Kulturë\Letërsi

Kadri Rexhaj: Disa vërejtje botimit të një kompleti kapital

Në vitin 2010, Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë, në kompletin tre vëllimësh, ka botuar krijimtarinë letrare dhe publicistike të shkrimtarit dhe heroit të kombit Jusuf Gërvalla, me titull “VEPRA, 1, 2,dhe 3”. Redaktimin e kësaj vepre e ka bërë Nazmi Rrahmani, ndërsa botimin e ka financuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës. Në librin e parë të këtij kompleti janë përmbledhë vëllimet poetike “Fluturojnë e bien” (1975), “Kanjushë e verdhë” (1978), “Shenjat e shenjta” (1979) dhe “Këngët e moshës” (2006), ndërsa në fund të librit në fjalë janë publikuar 30 njësi letrare me titull të përbashkët “Poezi në dorëshkrim dhe tekste këngësh”. Vëllimi i dytë përmban romanin “Rrotull”, dramën “Procesi” dhe tregimet e botuara në shtypin e kohës, kurse vëllimi i tretë i kompletit përmban artikuj të zgjedhur publicistik nga fusha e muzikës, letërsisë, filmit dhe çështjeve të ndryshme të artit dhe kulturës. Vite më vonë është botuar edhe vëllimi i katërt, po ashtu me artikuj publicistik të botuara në shtypin e kohës para arratisjes së Jusuf Gërvallës.

1.
……Pa e mohuar punën e jashtëzakonshme lidhur me botimin e kësaj vepre kapitale, në këtë shënim të shkurtër, do të kufizohem vetëm në evidentimin dhe prekjen e disa të metave të këtij botimi, të cilat, në një masë, aq sa e dëmtojnë krijimtarinë e Jusuf Gërvallës, po aq edhe anën estetike të ndërtimit të kompletit. Të metat e këtij botimi nuk mund të arsyetohen as me mungesë përvoje e as me mungesë teknike, meqë, sot, tradita e botimit të kompleteve të krijuesve në hapësirën tonë nuk është e re dhe as veprimtari e panjohur. Janë botuar komplete të krijuesve të traditës dhe të krijuesve bashkëkohorë, janë botuar komplete me vepra të plota të krijuesve të vdekur me veprimtari të përfunduar dhe janë botuar komplete të krijuesve të gjallë me veprimtari ende në rrjedhë, ndërsa vepra e Jusufit nuk është ribotuar e plotë as në vitin 1992, as në vitin 2010 dhe as deri më sot, ndonëse ai, bashkë me jetën, veprën e tij të shkruar e ka përfunduar qysh në janar të vitit 1982. Dhe, në kohën e botimit të kompleteve të autorëve të ndryshëm, kur, për t’u dukur ato sa më shumë në numër dhe sa më voluminoze në vëllim, veprat ndahen në blej, shtypen në letër të trashë kualitative, iu zgjidhet madhësia e shkronjës, distanca e fjalës dhe e rreshtit, hapësira e margjinës, lidhja me kopërtina të forta dhe mbështjellja me ambalazh letre speciale të ilustruar në ballinë dhe në shpinë, për çudi, krijimtaria letrare e Jusuf Gërvallës, jo që nuk botohet në shatë vëllime, ashtu siç ekziston realisht, jo që nuk botohet e plotë, jo që nuk botohet në teknikën që u cek më sipër, por, si e tillë, ajo mbështillet me lidhje të butë broshure dhe tëhollohet duke e mbërthyer atë në dy vëllime të vetme. Është zor të thuhet, në këtë rast, ka këtu qëllim të zvetënimit të krijimtarisë letrare të Jusufit, apo financat e pamjaftueshme të Qeverisë, Botuesit ia kanë lidhur duart duke ia imponuar aq shumë kursimin e letrës dhe botimin modest të kësaj vepre.
2.
Vërejtje e ngjashme mund t’i bëhet edhe realizuesit teknik të këtij kompleti, i cili, në shumë raste, nuk i është përmbajtur konceptit origjinal të autorit lidhur me thyerjen e teksteve të poezisë. Për krahasim konkret, në këtë rast, mund t’i marrim poezitë e botimit të parë të librit “Kanjushë e verdhë” dhe ato të botuara në librin e parë të kompletit që e kemi në dorë. Për të gjallë të tij, si poet me kulturë letrare dhe artistike, mbështetur në përmbajtjen, në këndvështrimin dhe në gjendjen emocionale të subjektit lirik, poezitë e këtij libri Jusuf Gërvalla i ka ndarë në pjesë, herë duke i shënuar ato me numër e herë duke i ndarë ato thjesht me faqe të re të librit, ndërsa te ribotimi i këtij vëllimi në shumicën e rasteve kjo ndarje nuk ekziston. Ta zëmë, poezia “Shtëpia rrëzë malit”, me të cilën hapet libri, në botimin e parë shtrihet në tri faqe, ndërsa në botimin e ri ajo tkurret në vetëm dy faqe dhe kjo mënyrë e paraqitjes së poezisë vazhdon thuaja deri në fund sa, në vend të 85 faqeve, vëllimi i botuar në komplet bie në 66 sosh. Tjetër, poezia e vëllimeve të botimeve të para estetikisht dallon shumë nga ribotimi i tyre në librin e parë të kompletit: në botimin e tyre të parë vargu i poezisë gjithmonë e prek fundin e faqes, ndërsa pjesa e sipërme e faqes së librit mbetet e zbrazët, çka stimulon lexuesin për lexim dhe meditim, ndërsa në botimin e kompletit ndodhë e kundërta, teksti vendoset në fillim, në krye të faqes, shpesh duke e lënë të zbrazët pjesën e poshtme të faqes së librit sa vargjet e poezisë duken si rrobe të varura në tel.
3.
Para se të ndalem te vërejtja kryesore adresuar kompletit në shqyrtim, kalimthi po e theksoj se si pasojë e përshkrimit të pavëmendshëm të tekstit dhe mungesës së korrekturës, poezitë e botuara në “Vepra 1”, krahasuar me botimet e tyre të para, janë bartur me gabime të theksuara sa shumë fjalë, duke e humbur kuptimin e tyre të parë, kanë marrë kuptim të ri ose kanë mbetur fare pa të. Shembujt në vijim rezultojnë nga krahasimi i poezisë së vëllimit “Kanjushë e verdhë”, botim i vitit 1978, dhe poezisë së po të njëjtit vëllim botuar në kompletin e vitit 2010:
me sy ecim deri… (Kanjushë e verdhë, 1978, fq.😎
me sy ecin deri… (Kanjushë e verdhë, 2010, fq.101)
*
do të ushtojnë kumbanaret… (Kv, 1978 fq.24)
do të ushtrojnë kambanaret… (Kv, 2010, fq.112)
*
gjatë tërë verës (Kv, 1978, fq.38)
gjatë tërë erës (Kv, 2010, fq.122)
*
po e gjete kaq të përvujtë… (Kv, 1978, fq.73)
po e gjete kaq të përbujt (Kv,2010, fq.153)
*
Në këtë varg humbë fjala gjurmë:
….të këndueshmit ia kërkuan gjurmën…(Kv,1978. fq.33)
… të këndueshmit ia kërkuan (Kv,2010, fq.118)
*
Në këtë pjesë humbet një varg e gjysmë:
mos e harro. Është amaneti yt, baba,
në gjirin e tij të thellë tash kush na çon
po erdhe një nate me ngricë – pemën tonë
a mund ta mbulosh? (Kv,1978, fq.17)
mos e harro. Është amaneti yt, baba,
në gjirin e tij natë me ngricë – pemën tonë
a mund ta mbulosh? (Kv, 2010, fq.107
3.
Në fund të librit “Vepra,1”, nga faqja 239-275, janë publikuar 30 njësi letrare me titull të përbashkët “Poezi në dorëshkrim dhe tekste këngësh”, cikël ky, i cili, në këtë rast, është arsyeja kryesore e këtij reagimi. Gjatë leximit të kësaj pjese të librit nuk do shumë përpjeke për të hetuar se tekstet e këtij cikli janë tekste të botuara me gabime të dukshme dhe pa asnjë kriter redaktimi. Hartuesi i kësaj pjese nuk e ka bërë as përpjekjen më të vogël për ta bërë ndarjen dhe klasifikimin e poezive të lëna në dorëshkrim dhe të teksteve të këngëve të interpretuara nga Jusuf Gërvalla. Teksteve të kësaj pjese të librit u mungon një parathënie, një hyrje e domosdoshme, një shënim kritik, qoftë edhe një arsyetim i shkurtër lidhur me botimin e tyre kështu siç janë botuar. Dhe, deri sa jemi në këtë pikë, lirisht mund të shtrohet pyetja e arsyeshme se a do të duhej patjetër të botohen kësisoj këto poezi në këtë vëllim, kur vet autori, për të gjallë, nuk i ka përfshirë ato në asnjërën nga librat e tij?! Çështje tjetër është teksti i këngëve. Kështu siç janë botuar në libër krijohet përshtypja se autor i të gjitha teksteve është Jusuf Gërvalla. Dihet, në repertorin e tij Jusufi i numëronte mbi 200 këngë. Ka filluar me këngë meksikane, paraguajane, spanjolle, amerikane, shansona frënge… Tekstet e këtyre këngëve, të përkthyera dhe të përshtatura, ai i ka kënduar në gjuhën shqipe. Janë të njohura “El Koplero”, “Kukuruku-ku, Paloma”, “Letër nënës”, “Mendozino” e dhjetëra të tjera. Për repertorin e tij Jusufi ka marrë tekste nga poezia popullore, nga poetët tanë të Rilindjes, De Rada, Naimi, Çajupi, Risto Siliqi… e deri te poetët bashkëkohorë Mark Krasniqi, Teki Dervishi, Ismail Kadare, etj. Në një pjesë të madhe të këngëve të tij Jusufi paraqitet kantautor, pra, autor teksti, muzike dhe interpretimi. Për këngët e tij Jusufi ka marrë tekste edhe nga poetët botërorë si R. Tagore, etj. Prandaj, botimi i disa teksteve të këngëve, ashtu siç janë marrë nga arkivi i Jusuf Gërvallës, pa emrin e autorit, me tituj të ndryshuar, me gabime të shumta përmbajtësore, as Jusufit, por as këtij kompleti nuk i bëjnë nder.
Duke qenë në shoqëri të Jusufit, sidomos gjatë viteve të 70-ta të shek. të kaluar, kam pasur mundësi të mësoj shumëçka edhe nga veprimtaria e tij si këngëtar, prandaj, për aq sa më kujtohet dhe për aq sa jam i sigurt lidhur me autorësinë e disa teksteve të këngëve, të botuara në pjesën “Poezi në dorëshkrim dhe tekste këngësh” të vëllimit “Vepra,1, për lexuesit, po e jap sqarimin në vijim.
Në fillim po i shënoj titujt e teksteve të këngëve (pra, vetëm të këngëve) të kënduara nga Jusuf Gërvalla, të botuara sipas faqeve në vëllimin “Vepra,1, pastaj titullin e origjinalit dhe në fund emrin e autorit të tekstit:
“O ju korba”, (fq.242) në origjinal “Këngë nizamësh”, poezi nga Ismail Kadare
“Mrika”(fq.243) në origjinal “Mrika në Shkangull”, poemë nga Risto Siliqi.
“Mos te të tremb boria”, (fq. 245) tekst i poetit Jeronim De Rada
“Burimi”, (fq.246) shansonë frënge e përkthyer nga Jusuf Gërvalla
“O bilbil ta bëra benë”, (fq.248) teksti nga një këngë popullore
“Rruga që shkela dikur”, (fq.249), poezi e Jusufit e botuar në librin “Fluturojnë e bien”,fq.16
“Kënga e Bilbilit”, (fq.250) në origjinal “Motiv i përjetshëm”, poezi nga Ismail Kadare
“Do të kthehem, nënë”, (fq.251) teksti i Jusuf Gërvallës
“Këta janë femija”, (fq.252) teksti i përkthyer dhe i përshtatur nga një këngë e huaj
“Maji”, (fq. 253) teksti i Jusuf Gervallës
“Venë e Spanjës”,(fq.255) këngë spanjolle, përkthyer dhe përshtatur nga Jusuf Gërvalla
“Njeri ku je”,(fq.256) teksti i Jusuf Gërvallës
“Te prroni i kthjelltë”, (fq.258) poezi e poetit Mark Krasniqi
“Kaptina e fundit e romanit”, (fq.259) teksti i Jusuf Gërvallës
“Mjegulla”,(fq.260) poezi e Jusuf Gërvallës e botuar në librin “Fluturojnë e bien”, fq.45
“Në korzo të Prishtinës”, (fq.261) teksti i Jusuf Gërvallës
“Paravjeshtë e shëmtuar”, (fq.266) teksti Jusuf Gërvallës
“Liqeni Lomend”, (duhet: Lomond) (fq.268) baladë angleze, përkthyer nga Shaqir Shaqiri
“Baladë mbi fatin e luleve”, (fq.269) teksti i Jusuf Gërvallës
“Udhë e mbarë shqiponjë e dashur”, (fq.271) këngë për fëmije me tekst nga një autor kosovar
4.
Në vëllimin Verpra,1., fq. 243-244 është botuar teksti i këngës me titull “Mrika”. Këtë tekst, pjesë nga poema e poetit Risto Siliqi me titull “Mrika në Shkangull”, për këngën e tij Jusuf Gërvalla e ka marrë nga libri “Historia e letërsisë shqipe, I, II”, e botuar në Prishtinë në vitin 1968, kapitulli për shkrimtarin Risto Siliqi. Ky tekst, ashtu si shumica e teksteve të kësaj pjese të librit, është botuar me gabime të rënda sa lexuesi nuk arrin të kuptojë asgjë nga përmbajtja dhe as nga protesta e autorit që i bëhet shoqërisë në mbrojtje të fatit të gruas së pambrojtur. Që mos ta sjellim në këtë shënim tërë tekstin e këngës “Mrika”, për lexuesit, po mjaftohemi me krahasimin e vargjeve në vijim:
Teksti i këngës “Mrika” i botuar në “Vepra,1. është shënuar me shkronjën A,
ndërsa teksti i kënduar nga J. Gërvalla është shënuar me shkronjën B
A.
Syt e zeza tuj ja nda
B.
Sytë e zezë s’asht tue ia nda
A.
As s’kish mund me perëndue
B.
Ah, t’kish mujtë me perëndue
A.
Sytë e saj çka janë tu ju hypur
Që drejtuem janë në botë
B.
Sytë e saj çka janë tuj lupun
Që drejtue janë teposhtë
A.
Edhe ku vala e shëronte
Atje pamë një lule dytë
B
Edhe ku vala e tmerronte
Atje pavi lule dy
A.
Edhe Mrika bëhet fala
Se me këto du mu shoqnu
B.
Edhe Mrika po u jep t’fala
Se me to do me u shoqnu’
A.
Të dy lule kundërmue
E për shoqen që po fiton
Emrin bën trishtim gëzime
Dhe kujtimin ja trazojnë
B.
Të dy lulet kundërmuan
Për shoqën që po fitojnë
E Mrikën n’trishtim e zunë
Dhe kujtimin t’ia trazojnë
A.
O dash nori i ndezjes dritë
B.
O dashnori i t’zezës Mrikë
A.
Për së gjalli në heshtje
Dojmi me korrë
Dëshiroj dritën vet me shu
Por prej votjes po tradhtove
S’paku foshnjën e ka pshtu
B.
Për të gjallë nuk desh t’jetojë me kore
Dëshroi t’tritë e vet me shu’
Por prej vojtjes t’botës tradhtore
S’pakut foshnjën e ka pshtu’
5.
Arsyeja e mospërfshirjes në këtë komplet të ndonjë poezie të shkruar në mërgim, letrave dhe publicistikës militante të Jusuf Gërvallës është temë për diskutim të veçantë, ndonëse ato, të botuara në revistat “Bashkimi”, “Lajmëtari i lirisë”, “Liria”, “Zëri i Kosovës” dhe në veprat autorëve Xhafer Durmishi dhe Faridin Tafallari, sidomos në këto 20 vjetet e fundit, nuk ka qenë as vështirë, por as me rrezik që të gjenden dhe të ribotohen.