Vështrim/Analizë

Izet Ibrahimi: Për supremacinë e “zajednicës” mbi Republikën dhe pajtimin e paqen në rajon

 “Republika serbska” në B e H dhe “Asociacioni i komuanve me shumicë serbe” në Republikën e Kosovës, si organizime politko-territoriale të serbëve, me kompetenca të veçanta dhe dekret të veçantë janë të papranueshme, jo vetëm se ato po ngriten mbi gjenocidin më të tmerrshëm, por edhe për faktin se ato po cenojnë seriozisht ekzistencën kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve. Kështu që këta dy popuj, nuk kanë tjetër rrugë përveç asaj të reagimit të fuqishëm, i cili më pas edhe mund ta vë në pikëpyetje jo vetëm pajtimin dhe paqen, por edhe stabilitetin në rajon. 

Fitorja e aleancës NATO – UÇK ndaj makinerisë ushtarake serbe, ishte shprehje e triumfit të vlerave më të larta njerëzore por, për fat të keq, shqiptarët në Republikën e Kosovës, gjatë kësaj “fitoreje vlerash…”, nuk gjetën rrugën e duhur për jetësimin e idealeve me të cilat ishin futur në luftën e fundit për çlirim. Ekipet negociatore që nga ato të “elefandëve” e deri tek ky ekipi “Bislimi”, falë naivitetit dhe papërgjegjësisë së paparë, si ndaj procesit të shtetndërtimit ashtu dhe interesave afatgjata kombëtare, po rrezikojnë jo vetëm me bosnjëzimin e Kosovës, por edhe me procesin e mohimin e karakterit çlirimtar të luftës së UÇK-së dhe minimizimit të fitores ndaj pushtimit serb. Elita jonë politike, duke qenë e zënë me kolltuqet e “bashkëqeverisjes”, kishte mbetur pa ndonjë strategji dhe e përçarë deri në palcë. Kështu që në vend të arritjes së një konsensusi për dënimin e gjenocidit serb, arriti në konsensusin e krijimit të komunave me shumicë serbe, i cili konsensus procesin e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës do ta shendërroj në një problem mjaft kompleks, dhe si sprovën më të rëndë për shqiptarët andej dhe këndej Drinit.

Në qershorin e vitit 1999, me një grup bashkëluftëtarësh, në komunën e Drenasit, si një nga komunat me numrin më të madh të masakrave dhe dëmeve, patëm filluar me grumbullimin e dëshmive mbi gjenocidin serb, mirëpo, këto dosje krimi nuk patën mundur të arrinin më larg se sa në zyrat e Këshhillit për Mbrotjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Aso kohe, diskursi ynë publik, lidhur me dokumentimin dhe dënimin e gjenocidit serb nga administrata e UNMIK-ut, zyrtarë vendor dhe medija shqipfolëse, fillimisht u vlersua si “florkorist”, e më vonë edhe u pengua tërsisht. Kështu që elita e jonë politike, në vend që të merrte mësimet nga përvoja e pas Luftës së Dytë Botërore, kur Aleanca Antifashiste përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe fitoren ndaj pushtimit nazi-fashist e konsideronte, momentin kur ideologjisë naziste ia ndaluan veprimin në vendin e saj të origjinës, ajo jo vetëm që nuk e bëri këtë përpjekje që së paku në Kosovë të ndaloj ushtrimin e kësaj ideologjie, por në procesin e shtendërtimit, përveç himnit dhe flamurit të ngjajshëm me atë boshnjak, solli njerëz që deri me fillimin e bombardimeve të NATO-së i mbanin anën Serbisë. Përderisa Serbia, edhe pas bombave të NATO-së, ambicjet e saja pushtuese po i bazon në të njëjtën ideologji, me të cilën edhe ishte futur në luftën e fundit me ish-republikat Jugosllave, Kosova me përvojat e nënshtrimit dhe përmes kompromiseve të njëpasnjëshme, po bëhej viktimë e balancimit ndërmjet krimit serb dhe “krimeve të UÇK“. Pra, shqiptarët e Republikës së Kosovës në vend që të dokumentonin se ideologjia e mohimit të masakrave të Reqakut, Abrisë, Paklekut, Mejes, Rezallës, Shtuticës dhe shumë të tjerave në Republikën e Kosovës, është e njëjta ideologji si ideologjia naziste e Holokaustit dhe mohimit të Holokaustit, ata për fatin tonë të keq në emër “të pastrimit të luftës së UÇK”, zgjodhën formimin e gjykatës speciale. Pra, me përjashtim të gjykatës speciale, e cila do të merret ekskluzivisht me dënimin e “krimeve të UÇK-së”, gjithçka si e tillë me “Zajednicën” në Kosovë, kishte filluar edhe me ‘Republika Srpska’ në Bosnjë. Zëdhënsi i Milosheviçit, Vuçiçi përmes zëdhënsit të Karaxhiqit, Dodik, paralelisht me mohimin gjenocidit serb në Bosnje e Hercegovinë, po vazhdonin me krijimin e territoreve etnikisht serbe. Kështu që përderisa zyrtarët jo serbë në BeH, kishin humbur në debatin e ligjit që ndalon mohimin e gjenocidit, ndërsa ata ndërkombëtarë këtë e trumbetonin si storje suksesi, Dodik po shpejtonte me krijimin e  “Bashkësisë së Komunave Serbe”.

Nëse i thërrasim kujtesës, diçka si e tillë me BeH po ndodh edhe në Kosovë. Hapat e ekipit të Vuçiqit në Bosnije, janë identik me ata në Repulikën e Kosovës. Në Bosnijë, Vuçiqi përmes Dodikut, për ta liruar Serbin nga përgjëgjësia shtetrore për gjenocid dhe krime lufte në ish-jugosllavi, dhe në funksion të krijimit të Serbisë së madhe, paralelisht me shantazhet për prishje të Marrëveshjees së Dejtonit, nxitonte më shpalljen e  njërës pas tjetres të ‘rajoneve autonome serbe në BeH’, duke vazhduar me ‘referendumet e organizuara’ nga ‘Asambleja e Popullit Serb të Bosnjës’, deri në veprimet e 10 dhjetorit 2021, kur Asambleja Popullore e Republikës Sërpska (RS) miratoi një seri hapash për të nisur një procedurë që entiteti me shumicë serbe brenda Bosnje dhe Hercegovinës të tërhiqet nga ushtria boshnjake, shërbimet e sigurisë, sistemi i taksave dhe sistemi juridik. Përderi sa, ne në Republikën e Kosovës nuk arritëm që të dokumentojmë, që Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë, dhe si rezultat nuk mund të nxjerrim një ligj që e mohon gjenocidin, elitës politike të shqiptarëve të Kosovës, i ka mjaftuar denimi i “krimeve të UÇK-së”, si dhe së fundmi zhytja në debatet e zhurmëshme rreth “sindikatave, rritjes enorme ekonimike, dekarbonizimit të energjisë” dhe lloj – lloj debatesh tjera të shpifura. Në dobi të interesave serbe, këte “dehje trishtuese” të elitës politike shqiptare po e shfrytëzon për mrekulli Vuçiqi dhe ekipi i tij. Përderisa “ekipi ynë negociator” ishte i zënë me “stikersat”, ekipet e Vuçiqit arritën që gjithë diplomacin e Brukselit ta shndërojnë në zëdhënëse të politikave serbe.  Edhe pse me marrëvjeshjën e 25 gushti të vitit 2015, Asocicioni i komunave mee shumicë serbe ka kompetenca të plota, e të pavarura në ekonomi, shëndëtësi, edukim, dogana, polici, gjygjësor, buxhet, e teritor. Madje edhe me kompetenca që e tejkalon pavarsinë e serbeve që kishin në Federetën e BeH, ata nuk po duken se janë të kënaqur me këto kompromise, por po kërkojnë më shumë se kaq. Për faktin se ekipi serb për hartimin e statutit, ishte formuar pikërisht me marrëveshjen e Brukselit, ata po vazhdojnë të bojkotojnë punën e hartimit të statutit të Asociacinit ose siç e quanim në protesta “Zajednicës”, me arsyetimin se “nuk janë të kënaqur mee të drejtat e popullit serb…” ndërsa elita jonë politike, po mjaftohen me deklarata të forta “… për reciprocitet, dhe se nuk do ta pranojnë asociacionin”, të cilin në fakt po e mohojnë serbët.

Kështu që, tregimi i Bosnjës fatkeqësisht po vazhdon me Kosovën. Trumbetimet për mosrespektim të marrëveshjeve të Brukselit dhe destrukcionet që Vuçiqi po ia bënë paqës në rajon, përmes “Republika serbska” në BeH dhe “Asociacionit të komuanve me shumicë serbe” në Republikën e Kosovës, mund të na fusin në një spirale të rrezikshme konflikti. Shqiptarët dhe boshjakët, nuk kanë tjetër rrugë përveç asaj të reagimit të fuqishëm, i cili më pas edhe mund ta vë në pikëpyetje jo vetëm pajtimin dhe paqen, por edhe stabilitetin në rajon.