TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “e keqja e madhe në disa fshatra të Selenicës së Vlorës u shmang, ndërsa në Llogora është rikthyer optimizmi falë erës në favor dhe ndërhyrjes nga ajri”.
Rama tha se “ndërsa lufta vazhdon me flakët në vend, ka disa lajme të mira”.
“E keqja e madhe në disa fshatra të Selenicës së Vlorës u shmang. Por nga ana tjetër trupa dhe mjete janë shtuar për t’i dhënë fund vatrave të zjarrit. Në zonë po punon edhe një helikopter”, shtoi ai.
Ndërkohë, Kryeministri theksoi se “në Llogora është rikthyer optimizmi falë erës në favor, ndërsa një helikopter tjetër po hedh ujë”.
“48 forca speciale dhe zjarrfikës po punojnë në majën e malit në kufi të Parkut të Llogorasë. Forcat tona po arrijnë të largojnë nga parku zjarrin”, tha ai.
Rama shtoi se ndërhyrje gjithashtu janë bërë edhe në Vithkuq (Korçë), në Mallakastër, në Tarabosh (Shkodër), Qerem (Tropojë), Kalise (Kukës), Mavropull (Delvinë).
add a comment