Shqipëria/Aktualitet

Ibish Neziri: 13 VJETË PAVARËSI DHE NJË PALË ZGJEDHJE SHEMBULL

UROJMË TË MOS ZHGËNJEHEMI!

Kosova sot pat festë. Shënoi 13 vjetorin e pavarësisë. Numri 13 pak a shumë njihet si numër ters, por këtë radhë nuk ishte i tillë, ndonëse për dikë solli humbje të thella, por gjithësesi të pritura, e për dikë tjetër fitore të thellë.

Gjatë këtyre 13 vjetëve nuk mund të thuhet se nuk kishte rezultate në shtetndërtim e në shtetzhvillim, por keqeverisja dhe korrupsioni i mundën të gjitha. Urojmë që në këtë Vit të Ri për Kosovën, në vitin e 14 të pavarësimit këto t’i përkasin të kaluarës, por edhe nëse nuk i përkasin tërësisht të kaluarës, të paktën, të tëhollohen, ndonëse e vështirë.

Ndër humbësit e mëdhenj dolën të jenë tri partitë që e mbajtën pushtetin për 21 vjetë me radhë LDK, PDK dhe AAK, kjo e fundit si në atë meselenë e Nasradinit që rrinte me rrip në dorë deri sa rrokeshin dy gra duke pritur se cila po e rrëzonte shoqen, pasi kushti ishte që e mundura duhej të fline me Nasradinin, rrinte e gatshme për të parë se kush po e merr me vete.

LDK-ja, e cila gjatë gjithë historisë së saj më shumë u shqua për pengesat e vonesat që i solli çlirimit të Kosovës se sa për ndihmën që i dha. Nga zgjedhjet, që u mbajten para tre ditësh, e pësoi keq, por ky pësim e pati edhe një të mirë ngase, pos që e mori atë që e ka merituar prej kohësh, u lirua edhe nga kryetari i saj, i cili për dhjetë vjetë me radhë pos që e mbajti peng partinë, në krye të së cilës erdhi në mënyrë krejtësisht të çuditshme, peng e mbajti edhe Kosovën përmes pazaresh të ndryshme politike e mbase edhe materiale deri te pazari i fundit i vitit të kaluar përmes të cilit me veprime kundërkushtetuese e rrëzoi pas 50 ditësh qeverinë, e cila e pat fituar shumicën në zgjedhjet e 2019-tës, njëkohësisht duke e krijuar një qeveri poashtu kundërkushtetuese përmes atyre pazareve.

Për vjetë me radhë edhe PDK-ja u bë një me LDK-në dhe rrotulloheshin rreth boshtit të pushtetbërjes dhe pushtetmarrjes me apo pa bazë kushtetuese.

Aleanca, qysh kurë lideri saj u ndal dhe u mbajt padrejtësisht në burg në Colmar të Francës kishte vendosur: „Asnjëherë më në opozitë“ por, këtë herë duket se i shkrepi keq. Akoma më keq do ti shkrepte dhe mbase edhe kjo njësoj sikur Nisma nuk do ta kalonte pragun, sikur të mos ishin disa veteranë me gratë e tyre veterane dhe fëmijët e tyre në kohë lufte 8-10 vjeçarë e tani vetaranë, të cilët ia mbajtën gajretinme vota, si atëherë me pushkë. Sa për NISMA-n, ajo mbeti nismë e pakonsoliduar, krejtësisht malarike edhe pse duke e tërhequr zvarrë, ia paten kaluar pragun në zgjedhjet 2019-ës për interesin e tri partive që ia grabiten pushtetin LVV-së duke e kontrabanduar deputetin Haxhi Shala e duke e shfrytëzuar edhe një deputet pa mandat për ta krijuar qeverinë dhe për t’i bërë edhe Nism-as vend në qeveri. Prandaj, edhe nuk ia vlenë të humbet asnjë minut për të, pasi që edhe me të ndodhi ajo që duhej të ndodhte – moskalimi i pragut.

Këto zgjedhje edhe një herë treguan se partitë me bazë fetare populli shqiptarë i Kosovës as nuk i don e as nuk i voton. Besoj të mos dihet saktësisht se sa të tilla janë e sa prej tyre morën pjesë në  zgjedhje, por as njëra prej tyre jo vetëm që nuk e kaloi pragun, por nuk mori më shumë se 1000 vota që do të thotë se bashkë me ato tri partitë e „mëdha“, edhe këto e morën një leksion supër të mirë.

Sa i përket fitores së VV-së në këto zgjedhje, me që jemi mësuar që gjithëçka e çdo gjë ta quajmë historik e historike, edhe pse nuk mendoj kështu, po e quaj fitore historike dhe uroj që jo vetëm për LVV, por edhe për Kosovën të jetë e tillë!

Rezultati vërtetë është rezultat brilant edhe pa votat e “Ushtrisë Çlirimtare të Gërnaçave“ (të mërgatës), të cilën u përpoqën me të gjitha mënyrat ta pengojnë, të votave me kusht dhe të atyre me nevoja të veçanta, të cilat ende nuk janë numëruar, dhe të cilat pa dyshim do ta thellojnë akoma më shumë fitoren e VV-së. Ajo deri tani mori më shumë vota vetëm se tri partitë e „mëdha“ së bashku. Mirëpo ajo më e rëndësishmja është se këto zgjedhje, të paktën deri tani janë zgjedhje shembull.

Për këtë të fundit uroj që të mos e rrokë euforia, por çështjet t’i adresoj e t’i trajtoj me prioritet sipas rëndësisë që kanë.

Për të mos shkuar në zgjedhje, duhet gjetur modalitetet pa koalicione e pa kushtëzime nga partitë opozitare për ta zgjedhur presidentin. Në këtë pikë duhet shikuar dhe arritur kompromise brenda vetë subjektit, në mënyrë që vendin ta kursej nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, por edhe nëse shkohet në zgjedhje për shkak të presidentit, zgjedhjeve duhet t’u frigohen partitë humbëse, të cilat akoma më shumë do ta thellojnë humbjen e tyre, por në asnjë mënyrë Vetëvendosja.

Për të mos shkuar në zgjedhje mund të bëhët një ndërrim në listën e Vjosa Osmanit. Njëra ndër mënyrat për ta zgjedhur presidentin pa shkuar në zgjedhje, do të mund të ishte ashtu si është përmendur shumë herë deri tani, kandidimi i Murat Jasharit për president, ndërkaq për Vjosa Osmanin të rezervohet posti i kryeparlamentares, ngase LDK-ja nuk do t’ia falë asaj „tradhëtinë“ dhe Aleanca nuk do ta votojë, ose nuk do të qëndroj në sallë për t’ia bërë kuorumin për shkak se lideri i saj edhe pse nën 8% të numrit të përgjithshëm të votave pretendon të bëhët president, kurse PDK-së në krye me Enver Hoxhajn, i cili pat thënë se Kurtin e bartë në xhep të pizhamave, nuk i besohet as për votë e as për kuorum.

E dijmë se aty ku gjatë fushatës u ndërtuan ura edhe ku nuk kishte lumenj dhe u çuan lumenj aty ku nuk kishte ura, për t’ua ndërtuar urat, në pushtet nuk ndërtohen, por mund të ndërtohen „kanale ujitëse“ dhe „ura“ mbi ato kanale si dhe besimi në organet e pushtetit, në organet e drejtësisë e të administratës ekstremisht të korruptuara, në shëndetësinë frikshëm të korruptuar e në arsimin e shtrirë për tokë.

Reciprociteti me Serbinë, i pezulluar nga kryeministri jokushtetues Avdullah Hoti të vendoset jo vetëm në tregti e të ngjashme por në të gjitha fushat. Reciprocitet të vihet edhe në fushën e të drejtave të pakicës serbe. Ato që Serbia ua ka dhënë dhe ua jap shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, por edhe sanxhaklinjëve, pa diskutim Qeveria Kurti 2 të ia ofroj pakicës serbe në Kosovë, ndërkaq për bisedimet me Serbinë që i ka vendosur në e shtatë apo tetë të prioriteteve, ato vërtetë aty edhe e kanë vendin.

Gjithmonë luftërat janë bërë për tregje, prandaj unë mendoj se Serbia tregun e Kosovës e synon, ndonëse herë pas here dërgon mesazhe kërcënuese që lënë për të nënkuptuar edhe për ndërhyrje ushtarake.

Në bisedimet e mundshme kurdo që fillojnë, kryeministri në ardhje, Albin Kurti shumë herë ka folur për faturat që do të ia vë përpara Serbisë dhe do të bënte shumë mirë të mos i harronte ato fatura, ndërkaq për bazë duhet t’i ketë dy dokumente. Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe opinionin këshilldhënës të  Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në të cilin në mënyrë eksplicite u tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.  

Qytetarët e Republikës së Kosovës patën arësye të festojnë.

13 vjetori i Pavarësimit të Republikës së Kosovës dhe fitorja me rezultat kaq të thellë i Lëvizjes Vetëvendosje për mes së cilës priten priten ndryshime dhe një qeverisje më e përgjegjshme, prandaj, Gëzuar! Urojmë të mos zhgënjehemi!