Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri Rama: Anëtarësimi në BE mbetet e vetmja rrugë për Shqipërinë

Gjatë mbledhjes së sotme, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm i njohur si Coreper,  kanë vendosur për shtyrjen e konferencës së parë ndërqeveritare në mes të Shqipërisë dhe BE, ku sipas tyre ka ende punë për tu bërë në plotësimin e kushteve të vendosura nga marsi i këtij viti. Gjatë këtij takimi u vlerësua progresi i arritur në rrugën e reformave por gjithashtu kanë theksuar se Shqipëria duhet të tregoj më shumë përparim në përmbushjen e kushteve. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “Forbes” ku ndër të tjera ka folur edhe për çështjen e përmbushjes së kritereve për anëtarësim në BE.

Rama ka theksuar se mbetën të përkushtuar në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE dhe me këtë qëllim, sipas tij, jemi një hap përpara me njohjen zyrtare të kandidaturës.

“Ne jemi të angazhuar në një dinamikë të mirë për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE. Këtë vit, ne kemi bërë një hap përpara me njohjen zyrtare të kandidaturës sonë, pavarësisht nga një kontekst shumë i ndërlikuar në nivelin global dhe europian” ka theksuar Rama.

Rama poashtu ka thënë se derisa jemi të rrethuar nga vendet që i përkasin të 27-ëve, e ardhmja jonë është drejtë këtij bashkimi. “Unë nuk dua ta shoh Shqipërinë të bëhet një objekt zilie për aktorët e fuqishëm që veprojnë jashtë kufijve europianë. Fuqi, të cilat, për më tepër, nuk ndajnë të njëjtat standarde të demokracisë si BE” ka shtuar Rama.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka marr kritika të shumta pas deklaratës së djeshme të Kancelares gjermane Angela Merkel e cila  është shprehur skeptike për çeljen e negociatave me Shqipërinë gjatë këtij viti.  “Në rastin e Shqipërisë çështja është pak më ndryshe. Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë këtë vit, por shumë shpejt”, ka thënë kancelarja në një takim virtual me komisionet e parlamenteve të vendeve anëtarë të BE-së.

Drafti i konkluzioneve nga ambasadorët e Bashkimit Evropian do të kalojë te ministrat e jashtëm dhe të çështjeve të Evropës të Unionit më 8 dhjetor. Fillimi i bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pritet të miratohet gjatë vitit 2021.

Tiranë

Flakronë Rexhepi