TIRANË
Ndërsa e kritikoi për ndërtimet pa leje, Rama e vlerësoi Policinë e Shtetit sa i takon luftës së kultivimit të kanabisit në vend dhe i kërkoi të njëjtin rezultat edhe në paligjshmërinë me ndërtimet pa leje, kryesisht në bregdet.
“Kjo është policia e shtetit që e shfarosi fenomenin e kultivimit masiv të kanabisit. Nuk është një polici që erdhi nga hëna. Është kjo polici. Atëherë, pse nuk u bëka e njëjta gjë me një aktivitet që është shumë më i lexueshëm? Bëhet fjalë për ndërtime në rërë në sytë e të gjithëve! Dhe pse u bëka për një fshatar në majë të malit e jo për ata që ndërtojnë në buzë të detit? Patjetër që në këtë proces policia e shtetit ka përgjegjësinë kryesore, por nuk është e vetmja që duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë, sepse duhet harmonizuar gjithë instancat tjera. Ama nëse e merr përgjegjësinë e plotë, edhe institucione të tjera do jenë të pamundësuara për të mbyllur sytë. Lejet e ndërtimit duhet dhe do t’i vihen në dispozicion policisë së shtetit për të parë se çfarë aktiviteti është i lejuar në zonë.
Nuk e di ç’përgjigje ka drejtori i Shkodrës për Velipojën, psh, por mjafton të shohësh Velipojën, rërën e bregun. E ç’vlerë ka t’i shkohet njërit në Kallmet për një avlli? Nuk mund të lejohet të shfrytëzohet asnjë milimetër”, u shpreh Rama, ndërsa shprehu besimin e tij ndaj policisë se mund të ndryshojë në një kohë të shkurtër qasjen ndaj ndërtimeve të paligjshme.
“Kam besim se kjo polici shteti mund ta transformojë në një periudhë të shkurtër qasjen e krejt shtetit ndaj territorit, dhe mund të bëhet forca e domosdoshme e influencës pozitive me të gjitha strukturat e tjera. Duke nisur nga IKMT, e cila ka përballuar një volum të madh pune, po s’duhet të qëndrojë në territor. IKMT duhet të reagojë në kohë reale mbi bazë të ankesave të policisë së shteti. Flagrancën e ka Policia e shtetit, ndryshe procesi degjeneron nga të shkojnë sytë. Çdo komisariat ka zonën e vet, mbi këtë bazë të gjithë përgjigjen. Pushteti vendor është një tjetër pjesë e problemit.
Edhe konfliktet mes IKMT, IMT dhe policisë duhen adresuar me shpejtësi nga Ministri i brendshëm mbi bazën e një diskutimi të shpejtë duke marrë sygjerimet tuaja që lidhen me eksperiencën që keni nga kjo fushë e konstatoni në praktikë. Një ndërtim pa leje, ndërhyrje në det në mes të Sarandës! Të ndërhyhet në det, të hidhen gurë e të mbushet deti me gurë, kjo të ndodhë pa vajtur këmbë polici?… dhe pastaj të vijë puna deri te unë e pasi ndërhyj unë ajo të pastrohet për 24 orë kjo është e papranueshme. Dmth u bëka, atëherë kush e mban përgjegjësinë që nuk është bërë? Policia duhet të jetë shumë rigoroze me vetveten e të mos lejojë që disa individë të njollosin reputacionin e saj e më pas të të gjithë shtetit. Është një vijë e kuqe ndarëse kjo. Kjo nuk është mungesë aftësie, përveç se korrupsion. S’ka asnjë emër tjetër. Korrupsion në kurriz të një dynjaje të tërë.”- tha Kryeministri Rama, ndërsa kërkoi sa më parë nisjen e një operacioni në të gjithë vendin.
“Të niset menjëherë një operacion nga Velipoja në Ksamil e jo në mesin e verës kur të vijnë turistët. Pa asnjë tolerancë dhe jo duke shkuar te ndërtime që janë bërë para 20 vitesh, siç ndodhi në Zvërnec, po duke shkuar aty ku është e qartë fare. Jo duke u marrë me njerëzit që janë aty prej 25 vitesh e përsa kohë nuk ka një plan tjetër të vijojnë të bëjnë ato shërbime për turistët. Po duke shkuar e duke vendosur një vijë të kuqe, që nuk duhet shkelur nga askush. Aty ku hidhet beton pa leje, të ketë jo vetëm prishje po ndalime e procese penale në bazë të ndryshimeve të reja ligjore. Tani penalizohet i gjithë zinxhiri: mbikëqyrësi i punimeve, arkitekti, etj,, janë të gjithë pjesë. Kulmi që s’duhet të lejojë policia e shtetit gjallë, prishet nga shteti me shpenzimet e shtetit, e pastrohet nga shteti. Kjo s’duhet të ndodhë më. Nëse nuk i përballojnë ka kosto të tjera që duhet t’i kenë në kurriz.
Besoj se shumë shpejt kjo situatë do të kalojë në një fazë të re, sepse është bërë një punë e madhe, por e pamjaftueshme. Kostot janë të tmerrshme për ndërtimet.
Kulmi i kulmit që s’duhet ta lejojë më kurrë Policia e Shtetit, që të prishet nga shteti me shpenzimet e shtetit dhe pastrohet nga shteti. Ligji është i qartë fare. Ata që e kanë bërë duhet të përballojnë edhe të gjitha kostot e tjera. Nëse nuk i përballojnë, atëherë ka pasoja të tjera, që do t’i kenë në kurriz.” përfundoi Kryeministri.