Shqipëria/Aktualitet

Marenglen Kasmi: ANTIKOMUNIZMI si “gjethe fiku”!

Por ama, vazhdon të mbetet ende një temë tabu bashkëpunimi prej vitit 1948 i emigracionit politik shqiptar me UDB-në jugosllave për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Botuar në DITA

Historia e Luftës së Dytë Botërore në përgjithësi, por edhe ajo e vendeve që u përfshinë në këtë konflikt në veçanti, ku hyn edhe Shqipëria, është komplekse dhe duhet të studiohet në mënyrë të diferencuar sipas specifikave që u shfaqën në secilin vend.

Gjithsesi e përbashkëta e këtyre studimeve, përpos shumë dimensioneve të tjera, mbetet kolaboracionizmi me nazifashizmin, paçka se siç u theksua më sipër, ai shfaqet në forma dhe përmasa të ndryshme. Parë në këtë këndvështrim, diferencimi i trajtimit fokusohet në rastet ekstreme të kolaboracionizmit, siç është për shembull ndihma që qeveritë kolaboracioniste i dhanë Hitler-it për Holokaustin, si edhe në ndjekjen, dhunën dhe vrasjen e grupeve të tjera të popullsisë, qoftë për arsye ideologjike, bindjesh politike, organizimi antifashist apo arsye të tjera. Për fat të mirë, sa i përket Holokaustit, Shqipëria nuk hyn në këtë kategori.

Pas vitit 1990, koncepti i kolaboracionizmit me pushtuesit nazifashistë është thjeshtuar, duke u justifikuar kryesisht me qëndrimin dhe prirjet antikomuniste të kolaboracionistëve, ndërkohë që shpjegimi i këtij fenomeni kërkon një trajtim më të thelluar.

Së pari, duhen vlerësuar arsyet, shkaqet dhe pasojat që pati ky veprim për popullin shqiptar dhe për rrezikshmërinë që paraqiste bashkëpunimi me pushtuesit për të ardhmen e shtetit shqiptar. Fakti që Shqipëria kaloi në një regjim komunist pas luftës nuk e justifikon bashkëpunimin me pushtuesit, pavarësisht se antikomunizmi është sot i vetmi argument që përdoret në kuadër të revizionimit të historisë.

Antikomunizmi nuk mund të përdoret “si gjethe fiku” për të mbuluar qëndrimin e gabuar të nacionalistëve gjatë luftës, a thua se ata e kishin “nuhatur” ardhjen e Luftës së Ftohtë dhe përplasjen ideologjike që do të pasonte, para se ta kuptonin edhe vetë dy superfuqitë e ardhshme, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik, të cilat ende ishin në një aleancë të përbashkët kundër të keqes më të madhe të njerëzimit të shekullit XX, nazizmit!

Po ashtu, duhet shpjeguar natyra e kolaboracionizmit dhe duhen shmangur përgjithësimet për raste të caktuara, sikurse duhet studiuar me kujdes politika e brendshme e grupimeve politike shqiptare në këtë kohë.

Kuptimi i kolaboracionizmit filloi të politizohet tejskajshëm pas përfundimit të luftës. Në të gjitha vendet ku u shfaq ky fenomen, në vitet e para të pasluftës u organizuan gjyqe politike kundër kësaj kategorie, ku shpesh jepeshin dënime kapitale. Gjithsesi, intensiteti dhe ashpërsia e dënimeve ishte e ndryshme, e kryesisht ndërmjet vendeve Perëndimore dhe atyre Lindore, të cilët më vonë kaluan nën diktaturën komuniste.

Ndër këto përvoja, Shqipëria ndoqi formën më të ashpër të dënimit të kolaboracionistëve, duke e shtrirë ndër vite ndjekjen dhe persekutimin edhe për familjarët e tyre, që nuk kishin asnjë përgjegjësi për veprimtarinë e prindërve apo të afërmve të tyre,të cilët gjatë luftës ishin vënë në shërbim të pushtuesit. Ky fenomen do të arrinte kulimin e tij me ashpërsimin e luftës së klasave, që do të pasonte në dhjetëvjeçarët në vijim.

Në periudhën 1939-1944, në Shqipëri si edhe gjetkë në vendet e pushtuara u shfaqën disa kategori bashkëpunimi me pushtuesit. Le të ndalemi te dy më kryesoret.

Kategoria e parë ishte ajo pjesë e shqiptarëve, e cila e mirëpriti pushtuesin e huaj, duke u bërë pjesë e strukturave qeverisëse të vendit që u krijuan nën diktatin e pushtuesve. Këtu, duhet të bëjmë një diferencim ndërmjet pushtimit italian dhe atij gjerman. Nëse politika pushtuese italiane u shoqërua me ideologjinë fashiste dhe fashistizimin e vendit, çka u konkretizua me formimin e Partisë Fashiste Shqiptare, pushtimi gjerman i Shqipërisë ishte i detyruar nga zhvillimet e luftës dhe në këtë kuadër pushtuesit gjermanë morën masa politike, ekonomike dhe sidomos ushtarake, por jo ideologjike.

Në urdhrin nr. 1 të Divizionit 297, datë 09.09.1943, për pushtimin e Shqipërisë, thuhet se “Italia e shkeli Paktin dhe ka nënshkruar një marrëveshje të veçantë me anglo-amerikanët. .[…] Korparmata XXI. Malore, duke bërë çarmatosjen e italianëve, merr me divizionet pararojë bregdetin Adriatik në vijën Kotorr-Vlorë dhe organizon mbrojtjen. Div. 297 arrin menjëherë me pararojën e tij fillimisht Kukësin (rruga për Shkodër), në rrugëkalimin Prishtinë-Prizren-Kukës”. […] Çdo rezistencë duhet të thyhet me forcën e armëve”, shkruhet më tej në misionin luftarak të divizionit gjerman.

Kategoria e dytë përbëhej nga grupimet politike dhe fisnore, të përfaqësuara kryesisht nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti. Para se të bëjmë analizën e qëndrimit të këtyre partive politike, duhet pikësëpari të ndajmë qëndrimet e individëve të caktuar brenda Ballit Kombëtar nga vija politike e organizatës.

Sikurse dihet, Balli Kombëtar qysh me krijimin e tij e deri në fundin e veprimtarisë së tij politike, përfshi edhe periudhën e pasluftës, kur veproi në emigracion, nuk arriti asnjëherë të kristalizonte një qëndrim të unifikuar politik, por u karakterizua nga mosmarrëveshjet brenda tij, të cilat reflektonin ndjeshëm në politikën e kësaj organizatë.

Kësisoj, gjatë luftës krahu i të rinjve që përfaqësohej nga Skënder Muço, Safet Butka etj., të cilët ishin për organizimin e një lufte të armatosur kundër pushtuesve gjermanë, nuk mund të përfaqësojnë kurrsesi vijën politike të kësaj organizate. Ata nuk arritën dot asnjëherë të dominojnë në frymën e përgjithshme të organizatës, e cila nën drejtimin e Mit’hat Frashërit ishte për bashkëpunimin me gjermanët, ndonëse fillimisht bashkëpunimi fshihej nën petkun e neutralitetit.

Sigurisht që ky bashkëpunim nuk motivohej nga ndonjë ideologji e caktuar. Ai mbështetej kryesisht në besimin që ekzistonte ndaj epërsisë së ushtrisë gjermane ndaj Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe çfarë është më kryesorja, ky bashkëpunim bazohej mbi një oportunizëm të theksuar politik.

Të dy grupimet kryesore politike shqiptare, si Partia Komuniste ashtu edhe Balli Kombëtar, sikurse ndodh edhe sot në jetën politike, aspironin për të ardhur në pushtet. Ajo çka i dallon ato nga njëra-tjetra është rruga që ndoqën në zbatimin e programit të tyre politik. Nëse Partia Komuniste e shikonte luftën kundër pushtuesit si detyrën më emergjente dhe pas çlirimit të vendit të vinte në pushtet, Balli Kombëtar ndoqi një politikë tjetër, atë të qëndrimit pasiv dhe më pas të bashkëpunimit me pushtuesin, kryesisht atë gjerman, me qëllim asgjësimin e kundërshtarit politik me forcën e pushtuesit dhe shndërrimin e Ballit Kombëtar në një faktor të vetëm politik që gjatë luftës.

Në dokumentacionin e Div. 100 Këmbësorisë Malore të Wehrmacht-it gjerman, për datën 6 tetor 1943 shkruhet: “Komunikim sekret (urdhër) i Div. 100 me Regjimentin e Këmbësorisë së Lehtë 54:Qëllimi i divizionit është që nëpërmjet futjes në mision të njësisë së zbulimit 100 dhe forcave të shumta të regj. këmb. 54 dhe artilerisë, të zbojë forcat komuniste nga zona përreth Vlorës, duke u shkaktuar atyre mundësisht shumë humbje dhe t’u krijojë kështu mundësi elementëve nacionalistëve shqiptarë të grupohen dhe të organizohen, me qëllim përfundimtar parandalimin e prishjes së shpeshtë të qetësisë në Vlorë dhe pengimin e organizimit të mbrojtjes që shkaktohet nga kjo gjë”.

Më sipër lexojmë më shumë se një urdhër ushtarak. Masat që duhet të merren janë ushtarake, por synimi është politik. Meqenëse komanda gjermane vlerësonte se Aleatët do të zbarkonin, sigurisht që detyrë emergjente ishte organizimi i mbrojtjes së vijës bregdetare. Në këtë kuadër, për politikën gjermane fitonte një vlerë të madhe “elementi nacionalist shqiptar”.

Sipas këtij plani, ushtria gjermane fokusohej në mbrojtje të bregdetit, ndërsa forcat nacionaliste duhej të ruanin krahët e tyre nga sulmet partizane. Për këtë, ushtria gjermane kujdesej të merrte masat përkatëse duke organizuar operacione ndëshkimore kundër partizanëve, duke ndihmuar njëherazi Ballin Kombëtar në luftën e tyre kundër UNÇL-së. Sigurisht që në plan të parë gjermanët duhej të përfitonin vetë nga kjo luftë.

Parë në këtë këndvështrim dhe nisur nga teoria e Mit’hat Frashërit dhe shumë pasuesve të tij se, “gjermanin po nuk e ngacmove, nuk të nget”, “gjermanët nuk janë pushtues, por kalimtarë” dhe që “rreziku më i madh vinte nga mali”, kuptohet lehtë edhe ngjizja e teorisë së “luftës civile” që artikulohet sot. Ironia e këtyre parullave qëndron ne faktin se nëse gjermanin nuk e ngacmonin në gjithë frontet, as ai nuk kishte ndërmend të ngacmonte njeri! Për Hitler-in nuk kishte asgjë më komode se “pushtimi paqësor” i gjithë botës.

Po ashtu, pas dështimit në Stalingrad në mars 1943, gjermanët ishin kalimtarë në të gjitha frontet, sepse ishin mbi udhë e nën udhë duke u tërhequr drejt Berlinit. Ndërsa “rreziku i malit” shmangej jo duke u përkundur në djepin e bashkëpunimit me gjermanët, por duke i dhënë popullit alternativa të qarta. Sa ishte Balli Kombëtar në gjendje të jepte një alternativë të besueshme etj., në fillim-vitet 1940, kjo është një çështje tjetër.

Sa i përket teorisë së “luftës civile”, historianët ballistë kanë të drejtë në vlerësimin e njëanshëm që i bëjnë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për ta ajo ishte e tillë, përderisa Balli Kombëtar kërkonte me çdo kusht asgjësimin e kundërshtarit politik për të siguruar pushtetin pas lufte. Dhe kaq e madhe ishte kjo dëshirë, e cila kamuflohet sot nën petkun e antikomunizmit, saqë nuk i ndalte asgjë të bënin jatak edhe te pushtuesi dhe të luftonin për ta, me shpresën se do të përfitonin nga ashpërsia e njohur gjermane ndaj kundërshtarëve të tyre.

Bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me gjermanët i shërbeu Partisë Komuniste që si fillim ta demaskonte atë në popull dhe më vonë ta godiste përfundimisht. Nga ana tjetër, Balli Kombëtar ndiqte po të njëjtën strategji, likuidimin me çdo kusht të lëvizjes komuniste. Strategji kjo që nuk e pengonte atë të bashkëpunonte ndërkohë edhe me gjermanët.

Sipas perceptimit dhe botëkuptimit të tyre, për pjesën më të madhe të nacionalistëve shqiptarë që bashkëpunuan me pushtuesit italianë e më pas ata gjermanë, ata ishin duke kryer veprimin e duhur për të mirën e vendit. Gjithsesi,sikurse thamë edhe më sipër, mes këtij grupi duhen bërë diferencime. Një pjesë e tyre ishin idealistë dhe bashkëpunonin me pushtuesin vetëm e vetëm për t’iu kundërvënë komunizmit, ndërkohë që pjesa tjetër kishte edhe interesat e saj në këtë bashkëpunim.

Por ajo që mund të thuhet pa ngurrim është se kjo klasë politike mendonte se sido të vinte puna, përsëri ata do të ishin në krye të vendit, qoftë në mënyrë të vetëkuptueshme si vazhdim i traditës drejtuese, qoftë edhe nëse Aleatët do të kërkonin dikë për t’u marrë vesh pas luftës. Çka ata nuk kuptuan ishte se, si pasojë e bashkëpunimit me gjermanët, ata u shndërruan që gjatë luftës të papranueshëm nga bashkëkombësit e tyre.

Rrjedhimisht si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, për pjesën tjetër të popullsisë ishte e vetëkuptueshme që ata duhej të dënoheshin për qëndrimin e tyre. Kështu ndodhi edhe në vendet e tjera, duke filluar nga vendet skandinave, Europën Qendrore e Lindore si edhe në atë Juglindore. Sigurisht që gjatë këtij procesi pati edhe hakmarrje politike e personale, që finalizoheshin me humbjen e jetëve të pafajshme.

Një arsye tjetër për bashkëpunimin me pushtuesit përbënte edhe mungesa e përvojës demokratike në Shqipëri. Zogu qoftë si president, por edhe si mbret drejtonte në mënyrë autokrate. Shumë përfaqësues të elitës së vjetër, por edhe intelektualë të tjerë ishin përndjekur, dënuar, internuar, por edhe vrarë. Mungesa e demokracisë së prekshme, e kryqëzuar me rritjen e lëvizjes komuniste i shtonte premisat e bashkëpunimit me pushtuesin.

Pavarësisht propagandës komuniste, e cila është e njohur për mirorganizimin e saj, shumë nacionalistë me orientim perëndimor demokratik nuk e mbështetën atë. Kjo gjë ishte e pritshme nëse vlerësojmë prejardhjen e tyre, kryesisht nga shtresa e lartë feudalo-borgjeze e kohës. Përveçse aspektit ideologjik komunist që nuk përkrahej prej tyre edhe si pasojë e barazimit të klasave që pretendonte kjo ideologji, së bashku me statusin, atyre u rrezikohej edhe prona. Prandaj, Hitler-i ofronte një zgjidhje për ta. Po ashtu edhe modeli shtetëror i Gjermanisë, me një udhëheqës të fortë në krye e impresiononte shumë këtë kategori.

Tanimë janë studiuar fazat në të cilat ka kaluar bashkëpunimi me Gjermaninë nacionalsocialiste në gjithë Europën Juglindore. Në vitet 1939-1941 shumica e të prekurve, me përjashtim të komunistëve, e pranuan ekspansionin hitlerian. Ndryshimi vjen me betejën e Stalingradit në fillimvitin 1943. Si pasojë e humbjes gjermane, në shumë vende të Europës Juglindore, nga bashkëpunimi kalohet në një gatishmëri të hapur për të luftuar kundër Wehrmacht-it gjerman.

Ndryshe në Shqipëri! Pavarësisht sinjaleve të forta që vinin nga fronti kryesor i luftës, por edhe politika aleate, pas një hezitimi paraprak elita shqiptare nuk ngurroi të hidhej në krahët e bashkëpunimit. Sikurse u theksua qysh në fillim të shkrimit, ky bashkëpunim nuk kishte një bazë ideologjike, por konsistonte më së shumti në shpresën se me ndihmën e gjermanëve do të mund të likuidohej Lëvizja Nacionalçlirimtare e drejtuar nga komunistët.

Fatkeqësia personale dhe politike e shumë ish- bashkëpunëtorëve me nazizmin ishte se ata kërkonin një bashkëpunim të ngushtë me të, por nuk e shikonin këtë veprim si një varësi apo marrëdhënie koloniale. Në fakt, Hitler-i dhe bashkëpunëtorët e tij e shikonin tamam ashtu. Në këtë kontekst, rreshtimi hapur i Ballit Kombëtar në krahët e pushtuesit i kategorizoi ata qartazi në anën e gjermanëve. Madje, duke djegur bashkë me ta fshatra gjatë Operacionit të Dimrit dhe atij të Qershorit, duke terrorizuar qytete e duke ekzekutuar jo rrallë edhe njerëz.

Revizionimi i historisë së Luftës së Dytë Botërore nuk ka të bëjë shumë me Enver Hoxhën, apo me të rënët e luftës, por lidhet më së shumti me mospranimin e një realiteti historik, ku një pjesë e mirë e nacionalizmit shqiptar u gjet në anën e gabuar të historisë. Sigurisht që ana e duhur mund të kishte qenë edhe në krijimin e një blloku të qartë luftarak antifashist, por edhe antikomunist, duke i parë komunistët si rivalë politikë. Por jo si kundërshtarë në frontin e luftës antifashiste!

Kësisoj, është e vështirë të besohet se Hoxha, pavarësisht qëllimeve të tij, do t’i kishte luftuar nacionalistët që gjatë luftës. Do ta kishte bërë ndoshta më vonë, por me një kosto shumë të lartë.

Sot ka tendenca studimore që e trajtojnë njësoj luftën dhe pasluftën. Ajo çka rreken të bëjnë përfaqësuesit e revizionimit të historisë është që përveç tezës së luftës civile, të bindin shoqërinë shqiptare se si partizanët, ashtu edhe nacionalistët, më saktë ballistët, kishin të njëjtin status, atë të luftëtarit të lirisë. Kjo gjë mund të jetë e vërtetë për disa elementë të caktuar të Ballit Kombëtar jo më shumë se gishtat e një dore dhe vetëm në fazat e para të luftës.

Ndërkohë që me kalimin e kohës dhe me konsolidimin e pushtimit gjerman, por edhe të Ballit Kombëtar si organizatë, nuk ka asnjë rast kur ndonjë çetë e Ballit Kombëtar lufton kundër gjermanëve, por përkundrazi bashkëpunojnë hapur me ta. Kësisoj, aktiviteti i Ballit Kombëtar orientohet drejt një qëndrese antikomuniste dhe jo antifashiste – çka i vinte për shtat edhe Enver Hoxhës.

Trajtimi në këtë frymë bëhet me qëllim për të justifikuar bashkëpunimin me pushtuesin. Nuk bëhen analiza kritike për këtë gjë, por arsyet e dështimit të tyre kërkohen te pala tjetër dhe kryesisht te bashkëpunimi i Partisë Komuniste me jugosllavët. Por ama, vazhdon të mbetet ende një temë tabu bashkëpunimi prej vitit 1948 i emigracionit politik shqiptar me UDB-në jugosllave për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Vetëm në vendet e trazuara politikisht, me një tranzicion të pafund siç është edhe Shqipëria ose në vende me ndërgjegje të theksuar nacionaliste, rehabilitohen bashkëpunëtorët e nazizmit dhe fashizmit. A mund të “pastrohen” njerëz të tillë nga krimet që kanë bërë krah pushtuesit gjatë luftës kundër bashkëkombësve të tyre?

Me të drejtë sot kërkohet vlerësimi i drejtë historik i krimeve të komunizmit për periudhën 1944-1990. Shqipëria nuk mund të bëhet pjesë e Europës nëse nuk e kryen këtë proces të nevojshëm vetëreflektimi. Po me krimet e kryera nga bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë gjatë Luftës çfarë duhet të bëhet?

Si mund të rehabilitohen bashkëpunëtorët e pushtuesit, madje edhe duke iu ngritur buste e përmendore në mes të qyteteve, vetëm sepse kanë qenë antikomunistë? A mjafton antikomunizmi për të justifikuar gjithë dështimin e tyre politik dhe bashkëpunimin me Nazifashizmin? Ndaj mund të themi me plot gojë se antikomunizëm nuk do të thotë domosdoshmërisht demokraci, sikurse edhe antifashizmi nuk është baras komunizëm!