandës për të saktësuar parcelat për të bërë hartëzimin e bregdetit dhe sidomos për të shmangur mbivendosjet”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro vuri në dukje se “nga një analizë që i bëmë vitit 2021 konstatuam që bashkitë i organizonin hartat në mënyra të ndryshme. Nuk mund të tolerojmë më, pasi plazhet nuk janë të askujt, plazhet janë pronë publike”.

Sipas saj, kjo është arsyeja se përse rregullat e menaxhimit të plazheve, kriteret i përcakton VKM duke u njohur tagrin e menaxhimit institucioneve publike, siç janë pushteti vendor dhe pushteti qendror.

“Detyrimi për çdo subjekt që aplikon për të marrë një stacion plazhi, për të mos qenë debitor në sistemin e tatimeve vendore apo qendrore është kusht i panegociueshëm”, tha Kumbaro.

Ajo shtoi se “grupi teknik i shqyrtimit të aplikimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit shumë fort i monitoruar nga Ministria e Turizmit do të marrë 10 ditë kohë, pra në 10 mars do të ketë bërë shqyrtimin e aplikimeve dhe do të dërgojë përgjigjet e para për refuzim për mosplotësim kushtesh apo për miratim paraprak nëse kushtet e subjektit janë plotësuar”.

“Detyrimi për të pasur një njësi sanitare është kusht i panegociueshëm, detyrimi për të pasur vrojtues të plazhit është kusht i panegociueshëm” gjithashtu”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se “ministria i ka të organizuara skuadrat e monitorimit”.

Sa i përket strukturave të bareve nëpër plazhe, Kumbaro tha se “këto struktura duhet të kalojnë për miratim pranë Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit dhe do të miratohen pranë Këshillit Kombëtar të Territorit. Data e paraqitjes së projekteve të bareve të përkohshme nëpër plazhe është data 25 mars”.

“Pas datës 1 maj qoftë hotel 30-vjeçar apo hotel me emër të madh nëse i kanë strukturat të papajisura me lejen e KKT do t’iu prishen. Stop ilegalitetit”, nënvizoi Kumbaro.

Duke folur për pastrimin e mbetjeve, Kumbaro tha se “vija bregdetare është pronë publike. Do të këtë një grafik të caktuar të bërë nga bashkia ku çdo subjekt t’i nxjerrë mbetjet e veta vetëm një herë në ditë. Mosrespektimi i këtij rregulli do të jetë i ndëshkueshëm. Po përgatis vendimin e Komiteti të Turizmit dhe urdhrin e ministrit që parashikon ndëshkimin nga Inpektorati Kombëtar për subjektet, hotelet që nuk respektojnë këto rregulla”.

/k.s/r.e/