Lëvizja\UÇK

Ibrahim Shala: Fjala falënderuese në Akademinë e mbajtur në Therandë për 40 – vjetorin e LËVIZJES

Fjala falënderuese në emrin tim dhe të Sadik Halitjahës për mirënjohjen e shoqërisë LËVIZJA mbajtur në Suharekë me 31 tetor 2022
Në këto rrethanat e krizës së sistemit të vlerave në shoqërinë kosovare por edhe asaj gjithë kombëtare, e përgëzoj Shoqërinë LËVIZJA për takimet që po i organizon, për ta shënuar 40 – vjetorin e bashkimit politik të organizatave patriotike shqiptare – krijimit të LPK – së, për mirënjohjet që po i shpërndan për nderim të veprimtarisë atdhetare të tërë asaj armate të madhe të veprimtarëve patriot. Është e padrejtë që nuk na nderojnë të tjerët, por është shumë e drejtë që ne edhe në shoqëri pluraliste të një kapitalizmi të egër fillestar po nderojmë njëri tjetrin. Duke nderuar shokët që nuk janë në mesin tonë, si dhe duke nderuar njëri tjetrin sot, kemi nderuar kontributin dhe sakrificën tonë. Prandaj Shoqërisë LËVIZJA i shprehim falënderime, përgëzime dhe suksese të reja në vazhdimësi.
Grupet ilegale të organizuara, të dekonspiruara dhe të shumë arrestimeve në vitin 1979, në historinë e veprimtarisë ilegale kombëtare, kanë ruajtur vazhdimësinë pas arrestimit dhe dënimit të fundit të Adem Demaçit me shokë në vitin 1975. Unë dhe disa shokë e shoqe me 28 nëntor do të festojmë 45 vjetorin e fillimit të organizimit atdhetar ilegal në Therandë (Suharekë). Pranvera e madhe e demonstratave të vitit 1981, shihet nga shumë libër shkrues, si një shkrepje e rrufesë në mot të kthjellët, duke harruar largimin me 1979 të Jusuf Gërvallës, ideologut të Lëvizjes sonë Kombëtare.
Përkundrazi historiku i lëvizjes atdhetare ilegale në Therandë na dëshmon, se ajo ishte vazhdimësi logjike dhe efekteve shkak pasojë, të veprimtarisë dhe arrestimeve të grupeve ilegale në vitin 1979 dhe atyre të vitit 1980. Në kuadër të lëvizjes atdhetare ilegale Theranda dha dy drejtues të Lëvizjes në nivel kombëtarë, Sadik Halitjahën dhe Fadil Vatën, si dhe shumë të tjerë që dhanë kontributin e shquar në ngjarjet më të rëndësishme historike të vendit tonë.
Vlen të theksohet nga historia e lëvizjes atdhetare të Therandës se nga viti 1977 deri në marsin e vitit 1981 nuk kishte shkëputje të veprimtarisë ilegale atdhetare. Po ashtu është e pamohueshme se nga viti 1981 në nivel kombëtarë nuk ka pasur shkëputje deri në luftën e Ushtrisë Çlirimtare dhe po ashtu është i pamohueshëm fakti se UÇK-në e themeloi LPK-ja. Nga lufta e lavdishme e UÇK-së lindi Liria, Pavarësia dhe Republika e Kosovës, e cila si shtet i pavarur u bë realitet me Deklaratën e Pavarësisë me 17 shkurt 2008.
LPK-ja dikur dhe sot shoqëria LËVIZJA të ruajnë dhe kultivojnë ndjenjën e atdhedashurisë përmes respektimit të ish të burgosurve politik , të pjesëtarëve të lëvizjeve atdhetare i legale, por edhe më shumë të veteranëve të UÇK-së si kurorëzues të idealeve tona.
Pikërisht sot po na ndodhë që njëri nga udhëheqësit e Lëvizjes Atdhetare Ilegale, Zëvendës komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut (ZOP) të UÇK-së, komandanti shquar i UÇK-së dhe ish kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së së Kosovës, Sadik Halitjaha nga Mushtishti – Theranda, i cili në këto momente ndodhet në fluturim për në Hagë, për në Gjykatën Speciale një etnike, e themeluar kinse për krime të luftës në Kosovë, e cila paturpësisht dhe në mënyrë të pa drejtë e akuzoi UÇK-në si organizatë e bashkuar kriminale.
Po vërtetohet konstatimi i disa shokëve i nxjerrë pas luftës çlirimtare, se do të na duhet edhe një luftë tjetër për të mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së, vlerën më të madhe të Kosovës. Unë kam bindjen dhe besoj thellë ashtu si ju, se Sadik Halitjaha do ta mbrojë me dinjitet jo vetëm veten e tij, por luftën e UÇK-së, që njëkohësisht është mbrojtje e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Duke ju falënderuar në emrin tim edhe në emër të Komandantë Sadik Halitjahës, po ri përsërisë edhe deklarimin e tij të sotëm edhe në këtë takim.
“Do të luftoj përherë për ty Atdhe!
Do t’i mbroj bashkëluftëtarët dhe UÇK-ën!
Do të luftoj per liri, drejtësi e të vërteten!
Do të luftoj me dinjitet për vetveten!
Qëndrimet e të tjerëve si do që të jenë, nuk do të ndikojnë as ndryshojnë qëndrimin tim të përhershëm për UÇK-ën!
Do te jetoj për familjarët e Atdhetarët dhe për ty Kosovë!
U pafshim në liri!
I juaji, Sadik Halitjaha”.
Ju faleminderit!