Portreti/intervista

Gjokë Dabaj për librin e Shaban Brahës: “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare”

SHABAN BRAHA
Ibrahijm Kelmendi: Në Shqipërinë londineze për herë të parë hyra, si turist, në fund të dhjetorit 1990. Në vitin 1991 regjistrova biznesin e parë privat në Tiranë, ende pa pas ligj përkatës. Kjo ndodhi fal një shkrese që ma lëshojë Ministri i Kulturës Preç Zogaj. Ishte biznes për botim librash.
Ndoshta ishte ky angazhim biznesor që krijoi njohjen me Oficerin madhor të Sigurimit të Shqipërisë, në ndërkohë të ndjerin Shaban Braha. Ai shprehu dëshirën t’ia botonim librin “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare”. Ishte voluminoz dhe me tirazh të madh. U morëm vesh që për mijëra kopje që donin t’i tregtonin vet Shabani dhe Vëllau i tij, Merimanin, të paguanin vetëm koston e faqosjes grafike dhe të shtypit pasi ta shitnin librin (duhet të ketë qenë çmimi 2 USD për ekzemplarë)…
Shkak ta kujtoj tani Shaban Brahën u bë një faksimil që ma dërgoj një gazetar e publicist nga Shqipëria. Shaban Braha kishte bërë shënim nga rrëfimi i Suzana Gërvallës, në Tiranë, më 05.04.1982, që mbahet si dokument sekret në dosjen për Jusuf Gërvallën.
Kësaj radhe në internet gjeta fragmente të librit të Shaban Brahës, të publikuar nga Gjokë Dabaj (i lindur në Stamboll në vitin 1938, i rritur në Shestan të Tivarit, studimet në Kosovë, i arratisur në Shqipëri në prill 1962…). Prandaj po ofroj fragmente nga ai libër.
***
GJOKË DABAJ:
Pjesë nga libri “Genocidi sërbomadh dhe qëndresa shqiptare” i autorit Shaban Braha
“Në vitin 1981 fillon një ballafaqim masiv i popullit shqiptar nën Jugosllavi me qarqet hegjemonistë sërbë, sllavomaqedonë e malazezë në nivel federal dhe republikan.” (f. 507)
“Mbi 200000 shqiptarë (të ngritur në demonstrata), kërkesat e tyre në tërësi i përqëndruan në një të vetme: Kosova Republikë e më tej Republikë Shqiptare në Federatë.” (f. 507)
“Në demonstrata marrin pjesë guximshëm dhe trimërisht edhe moshat më të njoma, vajza e djem 10-14-vjeçarë. Një bijë prishtinase 12-vjeçare ngjitet mbi tankun sërb me flamurin shqiptar të shpalosur!” (f. 508)
“Kishin nisur të përgjakeshin zinxhirët e tankevet, dhe zhurma e avionëvet dhe zjarri i armëvet ballafaqoheshin me britmat kushtruese të demonstruesvet: Republikë, liri, barazi, demokraci!” (Krs. f. 508)
“Opinionit botëror s’po i shpëtonte asgjë. Jehona po rrokte hapësira ndërkombëtare. Në shtypin spanjoll ndër të tjera shkruhej: Në shumë raste historia e popullit të Kosovës dëshmon se shtypja ka marrë format dhe përmasat e një genocidi të vërtetë.” (f. 508)
“Në faqet e Zërit të popullit (të Tiranës) mbështeteshin kërkesat e Kosovës si më të domosdoshmet e kohës.” (f. 509) (Gj. D: Në RPS të Shqipërisë të gjithë mjetet e informimit u bënin jehonë të gjithanshme ngjarjevet në Prishtinë e kudo gjetkë.)
“Gazeta franceze Liberacion vinte në dukje se Kosova nuk e ka kapërcyer cakun e zhvillimit të ulët.” (f. 509)
“Punëtorët kosovarë etj, që morën rrugën e emigracionit jashtë Jugosllavisë, arrinin në 110000, ndërsa 70000 të tjerë ishin të papunë. Të ardhurat për frymë në Kosovë etj, ishin gjashtë herë më të vogla se në Slloveni dhe pesë herë më të vogla se në Kroaci.” (f. 509)
“Punësimi i femrës ishte shumë i ulët. Në vitin 1972, vetëm 7455 femra shqiptare punonin me rrogë, ndërsa nga pakica sërbo-malazeze punonin 10349 femra. Gjendja e fshatit ishte e mjeruar.” (f. 509)
“Në vitin 1971 analfabetizmi në Kosovë etj. ishte 34,9%, në një kohë kur në federatë ishte 15,1%.” (f. 510)
“Më 19 janar 1988 në Beograd mbahet një miting me 1300000 sërbë ku përkrahen propozimet për ndryshimet kushtetues të Sërbisë. S. Millosheviqi thotë: Nuk ka kohë për vajtime, por duhet luftë. Duhet veprim energjik kundër shqiptarëvet të Kosovës.” (f. 511)
“Revista NIN e Beogradit ndërkaq shkruante se pas demonstratavet të 1981-shit, nga Kosova etj, janë larguar 20000 sërbë malazezë (kolonistë, Gj. D.) dhe se 780 fshatra tashmë ishin etnikisht të pastër. Vetëm në vitin 1983 qenë shpërngulur 4437 (kolonistë, Gj. D.) sërbë e malazezë.” (f. 513)
“Pasonte akuza për sulmin e irredentizmit shqiptar drejt Veriut, drejt trojevet të paravitit 1878 dhe se gjatë 20 vjetëvet të fundit ishin shpërngulur prej andej 16000 sërbë dhe se po hegjemonizoheshin etnikisht 42 qendra banimi.” (f. 514)
“Akuzohej Bujanovci pse në vitin 1971 shqiptarët përbënin 48%, ndërsa në vitin 1981 në atë qytet jetonin 55% shqiptarë. Akuzohej Presheva se gjatë 20 vjetëvet numri i sërbëvet ishte pakësuar në 59%… Jo pa qëllim nuk vihej në dukje fakti tjetër që, nga Jabllanica, Bujanovci e Prersheva, deri më 1971-shin ishin zhvendosur për në thellësi të Kosovës 5500 shqiptarë.” (f. 517)
“Por terrorizmi ushtarako-policor u vu sërish në plan të parë. Në lidhje me 11 marsin 1981, revista suedeze Tempus shkruante se njerëz të pafajshëm qëllohen me armë në krahinën e Kosovës. Më shumë se 300 vetë janë goditur… edhe fëmijë të vegjël janë qëlluar nga forca të armatosura sërbe.” (f. 517)
“Nuk ka ndodhur asnjëherë që, pas Luftës së Dytë Botërore të jetë përdorur një dhunë e tillë në Jugosllavi kundër një grupi njerëzish, siç ndodhi në këtë rast kundër shqiptarëvet. Patriotizmi ishte një forcë e madhe në demonstratë. Doli edhe një vajzë e vogël e mbështjellë me një flamur shqiptar. Njerëzit u qëlluan nga helikopterët vetëm sepse protestonin kundër politikës së padrejtë të regjimit të Beogradit.” (f. 517)
“Frankfurter Algemaine e 27 prillit 1981 shkruante se vrojtues të informuar jugosllavë numrin e të vrarëvet e çonin minimumi nga 30 deri në 40 vetë dhe të plagosur deri 1000 vetë.” (f. 517)
“Gazeta daneze Arbeideren e PKD-së theksonte se këto masakra, ku janë vrarë dhe plagosur e burgosur mijëra të tjerë, përbëjnë pa dyshim, genocidin më të madh të kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.” (f. 517)
“Më 26 mars në Prishtinë duken papritmas reparte të dërguar nga Beogradi me avionë.” (f.518)
“Më 2 prill në orën 11.00 ndërhyjnë tanket. Katër avionë ushtarakë fluturojnë ulët mbi çatitë dhe rrugët, për të krijuar panik… Në mesnatë më 3 prill digjen 2 tanke… 8 të vrarë, midis tyre një fëmijë. Tanke të tjerë dhe autoblinda thirren nga Maqedonia dhe aeroporti pushtohet nga parashutistët… Sërbët nga dritaret e shtëpivet filluan t’i qëllonin demonsrtuesit me pushkë. ” (f. 518)
“Fshatarët u ngritën dhe u drejtuan në mbrojtje të Podujevës dhe të qytetevet të tjerë. Gjatë kësaj dite u vranë 300 vetë. Shifra 9 ishte thjeshtë një rrenë. Midis të vrarëvet, që i korri zjarri i ushtrisë sërbe, ishte edhe Ruzhdi Hyseni nga Vushtrria, student në Gjakovë, i cili bie në çastin kur po i afrohej flamurit të shpalosur.” (f. 518)
“Më 13 maj 1981 fshati Prekaz i Drenicës ndodhej i rrethuar. Tahir edhe Nebi Meha, së bashku me 2 gratë dhe 5 fëmijë, luftonin me 2 armë kundër 400 armiqvet.” (f. 518)
“Më 17 janar 1982, afër Shtutgardit në Gjermani, policia sekrete jugosllave i vret 3 bij të pazëvendësueshëm të Kosovës e të krejt shqiptarisë, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallën.” (f. 519)
“Më 11 janar 1984, 2 bij të tjerë të këtij kombi, Rexhep Mala nga Hogoshti i Gjilanit dhe Rexhep Berisha nga Strica e Gjilanit, do të luftonin në rrethim dhe do të jepnin jetën si heronj.” (f. 519-520)
“Më 8 shkurt 1984, në një rrethim ushtarako-policor prej 300 forcash, i tradhtuar prej një provokatori, Bajram Bahtiri vritet në shtëpinë e tij në Prishtinë.” (f. 520)
“Afrim Kadri Abazi, i rëmbyer nga gjiri i famijes së vet në Ferizaj dhe pas 8 ditë torturash, të kthyer në kufomë, e hedhin udbashët nga dritarja, me qëllim që vrasjen me tortura ta kthenin në vetëvrasje.” (f. 520)
“Terrori dhe vrasjet e të rinjvet shqiptarë në ushtrinë jugosllave: Hivzi Sadiku nga fshati Rahovicë i Preshevës, Selami Isufi nga Kamenica në Gollak, Feriz Uka nga Istogu, Shemsedin Kamberi nga Tetova, Mustafa Arif Pantina nga Gllareva, Enver Selman Elezi nga Shkupi. Gjatë periudhës 1981-1984, në ushtrinë jugosllave, u terrorizuan dhe u vranë 50 të rinj shqiptarë.” (Krs. f. 520-521)
“Revista Danas e 11 shkurtit 1990 shkruan: Në Kosovë mbërrijnë arkivolët hermetikë me eshtrat e të rinjvet shqiptarë, të cilët janë vrarë në Ushtrinë Popullore Jugosllave, zoti e di se në çfarë rrethanash… Në varrimin e Fatmir Tafajt, i cili, gjoja në mënyrë tragjike, humbi jetën në Velika Gorica, thuhet se morën pjesë 200000 (dyqind mijë) vetë.” (f. 521)
“Më 13 shtator 1990 njoftohej nga Prishtina se policia sërbe kreu sot akte të rinj dhune e terrori kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Njësi të policisë rrethuan fshatrat Pollatë, Repa… nën pretekstin e kërkimit të armëvet dhe hapën zjarr kundër banorëvet. Agjencia Rojter bënte të ditur se 2 të rinj shqiptarë u vranë nga armët e policisë, ndërsa afro 30 vetë u arrestuan.” (Krs. f. 521)
“Gusht 1990. Djali 20-vjeçar Refki Shaban Suka së bashku me vëllanë 11 vjeç dhe me kushëririn 17 vjeç, plagoset dhe vdes nga palgët. Në varrim marrin pjesë 50000 (pesëdhjetë mijë) njerëz.” (f. 522)
“670000 (gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë) shqiptarë kanë kaluar së paku njëherë nëpër qelitë e burgjevet sërbë, shkruante në vitin 1990 shtypi i Austrisë, me ç’rast i detyronin të gëlltisnin unaza, brisqe rroje, gërshërë e sende të tjerë të fortë.” (f. 522-523)
“Në burgje sillnin edhe fëmijë 10 vjeç, i shkatërronin duke i rrahur. Tërë natën dëgjoheshin rënkimet dhe gërvallat e njerëzvet, kah i masakronin. Në Goli Otokun e tmerrshëm dhe në burgje të tjerë vuajtën 50 fëmijë shqiptarë.” (Krs. f. 525)
“Në tre vjet e gjysmë, 1981-1984, llogariten 883 shqiptarë të akuzuar dhe 585 të dënuar për veprimtari kundër Jugosllavisë.” (f. 526)
“Në armatën jugosllave vetëm deri në vitin 1987 ishin dënuar 1436 ushtarë shqiptarë.” (f. 529)
“Në Maqedoni e Mal të Zi janë mbyllur shkollat e mesme në gjuhën shqipe. Nxënësit shqiptarë detyrohen të ndjekin mësimet në gjuhën sllave. Por edhe atje keqtrajtohen deri në atë shkallë, sa e lëshojnë shkollën dhe mbeten analfabetë.” (f. 535)
“Madje ka raste kur gjuha shqipe u ndalohet nxënësvet edhe për të komunikuar njëri me tjetrin.” (f. 535)
“Shqipja vështirë se mund të përdoret në mes të dy a më shumë shqiptarësh në vendet e tyre të punës.” (f. 536)
“Agim Vinca shkruan: Në Republikën e Maqedonisë sipas regjistrimit të vitit 1981, jetonin 377726 shqiptarë. Po sa shqiptarë jetojnë në Republikën e Maqedonisë? Këtë askush nuk e di saktësisht. Ka që mendojnë se arrijnë deri në një milion, në mos më shumë, kurse Shkupi është qyteti me më shumë shqiptarë në botë.” (f. 537)
“Fadil Sulejmani shkruante: Sot në Republikën e Maqedonisë jetojnë mbi një milion (1000000) shqiptarë. Qytetet me rrethina ku flitet shqipja, janë këta: Shkupi, Tetova, Kumanova, Gostivari, Kërçova, Krusheva, Dibra, Struga, Ohri, Resnja, Prespa dhe Manastiri. Popullsi shqiptare ka edhe në Veles e Qypërli, Prelep e Kovardar.” (f. 537-538)
“Falsifikimi i numrit të shqiptarëvet në Republikën e Malit të Zi arrin në përmasa groteske e qesharake, kur thuhet se në krejt hapësirat ku shekull pas shekullit kanë jetuar shqiptarët, Tivar, Ulqin, Hot, Grudë, Plavë, Guci, Beranë, Rozhajë, nuk jetojnë më shumë se 40000 shqiptarë.” (f. 538)
“Në Republikën e Maqedonisë u pa e nevojshme t’u rrënohen shqiptarëvet edhe muret e avllivet dhe t’u prishen dyert (portat) e oborrevet me pretekstin e regullimit urbanistik.” (f. 538)
“Genocidi sërb ndaj shqiptarëvet e gjeti shprehjen edhe te kufizimi i shtesës natyrale të popullsisë. Formë kryesore ishte sterilizimi i femrës. Qysh në vitin 1981, kundrejt bijavet shqiptare që e ngrinin zërin për republikë, torturat kundër tyre dukeshin të pamjaftueshme, prandaj u vu në veprim edhe mjekësia sërbe me injektime sterilizues, të cilët realizonin shterpëzimin, me qëllim që të mos lindin më irredentistë, të mos shtohen më shqiptarët si fara e hithrit dhe të mos vazhdojë më shpërthimi demografik shqiptar.” (f. 542)
“Helmimi i nxënësvet nisi më 10 mars 1990, si raste të veçuar, në Podijevë, Vushtrri etj, që krijojnë përshtypjen e një eksperimenti. Mbas këtij eksperimenti, helmimi e përfshiu krejt Kosovën. Sipas të dhënavet zyrtare, deri më 24 mars 1990 në orën 14, nëpër spitale u vendosën 2993 nxënës. Në Prishtinë 756, në Mitrovicë 354, në Pejë 170, në Prizren 226, në Ferizaj 595, në Gjilan 619, në Gjakovë 273. Shenjat klinikë ishin: polimort shoqëruar me pamje të ndezur në fytyrë, skuqje e lehtë e konjiktivës, takikordi me ngërç të stomakut, alivanosje, frymëmarrje e vështirësuar, pa sindroma infektimi dhe pa kurtesh në lëkurë.” (f. 543)
“Sipas të dhënavet zyrtare, prej 22 deri më 29 mars 1990 në spitalet e Kosovës kanë kërkuar ndihmë 4009 vetë me simptoma helmimi. Më 26 prill 1990 gazeta Rilindja njoftonte se numri i të sëmurëvet i kish kaluar 5000 (pesë mijë) vetë. Të dhënat e mëtejshme pohojnë se helmimi i ka prekur rreth 8000 (tetë mijë) njerëz në Kosovë.” (f. 543-544)
* * *
Gjokë Dabaj (rezyme):
Ekziston ndër ne një thënie: Në më gënjefsh njëherë, e ke ti fajin, por në më gënjefsh edhe njëherë jetër, fajin e kam unë.
Tani, le ta perifrazojmë këtë thënie: Në m’i vrafsh njëherë disa mijëra njerëz, fajin e ke ti, por kur të guxosh e të m’i vrasësh pa ndërprerë për 150 vjet rresht qindramijë njerëz, fëmijë, gra, djem të rinj e burra të aftë për t’u mbrojtur, FAJIN E KEMI NE.
Nuk na e ka fajin Sërbia! Nuk na e ka fajin Greqia! Nuk na e ka fajin Sllavomaqedonia! Nuk na e ka fajin Mali i Zi! Nuk na e kish fajin Turqia! Fajin e kishim dhe e kemi ne! Jemi ne fajtorë, që të huajtë i plehërojnë tokat tona me trupat e njomë të fëmijëvet tanë! Jemi ne fajtorë që të huajtë guxojnë të na i përdhunojnë vajzat tona e gratë tona! Jemi ne fajtorë që të huajtë vijnë e na i rrëmbejnë pasuritë, ndërsa ne mbajmë sehir, zgërdhihemi dhe lejojmë që bota të na konsiderojë si kombi më i humbur e më pazoti në Evropë!
Shkencëtarët tanë, sociologët, historianët, filologët, të mos marrin nga një titull shkencor dhe pastaj të tundin zinxhirët sikur çoç kanë bërë! Një bajgë, një hale kanë bërë, dhe vetë ne s’jemi jetër, veçse bajgë e hale, në mos arrifshim të gjejmë mënyrat për t’u shpëtuar plojavet! Në mos arrifshim t’i orientojmë politikanët tanë të veprojnë si duhet e jo si nuk duhet!
Të pasurit tanë të mos e përkëdhelin veten me “zotësinë“ që kanë treguar duke vënë pasuri, por le të mendojnë e punojnë për kombin, të cilit i përkasin! Të gjithë e dimë dhe ata vetë e dinë, si e kanë vënë atë pasuri! Zgjebarakë janë, pijanecë janë, imoralë dhe fodullë janë, nëse nuk e çajnë kryet për vendin e për kombin e vet dhe nëse një pjesë të pasurisë nuk e vënë për t‘i shërbyer kombit të vet! Jo lëmoshë dhe jo duke i falur një pako oriz a sheqer një mjeraneje që e ka burrin sakat! Jo! Nuk është kjo detyra e të pasurvet! Detyra e të pasurvet është, ta bëjnë atdheun e vet aq të fortë e të zotin, sa, ai birboja i Beogradit të mos guxojë t’ua helmojë shqiptarëvet 5000 fëmijë! E tash të përgatitet të na helmojë që të gjithëvet me lloj-lloj vaksinash!
Politikanët të mos rrinë duke u shitur mend femravet: A e pe si e munda në zgjedhje kundërshtarin?! A po sheh kush jam unë?! Ke fat që je shtrirë në këtë krevat moteli me një mashkull si unë! Më fërko pak, se të jap para sa të mos i mbash dot me të dyja doçkat e tua! Ky moral duhet të marrë fund njëherë e mirë në kombin tonë!
Kombi shqiptar të mos rrijë duke u qaravitur e duke duruar! Por të kërkojë e të gjejë mënyrat për t’i dalë zot vetes dhe vendit të vet! Kombi ynë të mos e tolerojë një bastard, i cili përbuz gjuhën e vet dhe pëlqen një gjuhë që s’është tija! Nderoje, njihe dhe mësoje gjuhën e tjetrit, por jo të mos përdorësh gjuhën tënde! Gjuha jote të jetë perendia jote, gjuha e të tjerëvet le të jetë perendi e të tjerëvet!
Shqiptarët të mos paranojnë të bëhen sakaq: turq, grekë, sërbë, boshnjakë, malazezë, bullgarë, italianë, anglezë, amerikanë! Por të mbajnë gjuhën e të parëvet, të mësojnë historinë e etnisë e kombit të vet dhe t’i ruajnë si sytë pjesët pozitive të kulturës së vet kombëtare! Përndryshe, secili shqiptar s’do të jetë gjë tjetër, veçse një hiç, një asgjë, një amalgamë, përpara më të zakonshmit fqinj, me të cilin e ndan vetëm një korridor!
Shqiptarët atdhetarë të mos humbin kohën duke krijuar shoqatë pas shoqate, por të kërkojnë e të gjejnë rrugë për t’i siguruar, jo vetëm komunitetit ku jetojnë, por krejt kombit të vet një jetë të gjatë e sa më të sigurtë që të jetë e mundur!
Unë e kam hartuar tashmë një program të tillë, kombëtar dhe afatgjatë, me zbatimin e të cilit ky komb do të mund ta sigurojë përjetësinë dhe zhvillimin e pandërprerë.
Ju ftoj (në fund të kësaj pasqyre kaq të hidhur, deri në padurueshmëri), ju ftoj të gjithëvet ta studioni këtë program dhe t’i hyjmë punës për ta zbatuar! T’i lëmë mënjanë mendjemadhësitë, t’i flakim tutje fodullëkun dhe cektësinë e të menduarit dhe të mos e heqim nga mendja që fëmijët tanë sërish një ditë mund të nxirren nga barqet e bijavet tona me bajoneta!
Gazetarët tanë të mos rrinë e të merren me kuriozitete, me të cilët gënjehet e joshet publiku miop, por të bëhen njerëz seriozë, vërtet seriozë, sepse prej punës së tyre, prej fjalës së tyre, të folur e të shkruar, kombi pret shumë më tepër. Bëhuni njerëz të nderuar! Bëhuni prijës modestë! Jo sharlatanë e tërtëlecë!
Në çdo kohë, në çdo komb, ka pasur dhe ka tradhtarë. Në kombin tonë më shumë se te kushdo tjetër dhe kjo, për faj të asaj pjese që nuk ishte tradhtare! Për faj të saj, sepse pikërisht ajo, pra pjesa e ndershme, pjesa jotradhtare, është treguar tepër e mefshët, tepër e butë. Madje pjesa pozitive e këtij kombi, është treguar aq e pavetëdijshme, aq sylëbyrur, sa edhe këto ngjarje gjakderdhjesh nga më të tmerrshmet, ka përtuar t’i lexojë.
Tani e tutje, pjesa atdhetare e jona duhet ta ndryshojë vetëveten mençurisht dhe, puna e parë që duhet të bëjë, është, që shërbëtorit të të huajit t’i dridhet këmisha në shtat para se t’i laguriset atij që na ka vrarë e na ka djegur! Gjaku i viktimavet tona po vlon dhe po u bën thirrje brezavet, për të mos i zënë gjumi kurrë më!