Lëvizja\UÇK

Ibish Neziri: Mirënjohje për regjisorin patriot Xhezair Dafa

Ditë më parë në ambientet e Institutit Albanologjik të Kosovës, në Prishtinë, në një ceremoni
të vogël, gati – gati familjare, nga Shoqëria LËVIZJA u nderua me mirënjohje post mortum
regjisori i Kinostudios Shqipëria e Re dhe operatori i kamerës në Arkivin e Shtetit, borshioti
Xhezair Dafa. Mirënjohja iu dha me “motivacionin e përkushtimit, përpjekjes dhe veprimtarisë
jetësore për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë”.
Për ta marrë mirënjohjen nga Tirana kishte ardhur bashkëshortja e Xhezairit, Bulja, bukur e
shtyrë në moshë dhe i biri, Alkidi, i cili ashtu sikurse edhe shumë bashkëmoshatarë të tij u
detyrua ta shijoj jetën e hidhur të mërgimtarit dhe i cili kishte adhur nga New Yorki.
Mikëpritës i këtyre dy përfaqësuesëve të familjes së Mrekullueshme Dafa ishte Shoqëria
Lëvizja e prirë nga kryetari Xhevat Bislimi dhe veprimtarë tjerë si: Ramadan Avdiu, Selim
Gashi, Selim Lulaj, Majlinda Sinani – Lulaj etj.
Në arsyetimin e propozimit për dhënjen e kësaj mirënjohjeje ndër të tjera u tha: Në 3 shkurtin
e vitit 2020, ditën që e përcollëm në varrezat e Tufinës i mbetëm borxh që të paktën nuk i
thamë dy fjalë, jo vetëm sa për t’i thënë lamtumirën, e as për t’u treguar pjesëmarrëve në
përcjelljën e fundit për filmat që si regjisor e bashkëregjisor i kishte bërë, ngase ata sigurisht
se i dinin dhe i njihnin më mirë se ne, por që pjesëmarrëve në kortezh, shokëve, miqëve e
bashkëpunëtorëve t’ua tregonim anën e panjohur të regjisorit Xhezair Dafa.
I mbetem borxh atë ditë kur e përcollëm që nuk folëm për anën e tij krejtësisht të panjohur –
për lidhjet e tij me Kosovën,  me viset tjera shqiptare jashtë kufijëve shtetëror të Republikës së
Shqipërisë dhe me Lëvizjen Çlirimtare. Nuk folëm për lidhjet e tij me ilegalët e Kosovës, shumë prej të cilëve i priti e i përcolli me dashuri prindërore dhe të cilët më vonë do të dalloheshin në fushëbeteja  gjithandej Kosovës dhe Iliridës, ku si rezultat i atyre fushëbetejave dhe asaj lufte që u zhvillua
fundshekullin e kaluar, do t’i krijohej mundësia që edhe ta vizitonte Kosovën, ta vizitonte
Prizrenin e Lidhjes, Gjakovën e Pejën, ta vizitonte Grykën e Rugovës dhe burimin e Drinit që
mes përmes i bie Shqipërisë.
Me këtë rast nuk mund të mos evokoj, tha propozuesi për ndarjen e kësaj mirënjohjeje:
Bashkë me ish-të burgosurin politik dhe njërin nga anëtarët e kryesisë së Këshillit të Rrethit të
Pejës, Gani Fetajn, pas bisedës që e kishte bërë Shaip Muja me të, në fundprillin e vitit 1992
na priti në shtëpinë e tij për më shumë se dy javë, dhe kjo nuk ishte pritja e tij e fundit. Ai priti
në vazhdimësi ilegalë tjerë, të cilët kryesisht me detyrë nga Kosova kalonin malet për të hyrë
në Shqipëri. E priti dhe e mbajti në shtëpi edhe Ali Ahmetin, ilegalin dhe njërin ndër
udhëheqësit e atëhershëm të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, udhëheqësin e
mirënjohur të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për rreth dy javë, Hidajete Krysniqin,
ilegalen e njohur të Pejës, Binak Dinajn, luftëtarin e orëve të para të UÇK-së në Rrafshin e
Dukagjinit, veprimtarin Sylë Arifi, ish-të burgosurin politik dhe vëllain e dëshmorit Edmond
Hoxha, Xhavitin, Dinë Ahmetajn, Ramadan Avdiun bashkë me vëllain e dëshmorëve Fahri
dhe Bahri Fazliut, veprimtarin Fadil Fazliun, veprimtarët dhe ish të burgosurit politikë
Mamujë Loshin dhe Nimon Krasniqin, por edhe shumë të tjerë nga Kosova dhe Ilirida.
Sali Lajçit, i cili e kishte humbur veshkën në një fushë të minuar duke hyrë në Kosovë, gjatë
qëndrimit në Spitalin Ushtarak të Tiranës, përditë i kishte shkuar në vizitë. E kishte pritur
edhe ilegalen e njohur drenicare Majlinda Sinanin – Lulaj bashkë me të shoqin Selimin
poashtu ish i burgosur politik dhe veprimtar. Shtëpinë e tij, aty afër Ministrisë së Jashtme, e

kishte shndërruar në një strehë të ngrohtë për ata veprimtarë që përpiqeshin t’ia bënin një
argat Kosovës dhe lirisë së saj. Nuk rastisi asnjëherë të vetme që t’i trokas në portë ndonjëri
nga ilegalët e Kosovës gjatë viteve 90-të e të mbetej jashtë. I priti dhe i trajtoi si fëmijët e tij
Alkidin, Blendin dhe Dorisin, dhe gjithnjë i përcolli me kërkesën e vetme: “Gjithësesi na
lajmëroni si shkoi rruga!” dhe sa e përcillte njërin, tjetrit i hapte portën ditë pas dite e vit pas
viti deri sa Kosova u çlirua. Në pranverën e vitit 1999 e hapi portën e shtëpisë edhe për të
përndjekurit e luftës nga Kosova. Në një hapësirë prej 70-80 m2, ndonëse në shtëpi ishte vetë
i pesti, i mori edhe dy familje me rreth 20 anëtarë. Prandaj, i mbetëm borxh që atë ditë nuk e
mora fjalën për t’ua treguar këto të gjithë atyre që e njohën si fqi, shok e bashkëpunëtor, por
jo edhe si një njeri që ishte lidhur ngusht me ilegalët e Kosovës, të cilët bashkë me të shoqen
Bulën dhe tre fëmijët i pritte e i përcillte me dashuri të pashoqe.
Nuk mund të mos e sjell në këtë rast edhe një koment të djalit të tij Blendit në statusin
përkujtues  në FB të Majlinda Sinanit – Lulajt, drenicares e cila, ndonëse vetë me veshka të
bllokuara, i kërkonte të shoqit të shkonte në luftë. Ai ndër të tjera do të shkruaj edhe: „Të
gjithë ata që më njohin nga afër, e dijnë, se asnjëherë nuk kam qenë më i miri… të paktën për
ca gjëra…
Shumë falemnderit për fjalët e ndjera dhe që më risolle në vëmendje ca kohë surreale, kur një
vajzë që nuk ishte Skënderbeu, as Isa, as Ademi, shtatzënë dhe me veshkat e bllokuara, i
thoshte burrit: “Shko dhe lufto, edhe vritu, nuk ka rëndësi, mos u kujdes për mua”!…
Ka qenë edhe një djalë tjetër, njëfarë Ganiu, që nuk bleu këpucë, për të blerë plumba, dhe kur
kalonte nga mali, kur akoma luftonin vetëm pak veta e kishte lidhur shollin e shkëputur të
këpucës së vjetër me rripin e pantallonave  dhe skajin tjetër e mbante për dore dhe e ngrinte
këmbën me krah sa herë hidhte hapin, për ca plumba më shumë…
Ka qenë edhe një farë …, që të gjithë mund të thonë edhe sipas emrit një ish-i, tamam një ish,
si të gjithë tjerët, si Xhemali, si Arsimi që ka vdekur…“
Këta dhe të tillët si këta janë ata që i priti e i përcolli borshioti Xhezair Dafa bashkë me
familjen e tij, i cili asnjëherë nuk u mburr për punën e vetë, por u krenua me ata të rinjë që
shpeshherë ia zinin derën e ia zinin shtëpinë ditën e natën, madje duke ua dhënë edhe statusin
e çunit të shtëpisë.
Këto që nuk arritëm të ia themi në ditën e përcjeljes së tij, në botën e përjetshme, u thanë në
një homazh, në njëvjetorin e ndarjes nga jeta, në të cilin mbetën shumë të pathëna, dhe disa
nga këto po i përsëriti edhe sot, në ditën kur Shoqëria Lëvizja ,rrënjët e degët e së cilës janë në
Lëvizjën Popullore të Kosovës, e cila vitin e kaluar e shënoi 40 vjetorin e themelimit, në emër
të të gjithë tyre anëtarëve të saj që kaluan nëpër shtëpinë e Xhezair Dafës duke e ndjerë
ngrohtësinë e kujdesin e kësaj familje, po e nderojmë me një mirënjohje, për t’i treguar se i

jemi përjetësisht mirënjohës Xhezair Dafës, bashkëshortes së tij Bulës , Alkidit, Blendit dhe
Dorisit si dhe gjithë familjës së tij!
Në emër të Shoqërisë LËVIZJA zonjës Bule Dafa Mirënjohjen ia dorëzoi Ramadan Avdiu,
kuadër i lartë i Lëvizjes Popullore të Kosovës.