Lëvizja\UÇK

Kadri Rexhaj: Një faqe e ndritur e historisë së Burimit

Më 30 prill, tridhjetë e nëntë vjet më parë, ashtu si të gjitha trevat e shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë Londineze, edhe Burimi me të gjitha fshatrat për rreth u ngrit në demonstratë dhe zbrazi pezmin, revoltën dhe urrejtjen kundër shtypjes, shfrytëzimit, padrejtësisë dhe dhunës të përjetuar gjatë dekadave të robërisë serbe. Në demonstratë morën pjesë nxënësit e gjimnazit dhe nxënësit e shkollës fillore, fshatarët dhe punëtorët, shumë arsimtarë të gjimnazit dhe të shkollave fillore si dhe një pjesë e intelektualëve atdhetarë, të cilët, me kërkesën për statusin e R. së Kosovës, në kuadër të demonstratave të asaj pranvere formuan marshin milionësh të liridashësve, referendumin më të suksesshëm dhe më të bindshëm, të nënshkruar me gjak. Në vazhdimësinë e përpjekjeve, luftërave dhe qëndresës shekullore të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, demonstrata e 30 prillit të vitit 1981 në Burim, ashtu si të gjitha demonstratat e asaj pranvere anë e mbanë Kosovës, shënon njërën ndër faqet më të ndritura dhe më të rëndësishme të historisë sonë të re. Si ngjarje kthesash të mëdha historike dhe shoqërore, demonstratat e vitit 1981 shprehën sintezën e vetëdijes dhe virtyteve më të larta morale e patriotike të rinisë shqiptare dhe aspiratat shekullore të popullit tonë të lashtë. Duke ndikuar fuqishëm në faktorin e brendshëm, në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në shkallën më të lartë, si dhe në faktorin e jashtëm, pra, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të çështjes së Kosovës në veçanti, ato në horizontin mbarëshqiptar e hapën një shpresë të madhe dhe një perspektivë të re. Demonstrata e Burimit e 30 prillit 1981, ashtu si të gjitha demonstratat tjera të atij viti në Kosovë, në qenien, në mendimin dhe në veprimin e popullit shqiptar do të hyjnë si një vit i madh tronditjesh të fuqishme, në vetëdijen e të cilit do të zgjojnë njëherë e përgjithmonë mekanizmin e moçëm të luftës për jetë a vdekje, e që do të drejtohet ndërgjegjshëm drejt sendërtimit të pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Sinonim sublim i të gjithë këtij rezultati është vepra madhështore dhe e pavdekshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pavarësia e R. së Kosovës si hap i parë drejt bashkimit të Shqipërisë Etnike, e cila ishte vazhdimësi e drejtpërdrejt e idealeve të demonstratave mbarë popullore të vitit 1981.