Krifca: Investimi i ri për argjinaturën, do ta kthejë Librazhdin në qendër agroindustriale
TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Investimi për argjinaturën që mbron nga përmbytjet pjesën perëndimore të qytetit të Librazhdit planifikohet ta kthejë zonën në një qendër agroindustriale.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, inspektuan sot punimet që po kryhen në argjinaturën e lumit Shkumbin.
“Në zonën perëndimore të qytetit të Librazhdit po kryhet investimi i zbatuar nga Drejtoria Ujitje Kullim e Ministrisë së Bujqësisë për rreth 400 metra argjinaturë dhe gjashtë panele betoni, të cilat mbrojnë nga lumi Shkumbin të gjithë zonën e qytetit dhe zonat rurale që ndodhen pranë tij. Është një punë që i bashkëlidhet një projekti të nisur më parë nga bashkia. Punimet pritet të përfundojnë deri në fund të prillit”, tha Krifca.
Kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, tha se është i lumtur që e ka përmbushur një premtim për qytetarët.
“Ky investim është kthyer edhe në një atraksion, pasi pjesa më e madhe e banorëve të qytetit kalojnë këtu në darkë dhe në mëngjes duke e trajtuar këtë edhe si një shëtitore. Qytetarët e Librazhdit e mbajnë mend shumë mirë që lumi i Shkumbinit kishte arritur të kapte rrugën nacionale, rrugën që lidh Librazhdin me Bulqizën, ndërsa sot e gjitha ajo është një shëtitore dhe unë jam shumë i lumtur me prezencën tuaj sot dhe Gjiknurit për të marrë garanci nga ana juaj që ky investim do të shkojë deri tek ura e Rrapunit, ku bashkohet Rrapuni me Shkumbinin”, theksoi Gurra.
Gjiknuri tha se “ky është një investim i zgjuar, sepse targeton në dy drejtime. Jo vetëm urbanizon më tej qytetin e Librazhdit dhe i jep një frymëmarrje gjithë qytetit duke krijuar edhe mjedise të tjera që i shijojnë njerëzit, po njëkohësisht mbron edhe gjithë përmbytjet. Dhe këtu është një zonë ku Librazhdi ka edhe agroindustri, ka një potencial të madh edhe për t’u rritur. E gjithë kjo zonë që duket e pashfrytëzuar, me përforcimin e mbrojtjes që do t’i bëjmë shpresoj që në të ardhmen, edhe projekti do të përfundojë dhe kjo do të bëhet një zonë e mirëfilltë agroindustriale”.
Aktualisht infrastruktura ka një financim prej rreth 61 milionë lekësh.
/k.s/a.a/r.e/