Sado që udhëheqësit perëndimorë pretendojnë se ata nuk janë në luftë me Rusinë, Presidenti Vladimir Putin e ka bërë të qartë se Rusia është në luftë me Perëndimin. Një sërë aktesh agresive nuk lënë vend për dyshim se Kremlini po lufton kundër interesave amerikane e europiane dhe synon të zgjerojë shtetin rus në kurriz të fqinjëve të tij.
Rusia ka përforcuar trupat e veta ushtarake përgjatë kufirit me Ukrainën dhe kërcënon me një pushtim më të thellë. Ka shtuar praninë e forcave detare në Arktik dhe provokon në vazhdimësi ShBA dhe NATO-n me fluturime mbi anijet perëndimore në Detin Baltik dhe atë të Zi. Aktet e tilla kanë katër objektiva kryesore: të tregojnë se Rusia është një fuqi globale, të ushtrojnë presion mbi vendet e shenjestruara, të hetojnë për pika të dobëta në mbrojtjen perëndimore, dhe të zhvendosin vëmendjen nga trazirat e brendshme në rritje në Rusi.
Ne nuk jemi përballë një tjetër Lufte të Ftohtë mes Uashingtonit dhe Moskës, e cila, në thelb, ishte një bllokim deri në shkatërrimin e perandorisë Sovjetike. Pasojat e konfliktit midis Rusisë dhe Perëndimit, me gjasa, tani janë më të rrezikshme, sepse Kremlini kërkon ta rindërtojë perandorinë e vet dhe nuk e njeh pavarësinë ose tërësinë territoriale të shteteve fqinje.
Teksa rindërton dominimin e vet, Moska propagandon idenë se Rusia u “poshtërua” kur perandoria Sovjetike ra. Në të vërtetë, çlirimi i kombeve të pavarura i dha fund poshtërimit të tyre nga Kremlini dhe vulosi vendimin e tyre për të shmangur nënshtrimin në të ardhmen. Ndonëse ndarja e Europës në zona ndikimi, si gjatë Luftës së Ftohtë, është e vjetruar, zyrtarët e Putinit po ushtrojnë presion të madh mbi të gjitha republikat ish-Sovjetike për të braktisur aspiratat e tyre perëndimore dhe për t’u bashkuar me “botën ruse”.
Transatlantizmi i riformuar duhet të drejtojë fuqinë e NATO-s dhe BE-së në sigurimin e lirisë së shteteve në të gjithë Evropën e Gjerë, duke filluar me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe fqinjët e tjerë ngjitur me Rusinë. Nëse ata bien nën kontrollin e kleptokracisë së Kremlinit, atëherë edhe cenueshmëria e vendeve më në perëndim, gjithashtu, do të rritet. Uashingtoni duhet ta kuptojë rolin e udhëheqësit që i përket, ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë, sepse politika e BE-së është e dobët dhe e pavendosur.
Si kundërpërgjigje ndaj sulmeve kibernetike dhe të dezinformimit të Moskës në SHBA, administrata e Biden ka vendosur sanksione të kufizuara dhe ka ndaluar institucionet financiare amerikane të blejnë bono ose t’i huazojnë fonde Bankës Qendrore të Rusisë ose Fondit Kombëtar të Pasurisë. Problemi është se autoritetet ruse janë mësuar të jetojnë me dënime financiare të kufizuara sepse ata nuk e kërcënojnë regjimin e Kremlinit. Nëse Uashingtoni dëshiron të parandalojë në mënyrë efikase agresionin e Kremlinit, atëherë Putinit ose i duhet të humbasë një luftë ose besueshmërinë.
Që të shmangë luftën e drejtpërdrejtë, Uashingtonit i duhet të shtojë përgatitjet për ta parandaluar atë. Moska do të hezitojë të provokojë ushtarakisht, nëse vëren vendosmërinë e Aleatëve për të mbrojtur kufijtë e veta nga Arktiku në Detin e Zi. Uashingtonit i duhet të fuqizojë kahun lindor të NATO-s me mbrojtje raketore, baza ajrore dhe një prani më domethënëse trupash dhe të tregojë se mundet të mobilizojë me shpejtësi forca të konsiderueshme ushtarake për të zbrapsur çdo sulm të papritur rus në territorin e NATO-s.
Gjasat që Putini të iniciojë pushtimin e drejtpërdrejtë të Ukrainës janë më të pakta, nëse ai mendon se ShBA dhe aleatët e saj të NATO-s do t’i sigurojnë Kievit armë, inteligjencë ushtarake dhe të tjera ndihma, çfarë mund të kenë pasoja të kushtueshme për forcat ruse. Po ashtu, Putini do të humbiste besueshmërinë nëse ai nuk do të zhvaste ndonjë lëshim politik nga Kievi apo Uashingtoni, pavarësisht presionit të tij të kushtueshëm ushtarak. Kjo do të shfrynte reputacionin e tij ndërkombëtar dhe do të ulte mbështetjen e brendshme ndaj politikave të tij.
Një strategji e ashpër nga ana e Uashingtonit është thelbësore që Putini të heqë dorë nga ofensivat e tij. Bashkë me “parandalimin ushtarak nga NATO,” ShBA-së, minimalisht, i duhen “sanksione parandaluese”. Një listë e gjatë masash që do të kërcënonin ekonominë ruse mund të ndërmerren nëse Moska përfshihet në një tjetër shkelje të madhe ndërkombëtare, përfshirë një sulm ndaj Ukrainës. Këto mund të përfshinte largimin e Rusisë nga rrjeti i pagesave financiare SËIFT, sanksionimin e të gjitha korporatave të lidhura me Kremlinin dhe ngrirjen e aseteve të huaja të rrethit të ngushtë të Putinit dhe oligarkëve të afërt.
Politikanët perëndimorë pretendojnë se ata nuk duan të lëndojnë qytetarët rusë por vetëm të ndëshkojnë elitën. Problemi është se në sistemin e pushtetit në Rusi, elita gjithmonë ua kalon dhimbjen qytetarëve të zakonshëm dhe vetë i shpëton ndikimit të sanksioneve të vakëta. Duke vendosur ndëshkime financiare më gjithëpërfshirëse, qeveritë perëndimore do t’i japin popullit rus mundësinë për të ndikuar Kremlinin. Në një moment caktuar, zgjidhja e vetme e një krize të thelluar ekonomike do të ishte rrëzimi i tyre prej regjimit. Nëse ukrainasit ia dolën të përmbysin një regjim të korruptuar dhe autokratik, atëherë pse rusët jo?