Histori

Historia e këngës shqiptare 600 – vjeçare

Sipas filologut arbëresh, Dhimitër Kamarda, kënga e ka prejardhjen nga arbëreshët e Italisë, të cilët sipas studimit të tij, u detyruan të largohen nga toka e tyre e quajtur MORE (Peloponezi i sotëm) dhe duke i lënë trojet e tyre.

More! Është një pasthirrmë?!…  një vajzë e bukur?! Jo! More është Peloponezi i sotëm nën Greqi. Sipas një studimi të botuar në Itali, në vitin 1886, nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda, More është një trevë e madhe, së cilës grekët i kanë ndryshuar emrin dhe e kanë kthyer në Peloponezi. Kënga “O e bukura More” memorizon kujtesën e madhe të një atdheu të humbur. Sipas filologut arbëresh është një toponim i këtij vendi nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.

I vetmi dokument i kësaj kënge, është si material në librin e shkruar prej filologut, arbëresh Dhimitër Kamarda, i cili jetoi në vitet 1821-1882. Ai e ka botuar librin me titull: “Appendice al Saggio di Grammatologia Commprata sulla Lingua Albanese”, dhe është publikuar nga shtëpia botuese “F. Albergueti E.C.” në vitin 1866.

Në këtë libër është publikuar për herë të parë teksti i kësaj kënge i shkruar në shqip. Në libër sqarohet se teksti burimor popullor me ritëm tresh është i vetmi version dhe tekst origjinal i këngës “O e bukura More”. Kjo këngë këndohet prej 600 vitesh dhe ka marrë më shumë përmasat e një kënge mërgimtarësh, e njohur dhe shumë e dashur jo vetëm për arbëreshët, por edhe për arvanitasit nën Greqi dhe për shqiptarët e të gjitha trevave.