Opinion

Ibrahim Kelmendi: Sovraniteti – streha e fundit e horrave

Ndjesë! Sajova këtë titull si plagjiaturë e sloganit të shpesh-përsëritur: “Patriotizmi është streha e fundit e horrave.”
Ka të ngjarë që sovraniteti është një nga karakteristikat e “natyrshme” për secilën gjallesë shtazore dhe bimore. Atomet, që kanë afinitet për t’u bashkuar e për të bashkëvepruar, duke krijuar organizim të përbashkët të “gjallë”, njëkohësisht ngritin edhe sovranitetin e tyrë mbrojtës – për mbijetesë.
Edhe paraardhësit tonë paranjerëzorë, pavarësish se ende nuk posedonin vetëdije njerëzore, institiktivisht apo “natyrshmërisht” kanë praktikuar sovranitet në hapësirën e tyre, në kohë dhe hapësirë përkatëse, duke u mbrojt nga rreziku që paraqisnin për ta kafshët tjera më të forta, por edhe nga ato më të dobëtat, por që i konkurronin në ngrënie të ushqimeve që i posedonte hapësira përkatëse. Edhe kur ka ndodh asimilimi i paraardhësve tanë, nga kafshë instiktive, në njerëz me vetëdije të artikulueshme, është praktikuar sovraniteti, tashmë edhe më i organizuar. Për këtë qëllim duhet të jenë formuar fiset, popujt, shtetet. Varësisht nga kapaciteti dhe poetenciali, ata e kanë zgjeruar dhe mbrojt edhe me luftë sovranitetin…
Si term politik dhe juridik SOVRANITETI ka filluar të përdoret në shekullin e 16-të nga Jean Bodin në doktrinën mbi absolutizmin. Origjinën ky emërtim e ka nga frëngjishtja mesjetare souveraineté, që kishte prejardhje nga latinishtja superanus, e cila mund të shqipërohet si “mbizotëruese”.
SALI BERISHA – HORRI QË PO SHPËRDORON SOVRANIETIN?
Këto ditë Sali Berisha e riaktualizoi suverenitetin si slogan, duke e shpërdoruar për mbrojte nga “agresiviteti” amerikan; ndëshkimin me “persona non grata” nga Departamenti i USA-ve, Berisha po e vuan edhe emocionalisht, prandaj po e diskualifikon si goditje ndaj sovrinatitetit të PD-së (partia e Berishës e ka emrin: Partia Demokratike e Shqipërisë), akoma më shumë, si cenim edhe të sovranitetit shtetëror të Shqipërisë.
Fatmirësisht apo fatkeqësisht, varësisht nga këndëvështrimi apo interesi, sovraniteti dhe vetëvendosja nuk mund të (sh)përdorën pakufijshëm pothuajse nga asnjëri, sado i fortë qoftë, por as nga asnjë popull, shtet, mbretëri, perandori, sepse pengohen nga të tjerët. Edhe perandoritë kanë synuar sundimin e përhershëm të gjithë botës, por nuk ia kanë dalë. Fatkeqësisht, edhe aq sa ka ndodhur, tepër ka qenë.
Historia mbi 30-vjeçare e Shqipërisë dhe USA-ve janë histori të cenimit të vetë-dëshiruar të sovranitetit të Shqipërisë nga USA. Jam vet dëshmitar kur më 23 qershor 1991, rreth 300 mijë veta e kanë mirëprit Sekretarin e shtetit, James A. Baker. Ai, për ta imponuar sundimin e Sali Berishës, publikisht në mitingun e 23 qershorit pat deklaruar përkrahjen e USA-ve për ardhjen e Berishës në pushtet. Sipas prestigjiozës amerikane NYT, Sekretari Baker duhet të ketë thënë: “Kam 14 vjet në politikë dhe nuk besoj se kam parë ndonjëherë një pritje të tillë. Kjo e bën gjithçka më të jashtëzakonshme. Kjo shprehje dashamirësie dhe mbështetjeje vjen prej asaj që Amerika përfaqëson për popuj që nuk kishin prej shumë kohësh asgjë ku të shpresonin.”
Atë përkrahje të atëhershme të serbofilëve amerikanë Baker, e sidomos të ambasadorit William E. Ryerson (i akredituar në Tiranë më 21.12.1991), Berisha e ka pas vlerësuar si përkrahje miqësore nga USA, e jo si cenim të sovranitetit shtetëror të Shqipërisë, siç edhe ishte.
POPULLORE: DHIJA E ZGJEBOSUR, BISHTIN PËRPJET!
Fatkeqësisht janë ca demagogë, të cilët për t’u imponuar sundimtarë të turmave injorante, zhurmojnë për sovranitet dhe vetëvendosje patriotike, edhe pse sundojnë shtete bythëgrisura, nëse mund ta quaj kështu realitetin e hidhur për shumë shtete në Europën Juglindore. Që do të thotë, i ngjajnë proverbit: “dhia e zgjebosura, bishtin përpjet”.
Sovranitetin e Serbisë NATO e bombardoi më 24 mars 1999, sepse e kishte tepruar me agresivitet fashistoid ndaj shqiptarëve. Bile, po të respektohej e Drejta ndërkombëtare për sovranitet shtetëror dhe për vetëvendosje, as që dëshiroj të spekuloj, cilat përmasa të krimit gjenocidal do t’i kishin ndodhur popullit tonë. Shembuj të ngjashëm ka më shumë se mjaft.
Edhe nëse nuk do të ishin Gjermania dhe 26 shtete tjerë anëtare në BE-në pothuajse federative, nuk do të lejoheshin të realizonin sovranitet e vetëvendosje që do të dëshironin. Ndërsa tani që janë anëtare, i kanë akoma më të zvogëluara të drejtat e mundësitë për të praktikuar sovranitet dhe vetëvendosje të pa kufizuar. As superfuqitë, Kina dhe USA, nuk po mund të bëjnë ato që do të donin, sepse po pengohen reciprokisht dhe nga të tjerët.
Këto i dinë edhe Sali Berisha dhe KM Kurti. UROJ të ndërgjegjësohen dhe të reflektojnë, sepse plasimi që po u bëjnë ata edhe pordhëve të tyre si bomba atomike sovraniste, po kundërmon.
Racionale: të rakordohen vendimet politike me USA, sepse po na mbrojnë edhe ushtarakisht, dhe me Brukselin, Berlinin, Londrën…, sepse po na ndihmojnë, sidomos financiarisht.