Portreti/intervista

Flet “Artisti i Popullit” Luftar Paja: Ju tregoj anën tjetër për zakonet dhe tekat e mia

Flet “Artisti i Popullit” Luftar Paja: Ju tregoj anën tjetër për zakonet dhe tekat e mia

– Skena e “Bylisit” ishte ajo që më futi në gjirin e saj pa shkuar ende brisk në faqe dhe u largova prej saj 3 herë gjysh

 Albert Z. ZHOLI

Me Luftarin thuajse komunikoj çdo ditë në telefon, por pa diskutim do takohemi përballë gjatë një jave. Luftar Paja lindi në Gorishovë të Mallakastrës më 1 dhjetor 1941. Pas mbarimit të shkollës së mesme elektrike e pedagogjike në vitin 1963 mbaron studion 1 vjeçare për aktor në teatrin popullor. Qysh në moshë të re spikat talenti i tij si aktor. Kontribut të madh në formimin e tij si aktor ka dhënë regjisori Llazar Verria dhe veçanërisht aktori dhe regjisori i talentuar Pëllumb Kulla. Luftëtari është nderuar me medalje të çmimit të parë në vitin 1969 për kontributin e dhënë në grupet amatore, është nderuar me medaljen “Naim Frashëri” e klasit të parë. Në vitin 1968 u emërua aktor profesionist në estradën e Fierit. Në vitin 1971 është ndër të parët në krijimin e Teatrit Bylis Fier. Luan në teatër në dramën “Hijet e natës”, “Fejesa e Çehovit”. Ndër rolet më të spikatura të aktorit Luftar Paja janë: “Çobo Rrapushi me shokë” në rolin e Çobos. Në dramën “Vite të paharruara”. “Fytyra e dytë”. E në qindra e qindra komedi me nje akt. Në vitin 1979 merr titullin “Artist i Merituar”. Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistik. Ku ka spikatur me role në filma patriotik si “Këshilltarët”, “Guna përmbi tela”, “Nëntori i dytë”, “Gjeneral Gramafoni”. Filma me temë të asaj kohe si “Ëndrra për një karrige”, “Zëvendësi i grave” etj. Ai ka luajtur përkrah aktorëve të mëdhenj shqiptar si Rolan Trebicka, Sandër Prosi, Mirush Kabashi, Hajrie Rondo, Kadri Roshi etj. Në vitin 1990 merr titullin e lartë “Artist i popullit”. Në vitin 2001 është shpallur “Qytetar nderi i Fierit”. Në 31 maj të vitit 2005 atij i jepet titulli “Nder i Qarkut Fier”.

 

Artistët kanë dy jetë, atë të skenës dhe atë të përditshen mes njerëzve në rrugë, në kafene, në ambiente të ndryshme. Si është jeta e përditshme e Luftarit?

Jetët tona të përditshme si janë? Jeta e përditshme e një humoristi është si jeta e përditshme e çdo qytetari. Jetë që ka baticat dhe zbaticat e veta, sepse në fund të fundit humoristi para se të jetë profesionist është një qytetar, një familjar, një prind, një bashkëshort, një shok. Çdo profil i analizuar në domethënien e vet. Në shoqërinë njerëzore ka dashamirësi, dashaligësi ka të mirat dhe të këqija. Kështu dhe në familje dhe në shoqëri. Nuk është se çdo gjë shkon vaj. Por humoristi ka një favor, e joshin të gjithë për atë veçanti që ka. Nga përvoja e mësuesve të mi të humorit, ose parakohësve të mi, kam vërejtur që humoristi kërkon të bëjë humor vetë, por kur të tjerët kërkojnë të bëjnë humor me të, atij nuk i vjen ëmbël. Dhe kjo gjendet pothuaj te shumë artistë të humorit. Nuk e mirëpresin humorin, që bëjnë të tjerët me personin e tij, sepse i duket sikur ato i dinë të gjitha. Këtu duhet të tregohet artisti i kujdesshëm, sepse njeriu nuk mund t’i dijë të gjitha. Unë sa ngrihem nga krevati nuk dua të qëndroj në shtëpi, por duhet patjetër të kontaktoj me njerëzit. Sa hap sytë në mëngjes, gjëja e parë që bëj, kap pultin e televizorit dhe kërkoj të marr informacion se çfarë bëhet e çfarë s’bëhet në këtë dynja. Sigurisht që pika e parë e itinerarit të ditës janë titujt e gazetave. Mbasi informohem me to, e mbyll televizorin dhe kryej detyrat e mia si të gjithë njerëzit, tualetin e mëngjesit, më pas konsumoj mëngjesin. Gjatë vaktit fillestar të ditës ha vetëm një mollë nga ato majhoshet ,sepse më ndihmon në luftën kundër diabetit. Pas mëngjesit, shkoj në lokal dhe pi një çaj kamomili. Pas kamomilit puna e parë që bëja, bashkohesha me shokët e mi të punës në teatër ose në kafen më të afërt të teatrit dhe pija një çaj tjetër. Më shumë se dëshirë për të konsumuar, është një rit për të qenë pranë miqve të mi të një profesioni. Shkëmbeja me ta mendime dhe mbasi kaloja një dy orësh nën shoqërinë e tyre, siç e kam pasur zakon gjithnjë, takoj njerëzit. Kur isha në punë, më kishte dalë nami se punën e filloja në orën 9 të mëngjesit, por nga shtëpia dilja që në orën gjashtë. Mendoj se kjo nuk është modesti e tepruar. Por unë takohem me njerëzit dhe kam kënaqësinë më të madhe kur ata më shprehin shqetësimet e tyre, simpatitë që kanë për punën time. Reagimet e njerëzve më kanë dhënë tërë jetën kënaqësi ndaj kur më jepet mundësia, jam i predispozuar për t’i ndihmuar. I përkushtohem me shumë dëshirë derisa t’i zgjidh punën. Kjo gjë më ka shërbyer në jetë, sepse më ka ruajtur avenirin tim. Nuk e kam bërë me qëllimin e caktuar, sepse më duhet etiketa e modestit. Unë e kam bërë sepse e kam në karakter dhe jam i predispozuar që të ndihmoj gjithë njerëzit, duke parë se në jetë kam vuajtur shumë, ndaj kam dëshiruar t’i ndihmoj dhe t’i lehtësoj sadopak dhimbjet e tyre. Unë nuk e bëj për t’u dukur. Është një gjë e lidhur me karakterin tim. Dhe meqë ishim duke folur për zakonet e mia më pëlqen që drekën ta ha gjithnjë i shoqëruar dhe mos ta konsumoj vetëm. Ndoshta-ndoshta dhe në shtëpi kur shkoj nuk më shijon dreka vetëm, dua të kem afër gruan ose fëmijët ose ndonjë mik. Por, dhe kur jam jashtë familjes, në ndonjë restorant mua nuk më shkon dreka vetëm pa ndonjë shok. Pija ime e preferuar është rakia. Më e bukura është që nuk dua shumë si volum, sepse preferoj cilësinë. Por jam dhe pak “kafshë mishngrënëse”. Përgjithësisht me rakinë shkoj deri në stadin e të qenit një solucion i ngopur, por vetes i kam vënë objektivin: ditën që do më merren mendtë dhe do më ngatërrohen këmbët nga rakia, nuk do e vë më në gojë. Mbas të ngrënit e kam zakon të shtrihem një orë pasdreke që mund të jetë ora 14 ose 15 e drekës. Ky zakon ka ndryshuar me kohën. Kur isha në jetën intensive të punës nuk kam pasur kohë ta respektoja këtë rit, por tani që kam dalë në pension, unë e kam kthyer në një regjim të përditshëm. Ka disa vite që e aplikoj dhe çuditërisht, e ndjej veten shumë mirë kur e zbatoj. Mbi të gjitha, fik celularin, sepse në atë orë nuk dua të më shqetësojë njeri dhe më duket se rigjeneroj forcat e mia. Mbas gjumit, çohem, në qoftë se është koha për të dalë bëj një shëtitje dhe i bie Tiranës rreth e qark më këmbë, sepse më duket sikur një orë e gjysmë lëvizje më këmbë tret ushqimin e drekës. Kam 20 vjet që nuk pi kafe, por vetëm çaj. Ndodh, që pasditeve nëse ka ndonjë aktivitet në teatër, ta ndjek me kureshti. I respektoj shumë ftesat që më bëjnë, ndonjë panair, shkoj në shfaqjet e Operës dhe Baletit. Në darkë kam recetën time të ushqimit: një kos me bukët e thata që në Greqi i quajnë “frikanja” dhe mbas tyre unë mund të lexoj nga ora 9 deri në 2 pas mesnate. Ky është rituali im. E ndjej veten shumë mirë me këtë lloj programi që ndjek. Zakonisht në darkë fle gjumë mbas orës 12-të.

 

Si e kujton Teatrin e “Bylisit”?

Unë jetoj prej disa vitesh në Tiranë, por kam një mall të veçantë për skenën e “Bylisit” të Fierit. Nuk do të them ndonjë gjë të veçantë nga ato që kanë thënë kolegët e mi. Aktori në rolet që ka bërë, ka derdhur djersë. Dashurohet aq shumë pas personazhit sa bëhet njësh me shpirtin e tij. Në 37 vjet punë artistike numëroj rreth 350 role në estradë, teatër dhe kinematografi. Meritë të veçantë për mua, kanë ato role që përmend spektatori, duke më thirrur me emrin e tyre. Të flasësh për mall është pak, sepse ka qenë skena e “Bylisit” ajo që më futi në gjirin e saj pa shkuar ende brisk në faqe dhe u largova prej saj 3 herë gjysh. S’mjafton një libër për të shprehur mallin që kam për atë skenë e sidomos për spektatorin artdashës dhe të kulturuar fierak, pa harruar kolegët të cilët i respektoj dhe i dua me gjithë shpirt. 700 role mbi supe dhe 130 premiera estrade, janë vite pune, që nuk ma kanë lodhur pasionin e artistit për figurat e humorit .

box

NGA PËRVOJA PROFESIONALE

Teatri apo filmi?

Teatri dallon nga filmi për të vetmen arsye se në teatër një gjë që nuk e bëre sonte, do mobilizohesh e do ta bësh nesër. Në teatër mund ta korrigjosh gabimin. Në kinematografi gabimin nuk e korrigjon dot. Filmi ka lodhje më të madhe, sidomos për kohën që e bënim ne. Atëherë jetonim me kushte të vështira. Kur xhironim filmin e parë, unë ndenja 3 muaj në Dardhë të Korçës pa shkuar në shtëpi. Mjafton të përmend filmin “Gunat mbi tela” ku kemi ndenjur 3 muaj të veshur me rroba leshi dhe s’është kollaj të punosh në pikun e vapës, qershor, korrik, gusht, veshur me rrobat e leshta, shajakë, fanella dhe sipër të gjitha këtyre dhe gunën. Kini parasysh që ato mbaheshin gjithë ditën, sepse njëherë përgatitej terreni, njëherë nuk vinin figurantët, njëherë do merreshin kuajt, njëherë ndriçimi. Do rrije me rrobat e leshit veshur në kulmin e vapës. Ndaj mund të them se po të mos qe deti ku pas xhirimeve kridheshim në të, deklaroj me seriozitetin më të plotë se do kishim zënë parazitë. Na i largoi kripa e detit.  Edhe faktet kanë treguar se unë jam ndjerë më mirë në skenën e teatrit. Mendoj se ndihem më familjar dhe jam më i efektshëm në teatër, në fushën e humorit. Unë kam karakteristikën e veçantë se kam preferuar skeçin e gjatë, atë të karaktereve dhe nuk kam qenë i shquar për humorin e batutës, apo humor të çastit. Unë kam preferuar humorin e organizuar, ndaj duke bërë një bilanc mendoj se kam qenë më i suksesshëm në skenë. Të jesh aktor do të thotë të zbavitësh të tjerët dhe në të njëjtën kohë të zbavitesh edhe vet. Është një KATARSIS si për spektatorin, por në radhë të parë për aktorin. Ti rrëmben një personazh, që ka një ide, ka një fytyrë, një tip, mendime dhe veprime që nuk janë si të tuat, por profesionalisht duhet t’i bësh të tuat. Dhe atëherë i futesh lojës. Të jepet kështu mundësia për të qenë dikush tjetër, ndoshta një njeri që ti ke dashur të ishe, por në jetën reale për gjithë veçoritë e tua nuk munde të ishe dot. Dhe në skenë mund të bëhesh bukurosh, mashtrues, ngashënjyes dhe të tërheqësh gjithë femrat e botës edhe pse mund të ndodhë që jashtë asnjëra nuk të kërkon t’i fikësh më dritat. Ndoshta dhe mund të ndodhë, por për shkak të gjithë historisë tënde, moshës, familjes e prestigjit nuk i bën dot më. Por ja që ti je në personazh dhe aty ke mundësi të tregohesh garip, të mos ia varësh dhe aq shumë seksit të kundërt, mund të jesh pasanik i madh, kryetar, bos e çfarëdolloj personazhi mund të jesh. Dhe aty, mbi skenë, ti mund ta bësh luftën tënde në mënyrën më të përsosur, duke u bërë heroi i idealit. Mund të ndodhë që të japësh jetën për këtë ideal. Gjë që në jetën reale kostumet moderne ia kanë eliminuar ekzistencën, duke e quajtur rëndom, marri. Ti e ndërton personazhin në mënyrën më të mirë të mundur. Duke futur përvojën e të tjerëve, të njerëzve që kanë bërë bujë me jetën e tyre. Dhe pastaj kombinon aty filozofi, bukurinë e situatës, transformimin e thellë kostumor dhe plastik, fut nëntekstin dhe nënkuptimin, alegorinë, metaforën, humorin. Pastaj ti fut në lojë idetë e tërthorta, goditjet e fshehura dhe sheh se rreth e qark lëmit ku është ekspozuar ky arsenal, mblidhen më shumë e më shumë njerëz që emocionohen, qajnë dhe qeshin. Loja që ti ndërton me partnerët në skenë kthehet në jetë, art, biznes, e përditshme, e ndërkryer. Ai që të ndjek së bashku me ty sheh veten dhe shkrihet në të. Nëpërmjet personazhit tënd ai ëndërron bashkë me ty…