Botë

Kryeministri Edi Rama: Thaçi gjykohet mbështetur mbi raportin e KiE sponsorizuar nga Putini

TIRANË, 17 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në sesionin “Të bashkuar rreth Evropës”, në Samitin e liderëve të Këshillit të Evropës që po mbahet në Islandë.

Në fjalën e mbajtur në këtë samit, Rama theksoi se “si shqiptar është e pamundur për mua të shmang heqjen e paraleles midis Ukrainës e presidentit Zelensky e Kosovës dhe presidentit Thaçi”.

“Sot në këtë samit të Këshillit të Europës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj, Hashim Thaçi nisi saktësisht në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të asaj kohe të këtij Këshilli, Federatës Ruse”, tha Rama.

Kryeministri tha se “Presidenti i Kosovës, ose si Joe Biden iu referua ‘Xhorxh Uashingtoni’ i Kosovës, gjykohet tanimë nga një gjykatë e veçantë e ngritur dhe e themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të vitit 2019 të KiE-së, i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në Asamblenë e Këshillit të Evropës”.

Ai solli në vëmendje se akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale njollosjeje të Shqipërisë dhe Kosovës.

Rama u shpreh se kur dëgjoi propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas, iu duk sikur pa presidentin Zelensky 10 vjet më vonë, gjykuar nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi të njëjtat akuza absurde.

“Ndjesë për këtë çelje brutalisht jokonvencionale qe mund të duket sikur thyen në copa atë piano ku në mënyrë të mrekullueshme u luajt kënga ‘Ave Maria’ nga mikpritësit tanë, por është tejet shkurajuese të dish që situata shqetësuese ku përfshihet presidenti i Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës e pati zanafillën brenda Këshillit të Evropës”, vijoi Rama.

“Do të isha fajtor, – vijoi kryeministri, – po të mbetesha i heshtur e të mos flisja sot këtu e të thosha sa vijon. Që Asambleja e Këshillit të Evropës ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapsht të raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Sipas tij, “të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot, do ishte më keq se sa të bëhet ky gabim i rëndë 12 vjet më parë ku shumë votuan me sy mbyllur këtë raport të turpshëm në mirëbesim”.

Sigurisht, vijoi Rama, “sot situata ka ndryshuar”.

“Rusia nuk është më një anëtare e këtij Këshilli edhe pse numri i rusëve që vazhdojnë të punojnë për Këshillin e Evropës është mjaft mbresëlënës dhe falë Zotit uniteti i bashkësisë demokratikë të Këshillit në mbështetje të luftës çlirimtare të Ukrainës dhe presidentit Zelensky është i jashtëzakonshëm”, shtoi ai.

Kryeministri u shpreh se “Shqipëria kurrë nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskës dhe marrëdhënia jonë me Moskën ka qenë joekzistuese qysh prej vdekjes se Josif Visarionoviç Stalin”.

Rama theksoi se “çdo gjë të vogël që kemi bërë për Ukrainën e kemi bërë me mirënjohjen më të thellë ndaj qëndresës ukrainase”.

“Mos më kërkoni të shpjegoj si e pse, se do më duhej më shumë kohë seç iu desh udhëtimit tonë për në Islandë. Qysh prej fillimit të luftës popullariteti i Vladimir Putinin është luhatur në Shqipëri nga 0.7 % në 1.2 %. Shqipëria është mjaft e vogël për të ndikuar fatet e një lufte kaq vendimtare për të ardhmen e Evropës dhe të botës, por çdo gjë të vogël që kemi bërë për Ukrainën e kemi bërë me mirënjohjen më të thellë ndaj qëndresës ukrainase. Kjo është arsyeja pse gjëja më e bukur që ne shqiptarët do të marrin nga ky samit, kaq i mirorganizuar nga mikpritësit tanë islandezë”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se “duhet të falënderojmë Ukrainën për të atë që po bën për të gjithë ne e për Evropën”.

“Faleminderit Katrinë, faleminderit Islandë për atë që çka bëtë në mënyrë kaq të vendosur dhe kurajoze duke shkundur status quo-në e duke e përshirë Kosovën më së fundi në këtë komunitet të madh, pra është bindja e të të gjithëve këtu e shprehur në mënyrë kaq elokuente nga disa kolegë. Nuk është presidenti Zelensky që duhet të na falënderojë, por ne që duhet të falënderojmë Ukrainën për të atë që po bën për të gjithë ne e për Evropën tonë të dashur. Ju falënderoj të gjithëve dhe do të nënshkruaj me shumë kënaqësi marrëveshjen për regjistrimin e dëmeve para se të largohem nga ky vend i hirshëm.

/r.e/