Kulturë\Letërsi

Kujtimi për shqiptarin dhe historianin e shquar, Ali Hadrin

Shkruan: Qamil Zekolli

Në ditën e sotme të vitit 1987, duke u qëndruar besnik idealeve të tij jetësore, atëherë kur i duhej më se shumti Kosovës, vdiq në moshën 59-të vjeçare akademik, prof. dr. Ali Hadri, në Pejën e tij të dashur.
Ali Hadri u lind në vitin 1928 në Lushnje. Tezën e doktoraturës “Lëvizja Nacional Çlirimtare në Kosovë 1941-1945″, e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Prishtinës me 26 dhjetor 1970. Kjo ishte doktoratura e parë e mbrojtur në Universitetin e Prishtinës dhe si e tillë shënon një datë më rëndësi në ngritjen profesionale e shkencore të kuadrove të Kosovës dhe në formimin e një shkolle të historiografisë kombëtare në trojet shqiptare nën Jugosllavi. Ishte dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, profesor ordinar i Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i Institutit të Historisë të Kosovës (1967-1981). Po ashtu, ishte nder themeluesit dhe anëtarët e parë të Akademisë se Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1975). Ishte drejtor i revistës “Përparimi”, kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” (seria historike) dhe kryeredaktor i revistës “Kosova”. Për shumë vite i drejtoi studimet pasuniversitare dhe udhëhoqi shumë magjistrantë dhe doktorantë. Ishte kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Historianëve të Jugosllavisë dhe bashkëpunëtor i një numri revistash historike. Pas demonstratave të vitit të 81-shit, Ali Hadri u gjend në thumb të etiketimeve të politikës antishqiptare e shoviniste serbe dhe të qarqeve të tjera jugosllave, duke e anatemuar si intelektual që pati guximin të ngrite zërin kundër dhunës që bëhej mbi popullin shqiptar. Me gjithë sulmet dhe akuzat e shumta që iu bënë me qellim të gjunjëzimit e të mposhtjes së qëndresës, ai u përballoi të gjitha ato, duke sfiduar me krenari të rrallë prej intelektuali dhe duke qëndruar pa u lëkundur në pikëpamjet e tij shkencore dhe në kërkesën liridashëse të rinisë së Kosovës. Vetëm disa muaj para se të vdiste, me vetëdije të lartë, do të shkruante “… Se aspak nuk do të shqetësohem nëse do të bëhem viktimë e sadizmit politik, sepse edhe në këtë mënyrë do të ndaj fatin tragjik të popullit tim”. Lavdi jetës dhe veprës madhore kombëtare të profesorit tim shumë të nderuar, Akademik Ali Hadri! (Shënimet janë marrë nga publikimi “50 vjet të Institutit të Historisë (1967-2017)”, Prishtinë, 2017, f. 124, 125 dhe 126).