Kulturë\Letërsi

Ismet Toto: Një “tungjatjeta” e ftohtë

MENTALITETI ….
NJË “TUNGJATJETA” E FTOHTÉ
“Kini 30 vjet që shërbeni çdo Mbretëri që na ka zaptuar”. “Juve prishni shqiptarët. E ç’na duhet Shqipëria pa shqiptarë?… Për juve Shteti është arka, për neve është një shpirt, një ideal…”
Nga Ismet Toto*
“Shiko shofer! Lidhe mirë valixhen të lutem, se mos na ngjan ndonjë e papritur! Një mikut tim i humbi një valixhe me 100 napolona plaçka dhe s’iu duk më nishani! “Kështu tha plaku dhe dalngadalë u fut në veturë, duke mbështjellur pardesynë e tij të zezë dhe elegante. Zuri vënd afër meje, futi mënjanë bastunin dorë-ergjëntë, u gjet vend aty ndënë këmbë nja dy pakove të vogëla, hoqë nga koka borsalinon, fshiu pak ballin me një shami të mëndafshtë dhe pastaj kthehet nga unë. “Edhe zotëria e jote për në Korçë? Udhë e gjatë dhe e rrezikshme. Inshallah arrijmë mirë e shëndoshë! Se me këta shoferët e sotëm, Zot ruajna! S’dijnë ç’bëjnë, efendëm, rrezikojnë jetën e tyre dhe atë të udhëtarëve marrëzisht! Ç’kuptim ka të nxituarit marrëzisht? Por ky shoferi i sotëm është i urtë dhe veç kësaj e kam porositur posaçërisht që të mos nxitojë aspak.”
Si mbaroi këto fjalë, filloi të më tregojë një sërë aksidentesh që ndodhin nga pakujdesia e shoferëve, nga mania e të nxituarit. Pastaj nxori kutin e ergjëntë, mori një cigare të hollë me ar, më ofroi dhe mua një dhe heshti.
Me plakun jesh parë dhe një herë tjetër në një kafe lluksoze të kryeqytetit. Ky është një nëpunës i lartë. Nuk është ministër dhe as që ka shumë qejf të bëhet. Ministria ka shumë telashe për të dhe nuk është një punë e sigurtë dhe e qëndruar… Sot shkëlqen dhe nesër bie si mos më keq.
Por sidoqoftë bashkudhëtari im i sotëm nuk i ka qejf majat e larta. Nga të 25 napolonat që merr rregullisht dy tre ditë përpara se të mbarojë muaji, 10 napolona flori i vë mënjanë. Ka të lëshuara me fais nja 800 të kuqe. Pas disa vjetësh bën hesap të dalë në pension me rrogë të plotë, mbasi i ka përgatitur të gjitha formalitetet simbas ligjës përkatëse. Një djalë e ka me bursë. Sa po t’i kthehet, do t’i gjejë me anë të miqve ndonjë punë në ministri, makar dhe me rrogë të vogël, vetëm të jetë në ministri, se pse dalë nga dalë, prapë dhe gjithnjë me anë të miqve do të rritet dhe do të bëjë karierë. Me kohë do t’i gjejë dhe një nuse terbielleshë, që të ketë dhe pak mall.
Në këtë mënyrë po pregatit mëshehuraz në trutë e tij planet e jetës shoku që kam sot në automobil.
***
Automobili po ikën ngadalë, ashtu sikundër e ka porositur plaku shoferin dhe mua, që zakonisht nuk më pëlqen ngadalësia, për çudi sot nuk më bën aspak nervoz. E shikoj plakun një copë herë poshtë e përpjetë dhe kam përshtypjen e sigurtë dhe të plotë se pranë meje ndodhet tipi klasik i mehmurit të Perandorisë Turke. Për një çast nuk e urrej. Tek një njeri që ka jetuar 55 vjet si kudo, ka diçka që e bën të interesantshëm. Sa për mundësinë e tij, justifikimin mundohem ta gjej te koha dhe në edukatën që ka marë.
“Po Zotrote harron, – i thashë, – që kohët kanë ndryshuar shumë… Jeta e sotme ka për princip dinamizmin, shpejtësinë dhe guximin. Nuk mund të vemi kundra rrymës së shekullit në të cilën rrojmë. Kjo vihet re në çdo aktivitet të njeriut të sotëm, duke filluar që nga shoferi ose punëtori i thjeshtë dhe gjer te burri i shtetit ose te mendonjësi. Shqipëria nuk i përket më së shkuarës së errët. Na kemi vendosur të qytetërohemi dhe ta bëjmë Shqipërinë moderne. Në fund të fundit, na të rijve na pëlqen të nxituarit. Kjo mpreh dhe zgjuan fuqitë tona shpirtërore.”
Plaku bën buzën në gaz plot ironi, lëviz pak nga vendi dhe e shoh se po kërkon në trutë e tij një përgjigje të shkurtër për t’i dhënë fund një herë e mirë bisedës. Ky nuk më njeh mirë. Më di si gjaknxehtë, si revolucionar dhe si një që ka vendosur kot më kot të jetë kundra pleqve. E ndjej se nuk është i kënaqur prej shoqërisë sime. Hoqi cigaren nga cingarishtja e tij e qelibartë, e ujdisi në kutiçkën elegante dhe m’u kthye:
“Ju të rinjtë e sotëm pretendoni të dini shumë gjëra nga bota, jeta. Kjo është e keqja e djalërisë së sotme. Kërkon me dashje gjërat e rrezikshme; dehet me fjalët “modernizim” dhe “qytetërim” dhe kërkon që automobili të ecë me 100 km në orë, që punët të bëhen për një herë, që Shqiptari të bëhet Evropian në një vit. Po këto gjëra as që janë bërë, as që do të bëhem ndonjëherë kështu. Punët e mira dhe të sigurta bëhen ngadalë dhe me kohë. Po ç’dobi ka në do vemi dy sahat më vonë në Korçë? A po që të thyejmë zverkun në ndonjë hendek? Ju e merrni jetën si punën e lojës së futbollit!… E kini të nxehtë gjakun. Jeni të rij, kini hak. Po na pleqtë, që kemi jetuar dhe kemi parë shumë, dimë se ç’është e mirë dhe e keqe. E para gjë që u këshillojmë, është gjakftohtësia, durimi dhe ngadalësia. Modernizimin dhe qytetërimin do ta sjellë koha dhe jo të nxituarit e automobilit! Ju të rinjtë e Shqipërisë duhet të studioni librat dhe veprat e botës, por të mos deheni dhe të kujtoni se mund të zbatohen për një herësh dhe në Shqipëri. Shqipëria është shumë pas, e dimë dhe na, por vetëm me ngadalë dhe me kohë duke e organizuar dhe perfeksionuar administratën qeveritare, duke shtuar shkollat dhe duke bërë ligje që u përshtaten nevojave të vendit do të mundë të përparojë Shqipëria dhe të bëhet moderne, ashtu sikundër e dëshironi ju. Besoni në fjalët tona, na kemi eksperiencë të gjatë nga jeta dhe dimë se si bëhen punët. Na pleqtë e bëmë Shqipërinë, na po e qeverisëm prej kaq vitesh dhe po punojmë dhe sot që t’jua lëmë juve të organizuar dhe të rregulluar. Ju do të zini vendet tona nesër dhe do të punoni mbi themelet e punës sonë. Por ju jini gjaknxehtë dhe rebeloheni e silleni keq kundra nesh që sakrifikuam kaq gjëra për këtë çikë Shqipëri. A nuk është turp për të rinjtë që t’i quajmë pleqtë “rrecka të vjetra dhe plot sëmundë?”
Fjalët e fundit i foli me inat dhe përnjëherësh heshti. Me gjithkëtë shihet qartë në fytyrën e tij ajo kënaqësia e veçantë që pushton njerëzit kur fitojnë një çështëje, ose kur shohën se arsyetimi i tyre është i saktë dhe i llogjikshëm. Asnjë gjysëm minute s’ka kaluar dhe ja se si rrëmben prapë fjalën:
“Pa më thua, kush e bëri Shqipërinë? A nuk qe plak Ismail Beu? A nuk qemë na dhe shokët tanë Shqiptarë të asaj kohe? A nuk janë dhe sot e gjithë ditën burrat e vjetër në krye të zyrave të larta shoqërore? Ku janë këta djemtë e rij që do të na zëvendësojnë? Por dhe sikur të ketë disa djem të kënduar, a ta merr mendja se ata mund të bëjnë ato punë dhe të mbajnë atë rregull që mbajmë ne? A nuk e mban mënd në 1924, kur erdhën djemtë e “Bashkimit” në Tiranë? A mund të ketë rezilet më të madh se sjellja e tyre? A në atë mënyrë mbahet dhe rregullohet shteti? Ti je i arësyeshëm dhe ndonëse je kundra pleqve, të kam dashur gjithmonë, por mos u bën axhami dhe ti. Duhet të jesh i bindur se, po të mos jemi na nëpunësit e vjetër, s’mbahet dot shteti më këmbë. Na po bëjmë të gjitha organizimet. Na i kemi bërë të gjitha ligjet dhe rregulloret. Unë nuk them se punët e Shqipërisë janë fare mirë sot, po them se më mirë nga kaq s’mund të venë. Pa shih sa përparime kemi bërë në 10 vjet? Pallate, rrugë, shkolla, spitale, kazermë, a pak u duken juve? Po qetësia? Ah! Po jini të rij e nuk dini të çmoni mirë. Në rrofshim, mbas nja 10 vjetësh do të piqemi prapë bashkë dhe do të më japësh hakë mua…”
Kështu foli i vjetëri. Më ra pak në sup duke qeshur dhe hodhi vështërimin jashtë dritores për të çlodhur mëndjen e tij. U bind se mbas gjithë atij arësyetimi biseda kish marë fund dhe që unë s’mund të kesh më asnjë fjalë për të thënë.
Unë po mendoja se sa është e pamundur të merren vesh dy njerëz me mentalitete të kundërta. Më vinte inat kur mendoja fjalët e tij “ne e bëmë Shqipërinë”. Më vinte inat që dënonte si të pazonjë tërë djelmërinë, sepse një grusht kalamaj në 1924 u hoq nga hunda në vepra qesharake nga politikanët e kohës. Çuditesha më fjalët e tija “pa ne s’mbahet shteti”, kurse unë jam i bindur se Shqipëria do të mund të jetojë dhe të përparojë kur të mos ketë kaq pleq në krye të punëve. Ndërsa unë isha i humbur në këto mejtime, plaku më kthehet prapë dhe duke qeshur më thotë:
“Ç’mendon, z. Borealis, idealizimet tuaja nëpër gazeta janë sigurisht gjëra të bukura! Duhet t’i përhapni në brezin e ri, që kështu ta duan Atdheun dhe shtetin. Po mbani vesh dhe ne pleqtë, që kemi parë qiellin më përpara. Me ngadalë, me urtësi dhe me durim do të përparojë dhe Shqipëria si gjithë bota.”
Tashti nuk më durohet më. Fillova duke i thënë se ne nuk i urrejmë pleqtë sepse janë të vjetër nga mosha. Ne urrejmë njerëzit e plakur nga shpirti dhe nuk është faji ynë, në qoftë se shumica e tyre gjëndet në mes të njerëzve të vjetër nga mosha. Në këtë mënyrë Ismail Beu dhe ata pakë shqiptarë të Rilindjes për ne janë simbole të madhërisë, të fuqisë dhe të guximit. I shpjegova me urtësi çështëjen e kohës dhe pse duhet të nxitojmë. I solla shëmbull Turqinë e re, e cila brënda 10 vjetëve ka bërë përparime të habitshme, vetëm sepse një grusht njerëz vendosnë të ecijnë 100 km në orë në udhën e qytetërimit dhe mbrapa qerres së tyre lidhnë tërë popullin turk. I thashë se administrata e shtetit nuk konsiston në të shpërndarit e qarkoreve nga zyrat luksoze të administratorëve. Ligjet, edhe sikur të jenë me të vërtetë të mira, nuk mjaftojnë, ashtu siç nuk mjafton për arësimin bërja e disa godinave shkollore. Mbrapa këtyre gjërave duhen Njerëzit me vullnet, me kokë dhe me zemër. I provova se gjer sot jo që nuk kemi rritur të tillë në Shqipëri, por jemi munduar t’i shtypëm edhe kur mbijnë vetiu.
Më kot vete e tërë dialektika ime. Të gjitha ç’them unë janë përralla fantastike për plakun që kam pranë. Ky nuk është i pregatitur të arsyetojë me mua. Ky do të më bindë ose të më heshtë në çdo mënyrë. Po unë as hesht, as pushoj! Përkundrazi, ngrë pak zërin dhe i flas më me siguri këtë herë, kur i vjetëri po më vëren me kujdes dhe me drojë:
“Ju nuk e njihni popullin shqiptar dhe prandaj dhe as që mund ta dashuroni. Ju nuk i vini dhe s’mundeni t’i vini drejt për së drejti popullit tonë. Kini 30 vjet që shërbeni çdo mbretëri, që na ka zaptuar dhe populli është i sigurtë se tërë halli juaj qëndron tek rroga dhe tek simpatia e të mëdhenjve. Gjithë arti juaj qëndron tek “idare i masllahati” dhe tek mbajtja e qetësisë. Tëre jetën e kini shkuar në këtë mënyrë. Ju nuk dini ç’do me thënë konstruksion lëndor dhe moral i një kombi. Ju nuk mund të dini se ç’është shpirti i kohës së sotme dhe ç’do me thënë themelim i një shteti. Për ju populli nuk është tjetër veç se një turmë, që duhet sunduar dhe mjelur. A nuk shihni se shqiptari sot e gjithë ditën, si në kohët e vjetra, nuk ndihet zot i vendit? Ai ka përshtypjen se sundohet, kurse duhej të qeverisej. Ka një ndryshim të madh midis këtyre dy fjalëve. Ju dini vetëm të parën, populli ynë i di të dyja. Shqipëria i duket një fjalë boshe, që dëgjohet vetëm nëpër festat zhurmë-mëdha. A nuk e shihni se katundari druhet të vejë në komunë, sepse i ngatërrohet lëmshi nëpër burokracinë e zotërisë suaj dhe heq dreqën, sa të dalë prapë jashtë? A kësaj i thoni zotëria Juaj qeverisje dhe organizim? Në këtë mënyrë do të qytetërohet shqiptari dhe Shqipëria? Edhe sikur t’a pranojmë që kini bërë dhe ju ndonjë gjë për bërjen e Shqipërisë, a nuk është e vërtetë si dita e diellit se ju po prishni shqiptarët? Për këto shkaqe jemi dhe do të jemi kundra jush. Gjersa nuk do të bëjmë që shqiptari të ndihet zot i lirë në këtë vënd, s’kemi bërë Shqipëri. Gjithë organizimi juaj shëmbëllen me atë rastin e tmerrshëm kur një grusht njerëz zaptojnë një popull dhe i rrinë në grykë. Shqiptari duhet ta dojë zyrtarin e tij dhe jo t’i ketë frikë. Ai duhet të ketë bindjen se qeveria ekziston prej tij, për hir të tij dhe për të mirën e tij. Ky është misioni historik i kësaj periode dhe i njerëzve të sotëm. Po këto gjëra nuk mund t’i realizoni ju. Djalëria, që ka zemër dhe energji, vetëm djalëria di gjuhën dhe ndjenjat e popullit tonë. Ajo është e zonja të jetojë dhe të vuaj me katundarin. Ajo, dhe jo ju, di çdo me thënë përkushtim për një dashuri, për një ideal. Ajo do të mundë të heqë në udhën e ndritshme të qytetërimit këtë popull të mjeruar. Dhe të betohem se populli e dashuron dhe e beson djalërinë, aq sa ju urren dhe ka frikë dhelpëritë tuaja.”
Plaku qe tronditur pakëz nga energjia e fjalës sime.
“… Zotnia jote e more pak me të nxehtë fjalën, më thotë, nuk bën kështu! Ne fjalosemi për të shkuarën, sepse këto punë nuk na përkasin, as janë në duar tona dhe as na pyet njeri se si do të venë e si do të rregullohen punët e shtetit dhe të Shqipërisë. Mbasandaj si nëpunës nuk mund të merrem me politikë.”
Kur mbaroi këto fjalë, e urrejta pa masë. Tashti e besoj plotësisht se paskam pasur të bëj me kufomën e një shpirti të vdekur me kohë. Një njeri që s’ndihet pjesëtar i asaj gjëje që i themi Atdhe. Një njeri që, që në brendësirën e tij mbretëron një ftohtësi e hidhur dhe e tmerrshme. Më humbi tërë shija e bisedës dhe për t’i dhënë të goditurën e fundit i thom:
“Midis nesh s’mund të ketë asnjë marëveshje; jemi dy elementë që ekskludojmë njëri tjetrin. Ju vini nga Lindja, ne nga Perëndimi. Ju jini një vaj i trubullt i kohëve, ne jemi ujët e freskët dhe i kristaltë i gurrave shqiptare. Për juve shteti është arka, për ne është një shpirt, një ideal. Për ju venë mbarë punët kur mbahet rregulli dhe qetësia, kur mblidhen taksat dhe kur shtohet rroga; për ne do të venë punët mbarë kur të kemi zhvilluar dhe qytetëruar shqiptarin gjer në atë shkallë sa të jetë i zoti populli ynë të përkthejë në realitet tërë forcat e shpirtit të tij vigan…
… Neise, ju vazhdoni të mbani kolltukët që kini, vazhdoni të na mbyllni gojën dhe të na lidhni duart me mënyrat tuaja: me një mënyrë ose me një tjetër do t’u duhet të dilni më një anë dhe të bëheni sehirxhinj. Zotrote do ta dish kuptimin e një fjalë të vjetër: Mane, thecel, phares…”
*** Hymë në Korçë, zbritmë nga vetura, njëri nga porta e djathtë e veturës, tjetri nga e mëngjëra. Që të dy dëgjojmë një zhurmë tronditëse dhe para nesh shohëm një turmë të madhe njerëzish, që po duartrokit nxehtësisht. Populli i Korçës brohorit batalionin paraushtarak, që po marshon krenarisht duke kënduar himnin e Zogut.
Kurrë ndonjëherë tjetër s’më është dhënë një “tungjatjeta” e ftohët si kjo që më dha ky shoku i udhës. Kurrë ndonjëherë s’kam qënë më i gëzuar të ndahem nga një shok si ky.
“Minerva”, 10 mars 1933