Shqipëria/Aktualitet

Krifca për situatën nga reshjet: Strukturat në gatishmëri për çdo ndërhyrje

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/- Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në ndjekje dhe komunikim të vazhduar me Drejtoritë e Ujitjes dhe Kullimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të cilat janë të mobilizuara në terren dhe po monitorojnë nga afër çdo ndikim të reshjeve në vend, ka bërë me dije përditësimin mbi situatën e krijuar.

Ministrja thotë se deri tani rezulton se në zonën e Vlorës dhe të Fierit, ka rritje të nivelit të lumit Vjosa.

“Jemi në ndjekje dinamike të nivelit të ujit. Strukturat janë në gatishmëri të plotë.”, shprehet Krifca.

Ajo gjithashtu komunikon se në zonën e Beratit ka rritje të nivelit të lumit Osum. Në rrjetin e kanaleve kulluese ka nivele të larta të ujit, megjithëse ky rrjet funksionon me kapacitet të plotë. Njëjtë në zonën e Gjirokastrës, ku gjithashtu, ka rritje të nivelit të lumit Drinos. Teksa, në zonat Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës nuk paraqiten problematika. Në zonën e Korçës, pavarësisht niveleve të rritura të lumit Devoll, deri tani nuk paraqiten dalje të ujërave në sipërfaqe të tokave.

“Të gjithë hidrovoret janë në funksion të plotë dhe monitorim. Jemi në terren, në ndjekje të situatës”, shprehet ministrja Krifca.

Postimet e fundit !