Lëvizja\UÇK

Ismet Jonuzi – Krosi: Heroi i Çështjes Shqiptare Zaim Beqiri (1947 – 2013)

“Sot më i moshuar në moshë, besoj se edhe si në rini, gjuha e shpirtit tim ka tri parime: Gjaku, Gjuha, Gjeografia.

Them kështu sipas asaj që sot u jetësua mes nesh. Ndaj, kurrë në jetë nuk e kam menduar se edhe shokët e mi të idealit do të pajtoheshin me atë që kemi fituar. Pra, lirinë e cunguar, atdheun e rrudhur, kufijtë mes e përmes tokës që ka një emër, Shqipëri” (Zaim Beqiri)

/MATERIAL I SHKËPUTUR NGA MR. SC. ISMET JONUZI-KROSI: “QËNDRESA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVINË TITISTE” (1944-1990), Shtypshkronja “Lumagrafik” Tetovë, 2018, fq. 381/
Zaim Beqiri, lindi në vitin 1947, në malësinë e Tetovës, në fshatin Shqipkovicë.
I arsimuar i rrallë për kohën që numroheshin me gishta. Kishte të kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike. Ishte arsimtar i diplomuar i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ishte arsimtar, edukator dhe pedagog i dalluar, i cili nxori kuadro te përgatitura mirë dhe të edukuar në frymën kombëtare, ngase mbi të gjitha dhe parasëgjithash vet ishte i tillë, i nderuar dhe i rrespektuar, i përgatitur, i përvuajtur, i fortë, i qëndrueshëm dhe i pa thyer, sidomos nëpër izolimet dhe vetmit e qelive të errëta të kazamatëve ish-jugosllave.
Zaim Beqiri, ishte model për gjeneratat e reja, ishte model i të ecurit drejt, ishte model i konsekuencës, sakrificës dhe atdhedashurisë. Ai ishte model dhe krenaria e të gjithë të burgosurve politik. Me qëndrimin stoik në burgjet sllave ai ngriti në majat e lartësive më të mëdha dinjitetin dhe krenarinë e të burgosurit politik.
Zaim Beqiri ishte një institucion për të mbajtur në mendje se si duhet të punohet dhe të luftohet për atdhe.
ZAIM BEQIRI TREGON PËR RRËNJËT E FAMIJES SE TIJ…
Shipkovica, vendlindja ime, nëpër shekuj ka përjetuar pushtete të ndryshme, Kam lindur në fshatin Shipkovicë të Tetovës. Dy vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, më 10.12. 1947 si fëmija i katërt i familjes sime në një varfëri të skajshme siç ishin edhe shumica dërmuese e familjeve shqiptare.
Siç e kam cekë edhe më lart, jam fëmija i katërt në familje nga nëna Hatixhe dhe babai Xhafer Beqiri. Duke u rritur fillova të dëgjoj, gjatë bisedave për ngjarje tragjike, për njerëz të shquar të fshatit, por ende nuk isha në gjendje t’i kuptoj gjërat deri sa do të ballafaqohet familja ime me UDB-në.
IDEALET E ATDHETARIT ZAIM BEQIRI
Sot më i moshuar në moshë, besoj se edhe si në rini, gjuha e shpirtit tim ka tri parime: Gjaku, Gjuha, Gjeografia
Them kështu sipas asaj që sot u jetësua mes nesh. Ndaj, kurrë në jetë nuk e kam menduar se edhe shokët e mi të idealit do të pajtoheshin me atë që kemi fituar. Pra, lirinë e cunguar, atdheun e rrudhur, kufijtë mes e përmes tokës që ka një emër, Shqipëri.
Nëse u hedhim një sy tri pikave të lartshënuara: gjaku, gjuha, gjeografia a nuk detyrohemi të mendojmë edhe më tutje të veprojmë se: brenda gjeografisë shqiptare flitet një gjuhë – gjuha shqipe, linden dhe rriten njerëz të një gjaku – shqiptarë.
Në ecje dua të theksoj se ç’është të jesh ai që duhet të jesh: shqiptar – atdhetar! Nëse si zakonisht parapëlqejmë fjalën patriot, si njeri që di dhe vepron shqiptarçe atëherë sipas mendimit tim patriotizmin duhet kuptuar si e vetmja gjuhë që: është ndjenjë komplekse subjektive dhe orientim me vlerë, i cili përfshin ndjenjat e dashurisë ndaj atdheut, armiqësisë ndaj të gjithë atyre që përpiqen ta rrezikojnë atdheun dhe gatishmërinë e vendosur për ta mbrojtur vendin e dashur a shtetin si një nga vlerat sublime.
PARIMI KOMBËTAR DHE ZAIM BEQIRI!
Personalisht besoj se para së gjithash duhet sqaruar se çfarë do të thotë realisht parimi kombëtar! Kjo fjalë me një koncept krejt të qartë në vetvete përdoret me një inflacion të panevojshëm midis nesh dhe nga ne dhe kudo duke përcjell edhe konfuzion.
Padyshim që një gjë e tillë tregon se edhe karshi këtij fenomeni nuk jemi racional! Koncepti i Parimit Kombëtar rrjedh nga koncepti i vetë fjalës Patriotizëm – Patria-s ose Atdheut dhe, mund të për kthehet dhe përdoret më thjesht edhe në shqip si Atdhedashuri – parim ndaj atdhedashurisë- kombit si natyrë e vetme që ka atdheu.
Kjo do të bënte që të gjithë ne të dimë ta respektojmë më shumë këtë fenomen nacional-kulturor për të cilin ka nevojë çdo shtet – komb. Besoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ky binom fjalë-koncept shfaqet me një inflacion të pashembullt si në shtypin e shkruar edhe në ekranet tona të shumtë, e në veçanti mes atyre që e kanë epitetin politikan, ata që thirren na atdhedashuri, patriotizëm, kombëtarizim, shpëtimtarë të kombit e atdheut.
Por, si një njeri që atdheun e dua ashtu siç i ka hije, nga ajo që dëgjoj nga politikanët në fjalë lirshëm mund të them atë që e ka shkruar një shkrimtarë anglez, emri i të cilit për momentin nuk më kujtohet, i cili thotë se: “Shtrofulla e fundit e politikanit kodosh është patriotizmi”! Duke i dëgjuar ata që u cekën më lartë si dhe duke i shikuar sot shokët e mi të idealit, jam i mendimit të them se: kombi ynë – shteti ynë -atdheu ynë – Shqipëria, sot, ka më shumë nevojë se të tjerët për Atdhetarë, njërëz të cilët nuk janë emocional dhe partiak, por racional dhe të vullnetshëm për të ndihmuar funksionimin më të mirë të institucione shtetërore të cilat janë ndërtuar në favor të të gjithë shtetasve! Njërëz që Shqipërinë e shohin të bashkuar e jo pikë e pesë. Dhe, personalisht jam i bindur se fillimisht për të arritur aty ku nevojitet, së pari duhet nisur me bojkotimin e fjalëve të huazuara patriotizëm dhe patriot dhe të përdorim vetëm fjalët shqipe: atdhedashuri dhe atdhetarë për të qenë të mirëkuptuar deri nga shtetari i fundit i cili mund të jetojë në Konicë, Manastir, Preshevë, Tregu i Ri, Tivar, Vermosh apo Durrës etj. Kështu do të mund të fillonim të kuptonim të gjithë se Atdheun nuk duhet konceptuar në mënyrë abstrakte, por ka arsyet e veta, të cilat të bëjnë i duash, respektosh dhe ndihmosh atë për aq sa mundesh dhe me çka mundesh.
Ndërroi jetë më 9 mars 2013.
*(Dëshmi nga i ndjeri Zaim Beqiri)
LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË ZAIM BEQIRIT!