Komenti

Xhevat Gjini: VIT I MBRAPSHTË, JO VETËM PËR SHQIPTARËT!

Viti 2020 do të regjistrohet në kujtesën e shoqërisë njerëzore si VIT i MBRAPSHTË! Epitetin e vitit të mbrapshtë e mori kryesisht nga virusi korona, që si rrallëherë në historinë bashkëkohore e trembi njerëzimin, e shtrëngoi të marrë masa drastike dhe e bëri të ketë paragjykime e të përfshihet në lloj – lloj teorish konspirative! Shqiptarët bëjnë pjesë në grupin e popujve me përvojën e hidhur të viteve të mbrapshta e tragjike, por kësaj here nuk bënë përjashtim: me gjithë të tjerët! Ishte dhe është akoma një virus që ka prekur e po kërcënon botën. Është e qartë që popujt e vegjël e të varfër e ndjejnë dhe e pësojnë më shumë. Përveç pasojave në jetë njerëzish dhe pasojave shëndetësore popujt e vegjël do të “paguajnë” çmim të lartë edhe me pasojat në ekonominë e tyre.

Mbrapshtinë e vitit 2020 e bëri edhe më të mbrapshtë gara e çmendur e shteteve të fuqishme për pasuri, armë të sofistikuara, teknologji që transformojnë shoqërinë njerëzore, tundin themelet e saj dhe parimet mbi të cilat ishte ndërtuar dhe ka funksionuar deri tash. Gara e të mëdhenjve për kontrollin e botës ua ka vështirësuar si pak herë në histori jetën popujve dhe vendeve të pafuqishme. Shqelmat e të mëdhenjve po i hanë të vegjëlit. Egërsia, që karakterizon këtë garë të çmendur të ambicieve të pa fre për ta “administruar” botën, ka provokuar dhe shkaktuar (për hesapin e tyre) anekënd botës mosdurim, urrejtje, përplasje, konflikte e luftëra të përgjakshme! Dhuna, terrori, shkatërrimi masiv i shtëpive dhe pasurive, dëbimi dhe emigrimi i kushtëzuar nga dhuna e terrori aty-këtu kishte marrë veçori të dallueshme gjenocidi. Ekranet e televizorëve dhe rrejetet sociale ishin të tejmbushura me pamje tmerri të miliona njerëve, që për shkak të përkatësisë së tyre etnike, kombëtare, racore, fetare, krahinore a politike ishin viktima të persekutimit, ndalimit, torturave, ekzekutimeve makabre, masakrave, dëbimit nga vatrat dhe atdheu i tyre! Vargut të njerëzve që po iknin nga vendet e konfliktit e të luftës nuk iu pa fundi as sivjet! Qindra mijëra njerëz të dërrmuar nga ndjekja, dhuna e tmerri që kishin përjetuar kërkonin shpëtim në vendet tjera! Mijëra gra, burra, fëmijë, pleq e të rinj gjetën vdekjen në varkat dhe anijet e vdekjes, që i mendonin shpëtimtare, duke u bërë mish për peshqit!! Dhjetra mijëra të tjerë qëndruan e qëndrojnë edhe sot në kampe rrethuar me tela gjemborë dhe forca policore e ushtarake në kushte skajshmërisht jonjerëzore!! Këto pamje tmerri kanë prekur zemrat e miliarda njerëzve anekënd botës, por nuk kanë prekur dhe nuk prekin zemrën gur të shteteve të mëdha e të multimiliarderve që majmen në fatkeqësitë dhe tragjeditë e njerëzimit, posaçërisht të popujve e vendve të varfëra e të pafuqishme.

Te këta popuj të vegjël e tragjik bën pjesë edhe populli ynë me gjithë tragjedinë e tij të ripërsëritur… Tragjedia e popullit dhe Atdheut tonë, Shqipërisë, qëndron te pushtimi dhe copëtimi i tij në shumë shtete. Më 28 Nëntor 1912 Kuvendi i Vlorës kishte Shpallur Pavarësinë për gjithë Shqipërinë (mbi 90 000 km katrore). Ndërhyrjet ushtarake, masakrat dhe gjenocidi i ushtrive pushtuese mbi popullin tonë e bënë të pamundur ruajtjen e tërësisë tokësore. Mbi dy të tretat e tokës së Shqipërisë u pushtuan nga Serbia, Greqia e Mali i Zi (atëherë nuk ekzistonte Maqedonia e sotme). Pushtimi i tokave të Shqipërisë u “vulos” me vendimet arbitrare dhe antishqiptare të Fuqive të Mëdha. Prej asaj kohe për kombin shqiptar nuk pati vit të mbarë! E vetmja MBARËSI dhe shpresë e kombit ishte shteti AMË, që u krijua në më pak se një të tretën e Shqipërisë. Ishte ky shtet që mbajti të gjallë dhe ushqeu shpresën se një ditë do të ketë vit të mbarë edhe për kombin shqiptar në Iliri e në botë. Ky VIT I MBARË erdhi, falë kryesisht ekzistencës së shteti tonë AMË dhe Luftës Çlirimtare të UÇK-së dhe të mbarë kombit shqiptar për lirinë e Kosovës dhe të viseve të saj të pushtuara. Ky ishte VITI 1999, fundi i shek. XX! Ky VIT I MBARË ka krijuar besimin e patundur të kombit shqiptar se: sado të kemi politikanë, kalemxhinj (“intelektualë” e gazetarucë), klerikë, OJQ e kolaboracionistë të mbrapshtë, që i vënë shkopinj rrotës së madhe të kombit, ajo, RROTA shqiptare, do të sillet për të mbarën e të mirën e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Sepse, shqiptarët e kanë të qartë si drita e diellit se zgjidhja, zhvillimi, përparimi, krenaria dhe ecja përkrah kombeve më të përparuara të Evropës e të botës mund të bëhet vetëm duke u bashkuar në një shtet e në një Shqipëri. Kjo do të ishte zgjidhje afatgjate dhe në interes edhe të shteteve fqinje që mbajnë të pushtuara toka të Shqipërisë dhe popull shqiptar. Popujt fqinj nuk mund të jetojnë të qetë e të shohin jetën e punën e tyre sa kohë që mbajnë të pushtuara territore e pjesë të kombit shqiptar. Na takon ne shqiptarëve që t’i ndihmojmë të ndërgjegjësohen për pozitën e tyre prej pushtuesish… Mënyra më e mirë për t’i ndërgjegjësuar është bashkimi i tokës dhe i kombit shqiptar në një shtet që do të ekuilibronte forcat në Iliri dhe Evropë dhe do t’i çlironte popujt fqinj nga paragjykimet dhe shovinizmi që ua kanë ushqyer klasat e tyre sunduese e shtypëse gjatë dekadave e shekujve. Kjo do ta orientonte dhe integronte përfundimish kombin tonë në Evropë dhe me popujt e qytetëruar evropian. Aty ku ishte gjithmonë, ku është dhe ku e ka vendin…    

Postimet e fundit !