Portreti/intervista

INTERVISTA me Servet Pëllumbin: Ku jemi 30 vjet pas? Kush dhe çfarë e ka shkatërruar vendin pas ’90-s?

Nga Xhevdet Shehu

Profesor Servet Pëllumbi, edhe pse i tërhequr nga politika aktive, e ndjek me vëmendje skenën e politikës shqiptare dhe nuk ngurron të japë mendimin e tij, sugjerimet dhe alternativat për të ecur përpara. Kështu ndodh dhe në këtë intervistë (e cila është pjesë integrale e librit të këtij autori, “Midis realitetit dhe imagjinatës” botuar katër muaj më parë). E risjellim për lexuesit e DITA-s për koherencën e saj.

Ai, Servet Pëllumbi, bën skanerin e zhvillimeve të 30 viteve të fundit dhe shpesh tregohet i pamëshirshëm dhe mjaft kritikues. Ai arrin në konkluzione të tilla si: Vazhdon të na mungojë “diçka” thelbësore: vullneti politik për zbatimin e ligjeve, ndërgjegjja juridike e barazisë para ligjit, që kanë instaluar pandëshkueshmërinë dhe një pushtet gjyqësor të korruptuar keqas. Kjo realisht na distancon ndjeshëm nga shoqëria demokratike perëndimore. Le të shpresojmë tek transformimi i thellë që pritet të sjellë reforma e fundit në drejtësi dhe pastrimi përmes Vetingut nga korrupsioni, të korruptuarit dhe të pa aftët në sistemin e drejtësisë. Vazhdoftë një pastrim i tillë edhe në politikë!

Më tej ai flet për liderët politikë të këtyre viteve të gjata të tranzicionit dhe i ironizon ata. Ai thotë: Liderët si rregull, nuk shkruajnë e as lexojnë gjë tjetër përpos prononcimeve, mesazheve dhe batutave, sharjeve e fyerjeve për njëri-tjetrin në Facebook, apo Twiter! Duket iu intereson më tepër “kaosi dhe mjegullnaja”!

– Profesor, një vit më parë u shënua 30 vjetori i shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithsecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju kujtohet, cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë mbi ngjarjet që po shpaloseshin me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Europën dhe Lindjen me Perëndimin?

-Po, rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, ishte një moment historik që u hapi rrugën revolucioneve demokratike në vendet e Europës qendrore dhe lindore, përfshi dhe Bashkimin Sovjetik, ngjarje që me të drejtë u quajtën “Pranvera e popujve” për analogji me pranverën e 150 vjetëve më parë, me revolucionet e 1848-51 në Europë. Është thënë në raste përvjetorësh të rënies së “Murit të Berlinit”, se kjo “shënoi fillimin e krisjes së Komunizmit në Europë”!

Në të vërtetë, bëhej fjalë për një proces, madje, për një lloj përmbylljeje të tij dhe jo thjesht për një “krisje” të komunizmit. Në atë kohë unë isha pedagog i filozofisë në Universitetin e Tiranës dhe bashkë me shumë studentë, sidomos të Degës së filozofisë, e përjetuam si një ngjarje që pritej të kishte ndikim të drejtpërdrejtë edhe tek ne. Më kujtohet, që të nesërmen në orët e seminarit të Sociologjisë, u diskutua kryesisht për këtë ngjarje. Azem Hajdari, lideri i ardhshëm “Lëvizjes studentore”, student i këtij grupi mësimor, u tregua shumë i interesuar dhe aktiv në debat.

Faqja e parë, DITA

– Po, shembja e Murit të Berlinit, mijëra

 km larg Shqipërisë, ç’ndikim të drejtpërdrejtë pati në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

– Pa dyshim. Edhe pse Shqipëria ishte e izoluar dhe në atë kohë ndaloheshin deri dhe antenat televizive, njerëzit me “kapaçkat”, siç u thoshin antenave të improvizuara, shihnin gati rregullisht RAI –Uno, RAI-Due, Rete Quatro,TV Beogradin, TV Titogradin, apo dëgjonin “Zërin e Amerikës”, pra e “çanin rrethimin” secili në mënyrën e vet dhe përgjithësisht ishin të informuar, sidomos për ngjarje të tilla epokale si “Rënia e Murit të Berlinit”!

– Ka patur, profesor, shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-s. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Europës Lindore. Edhe rrugëtimi historik dhe politik i Shqipërisë ka qenë disi i pazakontë (për të thënë më të paktën). Ju vetë profesor, keni patur një rol domethënës në zhvillimet politike, sidomos në vitet ’90. Sot, kur ktheni kokën pas, si e shikoni këtë rrugëtim të Shqipërisë?

-Vërtet ka pasur shumë kritika, zhgënjime, madje humbje besimi, që tek ne shpesh sintetizoheshin me shprehjet: “Shqipëria nuk bëhet”! “Nuk shihet dritë në fund të tunelit tranzicion”etj. Unë personalisht, që si njeri i politikës aktive për gati dy dekada, që ndiej edhe një lloj përgjegjësie për mangësitë dhe zik-zaket e proceseve demokratike, nuk do të isha dakord plotësisht me shprehje kaq pesimiste. Shqipëria “është e bërë” dhe tranzicioni, si koncept me një përmbajtje të caktuar politike, sipas mendimit tim, ka përfunduar me miratimin e kushtetutës të vitit 1998.

Pas kësaj nuk kishte më socializëm në Shqipëri dhe u adoptuan ligjet ekonomike të tregut, u sanksionuan prona private, liritë dhe të drejtat e njeriut, ndarja e pushteteve, rotacioni i pushtetit mbi bazën e votës së lirë etj. Ecja e mëtejshme pas kësaj do të bëhej mbi këtë shtrat, prandaj lëvizja dhe zhvilimi i mëtejshëm nuk ishin më tranzicion i kalimit nga një sistem në tjetrin, pra nga socializmi në kapitalizëm. Defektet në secilën prej këtyre fushave dhe fakti që demokracia tek ne vazhdon të jetë hibride dhe zhvillimi ekonomik i ngadaltë dhe pa ndonjë model konsensual të ekonomisë së tregut, nuk duhen parë si tregues i vazhdimit pa fund të tranzicionit politik, por si përgjegjësi e politikës dhe e politikanëve. As pakënaqësitë dhe zhgënjimet e qytetarëve ndaj politikës dhe politikanëve për modelin,  nivelin dhe ritmet e zhvilimit të Shqipërisë dhe as fakti që shumë njerëz nuk dinë ç’të bëjnë me lirinë e tyre, nuk mund të jenë kritere të “tranzicionit të pa përfunduar”.

Paqartësia teorike për këtë çështje, fatkeqësisht, vazhdon të prodhojë një luftë politike shterpë midis poitikanëve të të gjitha krahëve. M.Candesy, ish- shefi i FMN-së, në një takim me kryeministrat e disa vendeve ish-socialiste, me të drejtë do t’u sugjeronte:“Nuk kemi asnjë teori tranzicioni dhe asnjë libër se çfarë duhet të bëjmë në këtë periudhë. Mendojeni veten si aktorë, autorë, regjisorë të një vepre që quhet tranzicion”.Vështirë të thuhet se u veprua sipas kësaj këshille miqësore.

Gjithsesi, them në mënyrë kritike dhe autokritike, se mendimi politologjik e sociologjik shqiptar ende nuk po e thotë fjalën e vet për shumë aspekte të tranzicionit post-komunist, për të njohur e zgjidhur kundërshtitë e demokracisë si proces, për të përcaktuar qëllime të qarta strategjike për stadin në të cilin ndodhemi dhe ku duhet të shkojmë në të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë. Për pasojë, fatkeqësisht, vazhdon një varfëri ideore dhe konfuzion i zgjatur lidhur me nevojën e dallimit të modelit normativ të demokracisë dhe të formës reale të saj në një stad të dhënë.

Për ta  konkretizuar idenë, mjafton t’i referohesh deklarimeve  të disa prej “liderëve” të partive kryesore politike, majtas e djathtas, që dobësitë e tyre subjektive, apo të qeverive që kanë zëvendësuar njëra tjatrën, vazhdojnë t’ia faturojnë njëri-tjetrit dhe “tunelit tranzicion”, pa arritur që të dialogojnë seriozisht dhe të punojnë së bashku për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ndërkaq, liderët si rregull, nuk shkruajnë e as lexojnë gjë tjetër përpos prononcimeve, mesazheve dhe batutave, sharjeve e fyerjeve për njëri-tjetrin në Facebook, apo Tëiter! Duket iu intereson më tepër “kaosi dhe mjegullnaja”!

– Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me 30 vite. A mund të kujtoni se si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit tashmë të largët 1989?

– Për të qenë i sinqertë me veten dhe me ju që më pyesni, unë nuk kam qenë dhe aq optimist, sepse pata dëgjuar një ekonomist të shquar gjerman, i cili në një bisedë me disa studiues të ish vendeve socialiste që tregoheshin euforikë, u tha: Dakord, duhet edhe entuziazmi, por mbani parasysh se nuk ka gjë më të vështirë sesa ndërrimi i sistemeve…! Kuptohet, isha i bindur për rrugën e reformave të ekonomisë së tregut dhe mendoja se brenda 15-20 vjetëve Shqipëria do të kishte një shoqëri demokratike e tipit perëndimor, e gatshme për t’u integruar në Bashkimin Europian. Tani them, se paskam qenë euforik, sepse këtë nuk e kemi arritur as pas tre dekadash!

Megjithatë, pas tre dekadash nga “Lëvizja e dhjetorit 1989” shumë gjëra kanë ndryshuar në favor të demokracisë, prandaj them, se është në kufijtë e absurditetit opinion i akademikut A. Fuga, sipas të cilit: “Shqipëria sot, sikurse më rezulton te libri im SHOQËRIA  PIRAMIDALE, është  me dhjetëra kilometra përtej autoritarizmit, është tirani! Thjesht fare. Diagnostikim sipas parametrave shkencorë”! (A.Fuga, “Shqipëria është tirani”. Gazeta Telegraf, 25 janar 2020). Mbetet për t’i kërkuar akademikut të përcaktojë “shkencërisht” edhe se ç’lloj tiranie është kjo e sotmja dhe ç’duhet bërë me të!

– Është thënë, profesor, se vendet e Europës hynë në periudhën post-komuniste duke zgjedhur qasje të ndryshme. Ato shtete që zgjodhën një qasje radikale ndaj tranzicionit – një lloj “big bang”u – e përfunduan më shpejt këtë proces (si Republika Çeke, Polonia, apo dhe Sllovakia), ndërkohë që shtetet e tjera që e “humbën vrullin” dhe zgjodhën një qasje më graduale (Hungaria, Sllovenia…) mbetën më mbrapa. Sipas këndvështrimit tuaj, cilën qasje zgjodhi Shqipëria. Dhe, a ishte e duhura?

-Është fakt që relativisht më lehtë e patën shkëputjen nga “traditat komuniste” Polonia, Çekia e Sllovakia, si ish pjesë e shtetit të Çekosllovakisë, sepse në këto vende pati përvoja të lëvizjeve demokratike. Në Poloni, bie fjala, ndikim pati veprimtaria e Solidarnostit, sindikata e parë e pavarur në bllokun lindor e drejtuar nga Les Valesa. Solidarnosti nisi të veprojë legalisht që nga viti 1981, kurse në vitin 1988 pas një greve në nivel kombëtar, detyroi Jaruzelskin të ulet në tavolinën e bisedimeve. Më 9 mars 1989 u arrit marrëveshja për reformën parlamentare dhe parlamenti u bë bi- partiak; në qershor 1989, pas zgjedhjeve parlamentare, u formua qeveria e parë jo komuniste me një program solid reformash. Les Valesa u zgjodh president!

Një proces i tillë i përshpejtuar ndodhi edhe në Çekosllovaki, që vinte nga një përvojë unikale si ajo e Pranverës së Pragës (1968). Kështu, më 17 nëntor 1989 nisën mitingjet masive të studentëve që u shoqëruan me përleshje me policinë, kurse pas tre ditësh, më 20 nëntor, numri i demonstruesve arriti deri në gjysmë milioni; pas një jave, më 28 nëntor, Partia komuniste e Çekosllovakisë shpalli heqjen dorë nga monopoli mbi pushtetin; më 10 dhjetor presidenti Husak pranoj qeverinë e parë jo komuniste dhe dha dorëheqjen; më 28 dhjetor A. Dubçek, lider i “Pranverës së Pragës”, u zgjodh kryetar i parlamentit Federal; një ditë më pas, më 29 dhjetor Vaclav Havel, dramaturg dhe disident i njohur, u zgjodh në  postin e Presidentit të vendit. Pra, gjithçka ndodhi gati brenda 40 ditëve! Megjithatë, duhet nënvizuar se lëvizjet studentore, si kudo edhe tek ne, patën ndikim thelbësor, por komunizmin e rrëzuan në radhë të parë vetë “komunistët”!

Të vijmë tek përvoja shqiptare. Në kohën që vendet ish socialiste të Europës qendrore dhe lindore, përfshi dhe BS, “zienin” në vorbullën e revolucioneve demokratike, Shqipëria  vazhdonte të qëndronte plotësisht e izoluar dhe të zhytej të krizën e vet të përgjithshme duke u “ngushëlluar” me sloganin ramizist: “Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim ,prandaj do të vazhdojë të mbrojë socializmin  me forcat e veta”! Pas gati dy vjetësh zvarritjeje R. Alia do të deklaronte, jo pa mburrje: “Bëra aq sa munda për të evituar gjakderdhjen dhe përmbysjen e çdo gjëje në emër të një antikomunizmi primitiv…”! (Për më hollësisht shih librin: “Përmbysja e komunizmit”, 2015)

Ndërkaq, edhe pas Lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, zvarritjet ndryshuan vetëm formën. Vërtet, u lejua nën presionin e Lëvizjes studentore që pati mbështetje të gjerë popullore, pluralizmi politik dhe krijimi i partive të tjera politike, por R. Alia u përpoq që gjithçka të ishte nën kontrollin e tij dhe të PPSH-së. Nga dhjetori deri në mars 1991 u krijuan rreth 17 parti politike, një pjesë e të cilave në sallën 80 të godinës së Komitetit Qendror të PPSH-së! Edhe “eksodi i ambasadave”, fundi qershorit- fillimi i korrikut 1991, u përdor si “valvul shkarkuese” nga të rinjtë e pakënaqur nga regjimi socialist, sepse vazhdonte iluzioni i vazhdimit të “socializmit shqiptar”që përsëri etiketohej “si kala në brigjet e Adriatikut”!

Të gjitha këto bënë që kriza të thellohej dhe të mendohej, se komunizmi në Shqipëri “ka rrënjë të thella”. Edhe pse askush nuk e dinte dhe nuk e tha sa të thella ishin…! Megjithatë, u përdor si“ “argument”, që në Shqipëri duhej shkatërruar gjithçka. Promotor i një zgjidhjeje të tillë u bë Partia demokratike, që fitoi pushtetin me zgjedhjet e 22 marsit  1992. Mjeti që u përdor: “Çeku i bardhë” dhe sindikatat e pavarura. Për pasojë në vend të reformave rigjeneruese, u zgjodh rruga e 80 përqindëshit, që u paguhej punëtorëve pa punuar. Ndërmarrje të tëra industriale u mbyllën si “jo rentabile” të shoqëruara me një lloj “lëvizjeje ludiste”, që i hapi rrugën shkatërrimit të industrisë së vendit dhe shitjes së makinerive për skrap!

Nuk u kursyen as vepra të tilla si Uzina e traktorëve në Tiranë, Uzinat e precizionit dhe stampave në Korçë, Uzina e telave të bakrit në Shkodër, metalurgjia e bakrit në Rubik e Laç, Azotiku i Fierit, plantacionet e agrumeve në bregdet  etj,etj. Ndërsa në Poloni, Çekosllvaki e gjetkë filloi të adoptohej “Shok terapia” për çmontimin e ekonomisë së komanduar dhe kalimin në ekonominë e tregut, por me theksin tek terapia, tek ne edhe pse flitej për “Shok terapinë”, theksi u vu tek Shok-u, pra tek shkatërrimi i pa shoqëruar nga terapia.

Si mbështetje “teorike” për këtë u përdor varianti i keq i Shok terapisë i ekonomistëve të Harvardit, (Xheffri Saks dhe Anders Aslund), që nuk kishte asgjë të përbashkët me synimin për të krijuar një ekonomi më progresive dhe më rentabile. Sipas tyre mjaftonte ndryshimi i shpejtë i formës së pronës “komuniste” dhe menjëherë vjen kapitalizmi triumfues dhe investimet e huaja! Pasojat ishin katastrofike dhe vështirë t’i numërosh. Gjithkush në Shqipëri, por edhe turistët e huaj, që po shtohen nga viti në vit, mund të shohin e të fotografojnë mbeturina të rrënojave të shumta të kësaj batërdie!

Rrugë shkatërruese u ndoq edhe në procesin e privatizimit. Ndërsa në Poloni, Çeki, ish-Republika Demokratike Gjermane privatizimi synonte bërjen rentabile të ekonomisë duke ua dhënë me çmim simbolik, apo dhe pa pagesë, atyre që paraqisnin plan-biznesin më të mirë, tek ne u mjaftua vetëm me ndërrimin e pronarit, proces që drejtohej nga bordet e privatizimit, në të cilët bënin pjesë deri dhe shefa policie! Mjaftonte që shteti të zhvishej nga mjetet e prodhimit dhe objektivi quhej i realizuar! Kalimi në ekonominë e tregut u bë kështu pa zgjedhur asnjë nga modelet e njohura në Perëndim, por duke u zvarritur drejt “kapitalizmit të egër”e pa rregulla!

Përgjegjësi e rëndë për klasën politike dhe qeveritarët e fillimit të tranzicionit post-komunist! Mirëpo, strategjia e shkatërrimit të gjithçkaje u inkurajua edhe nga faktorë të jashtëm shoqëruar me “premtimet lumë’! Më pas u kalua tek parimi: “Ne nuk u japim peshk të gatshëm, por u mësojmë si ta zini vetë atë”! Veçse, as kjo nuk u arrit, sepse nuk njihnin “ujërat tona”! Ndërkohë, edhe pse teza enveriste: “Edhe bar do hamë ne shqiptarët, por parimet nuk i shkelim”, u shkri si kripa në ujë, “shkatërruesit tanë” as sot nuk kanë reflektuar dhe vazhdojnë të flasin për “rrezikun komunist në Shqipëri”!

– Megjithatë duket pozitiv fakti, që 93 % e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë Bashkimin Europian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proeuropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot tre dekada më vonë Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Ç’shkaqe e faktorë, mendoni, se kanë ndikuar që ta humbasim “trenin e integrimit”gjatë këtyre 30 vjetëve?

-Jam dakord me konstatimin tuaj. Shqiptarët, duke qënë një popull europian, që herët kanë qenë të lidhur me kombe të qytetëruara europiane dhe me SHBA, madje edhe ekzistencën e vet si shtet e kanë parë të lidhur me ndihmën dhe mbështetjen e tyre përballë lakmive të fqinjëve për copëtimin e trojeve shqiptare. Prandaj, shifra që përmendët ju, përfaqëson si mirënjohjen, ashtu dhe aspiratën e popullit tonë që e lidh të ardhmen e vet pa hezitim me Bashkimin Europian!

Lidhur me vonesat e njohura në procesin e integrimit. Qarkullojnë opinione dashakeqe, se Europa e Bashkuar vonon integrimin e Shqipërisë, sepse e sheh si shtet me shumicë myslimane! Në të vërtetë, faji për vonesat është kryesisht në fushën tonë, më saktë në atë të politikës shqiptare, që rrallë, shumë rrallë ka folur me një zë për integrimin, për të mos thënë se ka pasur edhe krijim situatash politike sabotuese. Më ka qëlluar, për shkak të detyrës, që në takime me personalitete të njohura të politikës europiane, të dëgjoj për disa nga drejtuesit e atëhershëm të Shqipërisë shprehjen: “vetëm nga disa politikanë të lartë shqiptarë kemi dëgjuar që të shajnë atdheun e tyre për të denigruar kundërshtarët politikë”! Është një fakt i trishtë që, fatkeqësisht, vazhdon edhe sot…!

Një moment tjetër. Që në fillimet e pluralizmit, por edhe tani në protestat e opozitës, vazhdon të brohoritet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Duke qenë parullë e drejtë, si shprehje e një dëshire, në thelb, ajo përmban rrezikun që integrimin ta presim të na i japin si lëmoshë, gjë që e bën atë të dëmshëm në radhë të parë për vetë ne shqiptarët. Kryesore është që “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, duke integruar në proces, këtu brenda vendit, faktorët ekonomikë, politikë, socialë e kulturorë që nuk mungojnë. Ky do të ishte integrimi real e me dinjtet, për të cilin duhet të punojmë të gjithë bashkë duke u ngritur mbi dallimet partiake dhe etjen për pushtet! Ndryshe, siç thoni ju në mënyrë figurative, do të vazhdojmë ta humbasim “trenin e integrimit” pa hipur asnjë herë në të!

-A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj- ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?

-Po e them copë që në fillim të përgjigjes në pyetjen tuaj: Jo, nuk ia ka dalë të ngrihet në lartësinë që kërkonte koha, madje niveli i saj politik, etik dhe profesional në vend që të ngrihej, ka ardhur duke rënë ndjeshëm gjatë tre dekadave. Kjo, sipas mendimit tim, ka ndodhur për dy arsye kryesore:

Së pari, nga që intelektualët e mirëfilltë nga radhët e profesorateve të Universiteteve apo shkollave të tjera të larta dhe Instituteve studimore, shumë të përkushtuar në fillimet e tranzicionit, u larguan të zhgënjyer nga politika hileqare dhe u distancuan, apo dhe u larguan nga lidershipet e partive politike që s’donin rivalë;

Së dyti, se skenën politike filluan ta dominojnë politikanë të tipit weberian, që rrojnë e pasurohen nga politika dhe jo ata që “rrojnë për politikën”.Politikanët e këtij tipi, që i hapën rrugën korrupsionit dhe u korruptuan sipas parimit:”shih rrushi rrushin e piqu” (!), e shndërruan politikën në pazar interesash, në lojë kalamajsh “kuka m’shefti”, në strategji të konflikteve destabilizuese dhe të“drejtimit përmes kaosit”.

Për rrjedhojë, humanizmi i premtuar perëndoj, drejtësia po ashtu, kurse pluralizmi politik erdhi duke u bërë fiktiv, me një shumësi partish jashtë çdo logjike sociale dhe politike. As në ditët e sotme nuk kemi një sistem politik demokratik të mirëfilltë, sepse partitë, majtas e djathtas, kanë filluar të ngjasojnë me një arqipelag ishujsh që “as japin  as marrin” me njëri tjetrin. Fundi është tragjik për vetë partitë, tradicionale, që sot ekzistojnë kryesisht si emra, me anëtarësi të lëshuar dhe me fanatikë të rralluar, që vazhdojnë të jetojnë me nostalgjinë e viteve të para të pluralizmit politik dhe që mbeten jashtë mënyrës elektronike të komunikimit nga “qendra”!

Nuk është herë e parë që jam kritik për këtë çështje, sepse e kam studiuar në vite dhe mendimet e propozimet e mia i kam shtjelluar hollësisht në librin “Pluralizmi i dytë” (2015). Që në titull kam dashur të theksoj, se pluralizmi i dikurshëm ka dështuar dhe se duhet një reformim i thellë e modernizim i sistemit politik për të kaluar në një pluralizëm të dytë, me vizion e ide të reja, me njerëz të rinj (jo vetëm si moshë), me politikanë me integritet, të emancipuar dhe me moral të lartë qytetar. Gjithsesi,partitë nuk modernizohen dhe as bëhen më vepruese vetëm nëpërmjet “postës elektronike” dhe aq më pak nëpërmjet premtimeve të tipit:”Na jepni votën, t’u japim botën”! Tek e fundit, komunikimi i gjallë dhe lidhjet shpirtërore mbeten “thembra e akilit” për çdo lloj partie politike.

– Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i ligjit. Sipas mendimit dhe përvojës tuaj profesor, a mund të themi se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar?

– Formalisht e kemi ndërtuar. Kemi një Kushtetutë të nivelit europian të përpunuar nga konstitucionalistët tanë më të mirë në bashkëpunim me Komisionin e Venecies dhe të miratuar në parlament dhe në një referendum popullor në vitin 1998. Kemi tashmë edhe një legjislacion të përafërt me atë të vendeve të BE-së që vazhdon të përsoset. E, megjithatë, nuk mund të themi se tashmë kemi një shtet ligjor funksional me një pushtet gjyqësor të pavarur.

Vazhdon të na mungojë “diçka” thelbësore: vullneti politik për zbatimin e ligjeve, ndërgjegjja juridike e barazisë para ligjit, që kanë instaluar pandëshkueshmërinë dhe një pushtet gjyqësor të korruptuar keqas. Kjo realisht na distancon ndjeshëm nga shoqëria demokratike perëndimore. Le të shpresojmë tek transformimi i thellë që pritet të sjellë reforma e fundit në drejtësi dhe pastrimi përmes Vetingut nga korrupsioni, të korruptuarit dhe të pa aftët në sistemin e drejtësisë. Vazhdoftë një pastrim i tillë edhe në politikë!

– Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto tre dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja…Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

-Eh! Sa mirë do të ishte sikur “të gjithë” të kishin nxjerrë mësime “nga gropat dhe pengesat e deri tashme”! Fatkeqësisht, kjo nuk mund të thuhet për politikanët tanë, sidomos të ditëve të sotme që, e ritheksoj, i përkasin tipit të politikanit që rron e pasurohet nga politika dhe jo tipit realist, të ndershëm e të përkushtuar, që rron për politikën dhe të ardhmen e atdheut të tij!

– Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë pas 30 vjetësh?

– Pas 30 vjetësh Shqipërinë e shoh si anëtare aktive të Bashkimit Europian. Veçse me dy kushte: së pari, vetëm në qoftë se BE do të arrijë të tejkalojë krizën e ideve, prirjet nacionaliste dizintegruese që po vijnë duke u rritur. Jo rastësisht Zhan Klod Junker, President i BE-së, para se të dorëzonte detyrën dha këtë mesazh për eurodeputetët dhe vendet anëtare të Bashkimit europian: “Kujdesuni për Europën, luftoni nacionalizmat idiote” (23 tetor, 2019); Së dyti, vetëm po të vazhdojë të zgjerojë gjeografinë dhe të thellojë integrimin për ta ngritur Bashkimin Europian nga bashkësi shtetesh në bashkësi popujsh. Ndryshe, mund të mos jetë më pas 30 vjetësh!

Ndërkaq, Europa nuk e ka të lehtë të ndryshojë, sepse elita europiane realisht është intelektualisht e bllokuar, nuk ka ide, mendim të ri politik, alternativa dhe strategji të studiuara e të peshuara mirë për të ardhmen. Pa folur për mangësitë e solidaritetit.

E huazuar nga gazeta “Dita”.