Lëvizja\UÇK

Kadri Rexha: Në kujtim dhe nderim të Dëshmorëve të Pranverës Shqiptare ’81

Fjalë në Akademinë përkujtimore për Dëshmorët e Pranverës shqiptare 81, mbajtur në Kinemanë ABC, 02.04. 2021, ora 13.00, në Prishtinë.

Të nderuar pjesëmarrës, Përkujtimi i dëshmorëve Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Nebih Meha, Nesimi Dervishdana, Rizah Matoshi, Ruzhdi Hyseni, Salih Abazi, Salih Zeka, Sinan Bajrami, Sherif Frangu, Tahir Meha, Xhelal Maliqi, të rënë heroikisht në fushën e trimërisë më 1 dhe 2 prill të vitit 1981 si dhe përkujtimi i të gjithë dëshmorëve të tjerë të asaj pranvere kryengritëse na kthejnë në përkujtimin e njërës ndër faqet më të ndritura dhe më të rëndësishme të historisë sonë të re. Duhet theksuar se, si ngjarje kthesash të mëdha historike dhe shoqërore, demonstratat e vitit 1981 shprehin sintezën e virtyteve më të larta morale dhe patriotike të rinisë shqiptare dhe aspiratat shekullore të popullit tonë të lashtë. Duke ndikuar fuqishëm në faktorin e brendshëm, në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në shkallën më të lartë, si dhe në faktorin e jashtëm, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të çështjes së Kosovës në veçanti, ato në horizontin mbarëshqiptar hapën një shpresë të madhe dhe një perspektivë të re për kombin tonë. Demonstratat e vitit 1981, shpërthyen si protesta mbarëpopullore të shqiptarëve kundër një gjendjeje të padurueshme shtatëdhjetëvjeçare që mbretëronte në Kosovën e ndarë me dhunë nga trungu i atdheut, në Kosovën e pushtuar, në Kosovën e robëruar dhe të terrorizuar nga okupatori serb, maqedon dhe malazez. Demonstratat ishin rebelim dhe kryengritje e një populli kundër shtypjes kombëtare, kundër diskriminimit social dhe shoqërorë, kundër eksploatimit të egër të pasurive natyrore dhe të trajtimit të Kosovës si burim lëndësh të para, apo thjeshtë, si zonë koloniale serbe… ishin rebelim kundër varfërisë dhe mjerimit të skajshëm të popullit, kundër padrejtësive thelbësore politike dhe ekonomike, kundër zbatimit të gjenocidit dhe të pa perspektivës kombëtare të popullit shqiptar. Që të ngrihej në demonstratat e vitit 1981 popullit shqiptar iu desh ta bëjë një rrugë të mundimshme shtatëdhjetëvjeçare, e cila kaloi përmes ferrit dhe golgotës politike dhe ushtarake serbe, përmes masakrave individuale dhe atyre kolektive, përmes varrezave individuale dhe varrezave masive, përmes djegieve të katundeve dhe shkretimit të krahinave të tëra, përmes të ndërrimit të fesë me dhunë dhe të shkombëtarizimit masiv, përmes dëbimit nga vatrat shekullore dhe gjenocidit mbi gjashtëqind fshatra të Sanxhakut të Nishit, përmes masakrave të pashembullta në Drenicë e në Gjilan, në Llap e në Ferizaj, në Tetovë e në Burim, në Pejë e në Gjakovë, në Mitrovicë e në Prizren, në Tivar e në Srem, përmes vrasjes me uri në emër të tepricave, përmes kolektivizimit, përmes aksioneve për mbledhjen e armëve, përmes shpërnguljeve me dhunë, përmes ndalimit të flamurit dhe simboleve kombëtare, përmes ndalimit të gjuhës dhe ndalimit të shkollimit në gjuhën amtare…Në këtë rrugë të gjatë dhe të rëndë të qëndresës së paepur, popullin shqiptar e mbajti të papërkulur vetëdija e lartë kombëtare e përkatësisë shqiptare, vetëdija e lartë e një populli të lashtë autokton, vetëdija e një populli që në trojet e veta nuk është as ardhës dhe as pushtues, por zot i tyre që nga stërgjyshet Ilirë e këndej, zot legjitim i tyre me bekimin tokësor dhe me bekimin hyjnor. Në këtë rrugë vuajtjesh të shumta dhe krajatash të padurueshme popullin shqiptar e mbajti gjallë në jetë ideja e pashuar e lirisë, e pavarësisë dhe e bashkimit kombëtar. Pra, popullin shqiptar e mbajti gjallë e të papërkulur puna dhe veprimi i pandërprerë, shpresa dhe besimi i patundur në fitore të sigurt dhe në një ardhmëri të ndritur. Kështu, deri në muajt e parë të vitit 1981, atëherë kur thika serbe kishte depërtuar deri në ashtin e një populli, atëherë kur durimit të padurueshëm i kishte ardhur fundi, atëherë kur një popull kishte ardhur në përfundimin sublim se liria dhe pavarësia është mbi të gjitha, se liria dhe pavarësia janë më të shtrenjta se vetë jeta. Prandaj, shkëndija e ndezur në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Kosovës në Prishtinë, në mars të vitit 1981, ishte shenjë që premtonte se kupa e helmit dhe durimi i popullit do të derdheshin brenda një kohe të shkurtër në mbarë Kosovën, duke e ndezur kështu zjarrin e madh të atdhetarisë së vërtetë, me të gjithë tragjedinë dhe lavdinë që do të sillte ai në vete. Më 11 dhe më 26 mars të vitit 1981 shpërthyen demonstratat nga studentët në Universitetin e Kosovës. Vetëm pas pesë ditësh, më 1, më 2 dhe me 3 prill, si edhe gjatë ditëve të tjera të asaj pranvere, demonstratat e para u pasuan me demonstrata të reja. Populli i Kosovës u ngrit si një trup i vetëm, si deti në baticë, dhe kështu zbrazi pezmin, revoltën dhe urrejtjen e vet kundër shtypjes, shfrytëzimit, padrejtësisë dhe presionit të përjetuar gjatë dekadave të robërisë serbe. Në demonstrata masive u ngrit Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Besiana, Drenasi, Vushtrria, Mitrovica, Gjilani, Peja, Burimi, Deçani, Gjakova, Kaçaniku, Theranda, Lypjani, Kastrioti dhe thuaja të gjitha lokalitetet e Kosovës. Në demonstrata morën pjesë studentët, punëtorët, fshatarët, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, punonjës të ndryshëm, të rinj e të reja, intelektualë etj. të cilët kështu formuan marshin kryengritës milionësh të liridashësve, referendumin më të suksesshëm dhe më të bindshëm, të nënshkruar me gjak. Përveç kërkesave ekonomike, demonstruesit shtruan edhe kërkesa politike, duke kërkuar liri dhe të drejta demokratike. Në kuadër të së drejtës së ligjshme të popujve për vetëvendosje, përmes demonstratave në rrugë, populli i Kosovës kërkoi statusin e republikës në kuadër të federatës jugosllave. Këtyre kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar udhëheqja jugosllave iu përgjigj me zjarr dhe me hekur. Ndonëse opinioni ndërkombëtar dhe shtypi botëror këto demonstrata i cilësoi paqësore, në Kosovë vërshuan njësi të shumta të policisë dhe të ushtrisë nga Serbia dhe nga republikat e tjera të Jugosllavisë Federale. Kundër demonstruesve duarthatë u përdorën bombat lotsjellëse, shkopinjtë e gomës, gazrat kimike helmuese, armët e zjarrit, tanket, helikopterët, autoblindat dhe aeroplanët luftarakë të tipit MIG-21. E tërë Kosova u la në gjak. Më dhjetëra njerëz u vranë. Më mijëra të tjerë u plagosën, u arrestuan në burgje dhe u arratisen jashtë atdheut. Një gjeneratë e tërë u flijua në altarin e Kosovës, për të drejtat më njerëzore që i takojnë secilit popull të planetit tonë. Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme në mbarë Kosovën u shoqërua me shpërthimin e terrorit të egër të ushtruar nga shovinizmi serbomadh. U bastisën shtëpitë, u ndaluan grumbullimet publike, u ndaluan dasmat dhe të gjitha manifestimet e tjera të qytetarëve me karakter gëzimi dhe hidhërimi. U mbyll Universiteti i Kosovës dhe të gjitha shkollat. U ndërpre qarkullimi i postës dhe i të gjitha lidhjeve telefonike. Patrullat policore dhe ushtarake bënin kontrollimin e të gjithë kalimtarëve dhe të mjeteve të komunikacionit. Duke e izoluar nga pjesët tjera të Jugosllavisë si dhe duke e shkëputur çdo lidhje të saj me botën, serbomëdhenjtë e kthyen Kosovën në një kamp të tmerrshëm ushtarak. Megjithëse në demonstrata morën pjesë masat e gjëra popullore, megjithëse kërkesat që u shtruan nga populli ishin krejt të ligjshme dhe nuk dilnin jashtë Kushtetutës së RSFJ-së, demonstratat u cilësuan si “kundërrevolucion”, ndërsa pjesëmarrësit në to si “armiq”, dhe “kundërrevolucionar”. Ndaj pjesëmarrësve në demonstrata u zbatuan masat më të egra represive, duke i përgjakur e keqtrajtuar, duke i torturuar në mënyrat inkuizicionale dhe duke i dënuar me burg të rëndë deri në pesëmbëdhjetë vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre u aplikua masa e izolimit total. Populli shqiptar nëpërmjet demonstratave të vitit 1981, të qëndresës heroike dhe të demonstratave të tjera të përgjakshme që do të pasojnë nga viti në vit, deri në epokën e lavdishme të UÇK-së, kur ia ktheu pushkën Serbisë, bindi mbarë botën liridashëse se pa zgjidhjen definitive të problemit shqiptar në mënyrë pozitive kurrë nuk do të ketë paqe dhe qetësi në rajon e as në Evropë. Duke u bërë ballë në mënyrën më të qytetëruar të gjitha kryqëzatave mesjetare dhe moderne serbe, që qëllim të fundit kishin dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta dhe serbizimin e Kosovës, populli shqiptar fitoi jo vetëm admirimin e njerëzve liridashës, por edhe përkrahjen e pa rezervë të opinionit ndërkombëtar. Demonstratat e vitit 1981, në qenien, në mendimin dhe në veprimin e popullit shqiptar do të hyjnë si një vit i madh tronditjesh të fuqishme, në vetëdijen e të cilit do të zgjojnë njëherë e përgjithmonë mekanizmin e moçëm të luftës për jetë a vdekje, e që do të drejtohet ndërgjegjshëm drejt sendërtimit të pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Sinonim sublim i të gjithë këtij rezultati është vepra madhështore dhe e pavdekshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte vazhdimësi e drejtpërdrejt e idealeve të demonstratave mbarëpopullore të vitit 1981. Manifestimi jubilar i 40-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 dhe përkujtimi i dëshmorëve të Pranverës së madhe të vitit 1981, e bashkon popullin shqiptar rreth veprës së heronjve sepse, me mirë se askund tjetër, në veprën e tyre të urtë dhe stoike populli e gjeti shembullin e ndërgjegjes së lartë vetëmohuese dhe shembullin e vetëdijes së zgjuar atdhetare, mësimin se si duhet punuar dhe mësimin se si duhet luftuar, zërin e vet liridashës dhe artikulimin e aspiratave shekullore të tij, dashurinë për jetë si dhe gatishmërinë për flijim në altarin e Atdheut. Serbia, armiku shekullor i shqiptarëve, me sulmet e saj fashiste dhe gjonocidale, medonte se me vrasjen e djemve dhe vajzave tona heroina gjatë demonstratave të vitit 1981 si dhe të dëshmorëve tjerë në vazhdim do t’i vrasë edhe idealet e tyre liridashëse atdhetare, por u gabua rëndë. Idealet e martirëve tanë flakëruan si dielli. Ashtu të ujitura me gjakun rinor ato u rritën dhe u forcuan në ndërgjegjen e popullit duke u bërë busull orientimi në vitet e rënda në vijim. Ato u bënë bazament i fortë dhe platformë e mirëfilltë e luftës së kohës, luftës së UÇK-së heroike dhe të përpjekjeve të saja mbinjerëzore drejt realizimit përfundimtar të aspiratave të ligjshme të popullit shqiptar. Prandaj, UÇK-ja nuk lindi rastësisht, por atë e lindën epokat e përgjakshme të robërisë shqiptare. Prandaj, Adem Jashari, heroi legjendar i UÇK-së, nuk piki nga qielli, por doli nga gjiri i popullit të vet, i brumosur nga gjaku dhe nga idealet e të gjithë martirëve të Atdheut. Dëshmorët Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Nebih Meha, Nesimi Dervishdana, Rizah Matoshi, Ruzhdi Hyseni, Salih Abazi, Salih Zeka, Sinan Bajrami, Sherif Frangu, Tahir Meha, Xhelal Maliqi nuk janë fizikisht në mesin tonë, por qenia e tyre rron e do të rrojë amshueshëm në brezat që do të vinë. Ata ranë herët, në kulmin e veprimtarisë së tyre për çështjen e shenjtë të Atdheut dhe të Popullit, mu në kohën kur Atdheu dhe Populli kishin më së shumti nevojë për Ta dhe për njerëz si Ata. Ata ranë në moshë të re, por me veprën dhe me gjakun e Tyre hapën horizonte të reja për ardhmërinë e Kombit shqiptar. Në rezistencën mbinjerëzore dhe në luftën heroike kundër Serbisë pushtuese, që erdhi si vazhdimësi e qëndresës dhe e luftës shekullore të popullit shqiptar për sendërtimin e idealeve më të larta kombëtare dhe njerëzore, populli i mbajti Ata përherë në zemër, si shembuj të lartë frymëzimi, si simbole sublime të qëndresës dhe të heroizmit, si flamuj udhërrëfyes të luftës dhe të kohës sonë. Hakmarrjen për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë, për të gjithë të vrarët dhe të masakruarit, për të gjitha vuajtjet dhe krajatat e popullit shqiptar e mori UÇK-ja në malet dhe në fushat e Kosovës. Por, hakmarrja e madhe, sot dhe nesër, do të merret duke punuar për të ardhmen e ndritshme të Atdheut. Kosova, më e bukura e dheut, do të rindërtohet, do të zhvillohet dhe do të lulëzojë në të gjitha fushat. Prandaj, pushkën, veglat e punës dhe librin t’i shtrëngojmë fort dhe mos t’i lëshojmë nga dora. Të mos harrojmë: Ujët flë, por armiku punon. Ky është edhe amaneti i të gjithë dëshmorëve tanë, të moçëm e të rinj. Në rrugën drejtë ardhmërisë sonë të shkëlqyeshme tashti më nuk jemi të vetmuar. Lufta jonë e drejtë në krahun tonë radhiti Nënën Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglinë, shtetet demokratike te Evropës si dhe të gjithë popujt liridashës të botës. Lavdi dëshmorëve të Kryengritjes së Kosovës të vitit 1981! Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë në altarin e Atdheut! Lavdi luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Rroftë Populli heroik shqiptar!