Portreti/intervista

Ibrahim Kelmendi: Rastësia… (“Njohja” me Josif Bagerin)

RASTËSIA…
Rastësinë nobelisti i fizikës në vitin 2022, austriaku Anton Zeilinger (Cajlinger) e quan veprim i padukshëm i Zotit. Unë që nuk besoj as në zotin e Zeilinger’it, nuk kam definim, edhe pse, bazuar në përvojë jetësore, e besoj RASTËSINË si ndodhi reale – për mua një nga të panjohurat e Kozmosit.
Në verën e vitit 2005 rastisi të më ftonin për të bërë pushim në Golem (Durrës) Çifti Miradije e Rexhep Maliqi. Ata kishin ble banesë buzë plazhi dhe kishin marrë me qira një ambient afër Plepave, të cilin e kishin bërë restorant për sezon turistik.
Për ata që nuk i njohin, Shkrimtarja Miradije (ndërkohë e ndierë) ishte me origjinë dibrane, e rritur në Gostivar, e martuar me Rexhepin, i lindur në Gjilan, i rritur në Beograd si fëmijë i funksionarit federativ, të dy imigrantë shumëvjeçar në Zvicër, të afirmuar në lëvizje çlirimtare të emigracionit tonë në Zvicër.
Në restorantin e tyre rastisi t’i takoj Perikli e Elida Jorgonin. Në fakt ata i kishte ftuar Miradija, meqë Shkrimtari Perikli e kishte lut Miradijen ta ndihmonte për ta afirmuar në Makedoni Rilandasin Josif Bageri. Unë u befasova për angazhimin e Perikliut, meqë emrin e Josif Bagerit po e dëgjoja për herë të parë. Perikliu tregojë motivin e tij subjektiv: Josifi kishte qenë shumë mik me Hil Mosin, Gjyshin e Perikliut, dhe Perikliu kishte shumë kushëri në Makedoni, që tashmë quheshin Jorgonovski dhe e fshihnin përkatësinë e tyre etnike shqiptare.
Nëse ka ende shqiptarë të pa informuar, siç isha unë në vitin 2005, po sjell ca të dhëna telegrafike biografike. Josif (Jovan) Bageri është lind më 15 gusht 1868, në Fshatin Nistrovë të Malësisë Reka e Epërme, krahinë në mes të Gostivarit dhe Dibrës. Është emigrua në moshë 17 vjeçare në Sofje. Edhe pse ishte analfabet, atje frekuenton kurse të shqipes që i organizonte diaspora patriotike shqiptare në Sofje. Brumosja patriotike familjare dhe angazhimi në Sofje e bëjnë veprimtar të shquar për çështjen kombëtare, sa që ia del të themelon klub e të hap gazetë shqiptare „Shqypeja e Shqypenisë“ dhe të boton libra. Bëhet Mik edhe me Naim Frashërin, Hil Mosin, Fan Nolin dhe Rilindas tjerë iluministë. Pasi shpallët Pavarësia e Shqipërisë, në vitin 1912 Josifi shpërngulet në Durrës. Aty Josifi u bë botues i revistës javore „Ushtimi i Krujës“. Në verë 1915 Noli me bashkëveprimtarë e dërgojnë Josifin në Prishtinë për t’u konsultuar me Hasan Prishtinën. Në rrethana të panjohur vdes në Prishtinë nga helmimi m 15 qershor 1915. Fatkeqësisht ende nuk ia kemi gjet varrin që ta rivarrosim me ceremonia shtetërore në Nistrovë, buzë varreve të prindërve, siç e kishte lënë amanet (porosi).
Perikliu me përvetëson që të angazhohem maksimalisht për dy dëshirat e tij: afirmimin e merituar të Josifit në Makedoni dhe ndihmimin e shqiptarëve ortodoks që të guxojnë të deklarohen shqiptarë. Fatmirësisht edhe Shkrimtarja Miradije u zotua se do angazhohej, meqë ajo i kishte kushtet financiare të mira, si pensioniste e Zvicrës (ndërsa unë jetoja kryesisht me lëmoshë nga shokët).
Në Dibër na ndihmoj Poetija Delvinë Kërluku që ta gjenim Liljana Jovanovskin, stërmbesën e Josifit. Pas Luftës Dytë Botërore të gjithë familjarët e Josifit kishin marrë mbiemrin Jovanovski, meqë emri i babait të Josifit quhej Jovan. Bashkë me Delvinën, Perikliun, Elidën, i shkuam për vizitë njohëse Liljanës. U befasuam që na priti bujarisht, duke na fol në gjuhë shqipe dhe duke u ndie krenare për Xhaxhain e Babit të Saj, Josifin, që deri atëherë kishin pas frikë ta përmendnin. Liljana na luti t’ia vizitonim Babain në Ohër, meqë ai kishte kujtime për Xhaxhain Josif, të cilat ua kishte rrëfye me pasion fëmijëve të vet. Na paralajmëroj që të mos druanim nga i Vëllau Vanqe, sepse ishte i angazhua nëpunës i thjeshtë në DBK (riemërtim i ish-UDB-së).
Me Muhamet Memetin dhe Elmedin Asanin shkuam pas pak ditësh në Ohër. Paralajmëruam Vanqe Jovanovskin. Por ai këmbënguli të mos takoheshim në lokale, por t’i shkonim mysafir në shtëpi. Secili nga ne u befasuam që aty u pritem bujarisht, me një shqipe që flitet në Diber, gjegjësisht në Malësi të Rekës së Epërme. Nusja e shtëpisë, bashkëshortja e Vanqës, e fliste gjithashtu shqipen, edhe pse nuk ishte shqiptare. Ajo nuhati kurreshtjen time dhe më foli në të qeshur: “E sheh atë thi plak, vjehrrin tim, ma pat vënë kusht, nëse do hysh nuse në shtëpi time, duhet të flasësh vetëm shqip!” Të tjerët qeshen. Mua më përfshinu një dridhje deri në palcë dhe nuk munda t’i fsheh lotët. Më që kujtua përjetimi në ligjeratën e parë të Linguisti i famshëm gjerman Jürgen Link, i cili na pat lut të prezantohemi për njohje. Kur prezantoheshim studentët e huaj, na luste të themi ca fjali për histori të gjuhës amtare. Një studente rastisi të prezantohet para meje. U prezantua, duke thënë emrin dhe mbiemrin dhe vijoj: “Jam arvanite nga Greqia. Flas pak shqip siç më flisnin gjyshi dhe gjyshja. Por nuk e di historinë e gjuhës amtare, sepse e kemi të ndaluar shqipen…” Ia plasi vajit dhe u largua nga ligjërata. Profesorit Link iu mbushen sytë lot kur zuri të flas për dëshminë konkrete, çfarë do të thotë mungesa e lirisë… Edhe unë u ndieva i tronditur, si kësaj radhe në Ohër, në Familjen Bageri, e konvertuar me dhunë në Familja Jovanovski.
Suprizë e mirë qe edhe njohja me Urosh Gjukovskin, bashkëvendës i Josif Bagerit, koleg me Vanqen, por ky kuadër më i lartë në ish-UDB të Tetovës. Uroshi vite më parë kishte gjet një monografi në Tiranë për Josifin, e kishte përkthye në makedonisht dhe në formatë manuskripti ua kishte shpërnda miqve, farefisit dhe shqiptarëve tjerë ortodoks, të cilët i njihte edhe për shkak profesionit, duke i shkatuar vetes së tij mosavancimin karierist në DBK.
Zhgënjyese ishte frika që kishte nipi tjetër i Josifit, kimist me reputacion ndërkombëtar, ish-rektor i Universitetit në Shkup dhe ish-kryetar i sektorit të shkencave natyrore në Akademi të Shkencave të Makedonisë. Ai refuzonte të prononcohej publikisht se është shqiptar. Mezi morëm lejen prej tij që në temelet e shtëpisë së Bagerëve në Nistrovë, ku Josifi kishte hap shkollën e parë shqipe në atë krahinë, të ngritnim Muze…
Fatmirësish patëm sukses të formojmë Shoqatën Josif Bageri me disa gra e vajza intelektuale, të organizojmë simpozium shkencor për Josif Bagerin, të imponojmë ngritjen e Shtatorës së Josif Bagerit, rreth 6 metra të lartë, para Kuvendit të Republikës së Makledonisë. Etj.
Keqardhje që në vitin 2014 m’u dësht të kthehem në Gjermani dhe i lash në gjys të rrugës ato angazhime në Makedoni…
(ibrahim kelmendi)