Shqipëria/Aktualitet

Fjalimi i famshëm i Fan Nolit në Parlament në shtatorin e 1923 për pesë anarkitë e shoqërisë sonë

Fragmenti i mëposhtëm është i famshëm në mjedisin letrar dhe politik të Shqipërisë. Por sado që ka kaluar shumë kohë që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, kur edhe fjala e Fan Nolit u bë publike, aktualiteti i saj është therrës për vërtetësinë që përcjellë.

Ndaj Shakaxhiun e Përparimit që e hasim shpesh si term që ja ngjisin ndokujt mund ta meritojë secili prej këtyre “burrave të shtetit” që bëjnë nga pak edhe gaztorin e popullit. Po e sjellim fjalën e Nolit jo vetëm për ta lexuar ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por edhe për të lënë të lirë të gjithë të gjejnë aktualitetin e saj te çdo qeveri që ka kaluar këtej pari por edhe te një pjesë e madhe e shoqërisë sonë.

Nga Fan Noli

“(…) Nemëni leje tani të përshkruaj, me pak fjalë historinë dhe teatrin, ku Ahmet Zogu bëri dhe vazhdon shakanë e tij. Në konfuzion të përgjithshëm dhe i ndihmuar prej lajthimeve fatale të kundërshtarëve të tij, Ahmet Zogu rrëmbeu fuqinë të cilën po e mban në dorë.

Kjo s’është gjë e zorshme për të bërë, po të merret ndër sy që në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e popullit.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë dita-ditës si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një dite, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit..

Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e ketyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin.

Jemi ngarkuar me barrën të vemë urdhër e rregull në mes të këtyre pesë anarkive. Hodhëm një sy mbi problemin e tmerruar që kishim përpara e na u ngjethën mishrat, po s’u trembëm e iu përveshëm punës.

Qysh mund të hezitonim e të ndruheshim? A ka ideal më të lartë, se sa të nxjerrësh vendin tënd nga shpella e errësirës, ta shërosh nga plagët shekullore, ta lirosh nga thonjtë e nga gërshërët e hydrës së anarkive? A ka ideal më bujar se sa të krijosh e të vesh një racë të re, të fortë e të disiplinuar, me fenë e detyrës në zemër, me diellin e lirisë në ballë e me flamurin e sakrificat për të mirën e përgjithshme në dorë?

Ja një punë për një komb ndërtonjës, për nation-buldier, ja një punë për një trim legjendar, ja një punë për një gjysmë perëndi.

Po këtë punë gjysmë perëndie dhe tiranie e rrëmbeu dhe e mban në thonjtë e tij një shakaxhi i turbullt, i cili mbi të pesë anarkitë që ekzistonin shtoi dhe dy anarki të tjera: anarkinë shtetërore dhe anarkinë ekonomike dhe financiare.

Shakaxhiu vazhdon në fuqi, i ndihmuar prej këtyre anarkive dhe i përkrahur prej shokëve militantë, të cilët s’duan të njohën e të ndreqin lajthimin nistor që bënë kur e vunë në krye të punës.

Shakaxhiu, duke parë që shokët mërziten, e ndryshon nga koha në kohë shakanë, e kabineti e partizanët e tij flenë rehat gjersa shohin që shakaja bëhet më e keqe dita me ditën (…)

Mbetet e mbetet Ahmet Zogu i rrethuar prej kolltukofagësh dhe i qarkuar në shpellën e tij prej mizërie hafiesh e dallkaukësh; mbetet ky shakaxhi që pretendon oksidentalizëm e liberalizëm, kur ushqen në zemër të tij idealet më të errëta të orientit; kur shkel liritë e popullit dhe shkatërron arkën e shtetit për të arrirë qëllimet e tij personale.

Ne deputetët e opozitës jemi të shtrënguar ta ndalojmë këtë shaka. Me çfarëdo mënyre. Ndryshe kjo nuk do të jetë shakaja e fundme e Shqipërisë (…)”