Homazh për Heroin Sadri Zeneli – Në 23 vjetorin e rënies-
Në Këshillin e Rrethit të LPRK-së në Pejë, për zhvillimin e aktiviteteve tona na duheshin disa gjëra, mes të cilave edhe dy elemente kimike. Dy anëtarë të KRR në fund të prillit e kishin kaluar kufirin dhe kishin dalur andej, ku gjithëmonë gjenim kur ishim keq gjenim mbështetje – në Tiranë, për t‘i gjetur materialet që iu duheshin. Nga mesi i majit u kthyen, por vetëm me njërin element kimik. Tjetri, në rrugëtim të gjatë, nëpër terren të papërshtatshëm dhe pa siguri të madhe nuk ishte i bartëshëm. Për ta gjetur në Kosovë kishte mbetur vetëm një vend i mundshëm: FERONIKLI, por kush dhe si do ta nxirrte nga Feronikli? Kush pra? Sadri Zeneli shpesh kalonte në rrugën tonë, por kurrë nuk e kalonte derën pa u ndalë e pa thirrë „Oi hallë!“ Nëna ime dhe Sadriu ishin të afërm. E njëjta gjë ndodhi edhe në një ditë qershori, ndoshta aty diku nga dhjetëditëshi i parë. Unë isha brenda kur e dëgjova Sadriun të thërriste „oi hallë …!“ „Hajde, Sadri“, e dëgjova nënën t‘i thotë. „Po, po, hajde se këtu është“, përsëri e dëgjova nënën t‘i thotë Sadriut. Ai e paskësh pyetur „A është kësajde ai kaçaku“, prandaj edhe nëna i tha: „Po, po …!“ U përshëndetëm ngrohtësisht me njëri tjetrin, tamam si nip e dajë, si dy shokë e miq që i lidh i njëjti ideal. Kah nuk shkuan bisedat tona. Nuk e di nëse mbet edhe ndonjë gjë pa u biseduar atë ditë, deri kur në një moment fillova të ia „qajë“ hallin për atë që na duhej dhe e pyeta nëse mund të llogarisja në të. Përgjigja e tij ishte disi e çuditshme. Nuk ishte një po e qartë, e theksuar si premtim, por ishte një „po“ sikur t‘i kërkoja një ndihmë krejtë të parëndësishme, të parrezikshme, sikur t’i kërkoja një letër cigareje, apo një të ndezur të cigares. Kur u ngrit për të vazhduar tutje, më tha: „Eja kur të duash, nr e telefonit e ke dhe thirr!“ Nuk shkuan shumë ditë dhe i trokita në derë, në Drenas. Për tri ditë, në mëngjes, i maskuar si punëtor, edhe përkundër masave të jashtëzakonshme, bashkë me të e punëtorët tjerë u futa në Feronikël. Më çoj nëpër reparte të ndryshme, por gjithnjë, pas lëvizjeve nëpër ato reparte, më kthente në laboratorin e Feroniklit. Aty kishte disa laborantë tjerë, por më duket se neve na pritte Adem Nika, ivetmi emër që e kam mbajtur mend. Mesditën e ditës së tretë, bashkë me materialin për të cilin kisha shkuar aty, më „akomodoi“ në një kamion për bartjen e xehes, i cili më dukej se ishte „damper“ dhe pas pak Feroniklin e lam prapa krihëve për të shkuar në Gllobar te shtëpia e Xhemë Binakut, ku edhe e lam materialin. Pas pak ditësh nga Gllobari e solli në Pejë veprimtarja Hidajete Krasniqi, si „tretje për pastrim kuzhine“. Përvjetori i 23-të që gjithnjë dua ta sjell këtë kujtim me njeriun e madh Sadri Zenelin, por më dukej se nuk do të ishte e mjaftueshme. Si ta kujtoj ndryshe atë, pos si njeri që aq të thjesht e kishte veprimin, luftën, sakrificën, si njeri që pa i bërë llogaritë për vetën e qitte hapin dhe bënte tutje, si njeri që çdo gjë e kishte me shumicë, pos atdheut, për të cilin edhe u sakrifikua. Atë e kishte një dhe të vetmin.
add a comment