Nje buqetë lulesh për shokun e bashkëluftëtarin tim, të cilit për më shumë se 20 vite nuk pata mundësi t’i dërgoja lule mbi varrin e Tij. Në këtë takim timin, me ” Doktorin e shkrirë në bronz”, deri sa po përpiqesha të riktheja Hafir Shalën prej luftëtari emblematik dhe një nga udhërrëfyesit e brezit që bëri dhe udhëhoqi epokën e lavdishme të UÇK-së, nuk e di pse m’u kujtua poezia e Dritëros:
“Në sofrën e shtruar të historisë
presin të marrin lugët.
Vështrojnë thelat dhe duan të hanë,
kurnacë, grykës, batakҫinjë, pehlivanë.
Po historia u jep nga një kafe në këmbë
Dhe thotë e përmbajtur diҫka nëpër dhëmbë
“Na falni, se prsim në sofër të vijnë
Ata që bëjnë vërtetë historinë!”
Ai, nuk ishte vetëm mjeku i parë i UÇK-së dhe themeluesi i ambulancave të UÇK – së, por në radhë të parë, Ai ishte aty, edhe kur krisi pushkë e parë, sepse Ai edhe ishte zëri më kumbues i kushtrimit për çlirimin e kësaj pjese të Atdheut. Ai edhe atëherë, kur të tjerët thonin se është e pa mundur t’ia dalim nën këtë rrethim të hekurt serbo-sllav, na thoshte: “Ne mund t’ia dalim dhe do t’ia dalim” dhe na pri priu e theu rrethimin e hekurt në Likoshan e Qirez, u dha gjak e shpresë luftëtarëve të lirisë dhe lufta për çlirim e bashkim, jo vetëm që nuk u ndal, por mori hov edhe më të madh dhe u çlirua Kosova shqiptare. Dhe për këtë arsye thashë: Ai nuk është vetëm një humanist në zë, por në radhë të parë, një Atdhetar dhe luftëtar i shquar, idealet e të cilit janë edhe sot flamur i shqiptarizmit në Kosovën me viset e saj. Dr. Hafiri është nga Ata që e bënë vërtetë historinë!