Përshëndetja e z.Xhemajl Pllana, në emër të Shoqërisë “Lëvizja”
Shoqëria Lëvizja është asociacion joqeveritar e joprofitabil, i regjistruar në institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës. Për Shoqërinë Lëvizja ky vit ishte jubilar, sepse përkon me dyzetvjetorin e Themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosvovës, prandaj ky vit ishte përplot aktivitete, takime e manifestime, akademi e simpoziume shkencore në të gjitha viset e banuara me shqiptarë këtej dhe andej Drinit.
Shoqëria “Lëvizja”, i ka vënë vetes për detyrë që të promovoj veprimtarinë dhe vlerat çlirimtare të popullit tonë dhe, në veçanti, vlerat e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ajo ka marrë përsipër që t’u pëcjell mesazhin e domosdoshëm brezave që vijnë se në trojet tona të pushtuara ka patur rezistencë, ka patur aktivitete të pandalshme, ka patur demonstrata të fuqishme, ku kanë rënë qindëra dëshmorë, ka patur djem e vajza të guximshme e sypatrembura, që kanë guxuar të ngjiten mbi tankset e armatës dhe policisë vrastare serbosllave dhe kanë vendosur flamurin tonë kombëtar, ka patur dhe luftë çlimtare, për të cilën është derdhur lum, gjaku i popullit, për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë, dhe e cila ka rezultuar me fitoren e madhe të Lirisë dhe me shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ne, këtë po e bëjmë dhe do ta bëjmë, sepse e kemi parë, mbase dhe si të domosdoshme, sepse për të gjitha këto bëma të lavdishme të popullit dhe të Rinisë tonë heroike, sikur po heshtet nga institucionet tona arsimore e shkencore të pas luftës çlirimtare. Sepse po bëhen 24 vite të pas luftës së UÇK-së, dhe ende në shkollat tona nuk mësohet për këtë pjesë të historisë tonë të lavdishme, sepse ende nuk figuron si temë e posaçme në planprogramet tona mësimore. E nuk thuhet kot, se kur historia harrohet, ajo edhe mund të përsëritet.
Ne mendojmë, se brezat që vijnë, duhet të mësojnë se lufta jonë ka qenë tepër e vështirë, se ne kemi vepruar e kemi luftuar si në “gojë të ujkut”. Se idealistët tanë, luftëtarët tanë, dëshmorët tanë, trima e sypatrembur, të të dy gjinive, e kanë thyer atë “mitin” e disfatistëve se “murit nuk i bihet me kokë” sepse, edhe historia na ka dëshmuar se kur një popull e ka guximin dhe vendosmërinë për të fituar Lirinë, nuk ka mur që nuk mund të rrëzohet. Prandaj, djemtë dhe vashat tona, dëshmorët tanë, së bashku me popullin, e goditën ate “mur”, e rrëzuan, dhe e çliruan një pjesë të atdheut tonë, për ta bërë vend të lirë e të sigurtë për fëmijët tanë e për brezat që do të vijnë.
Ne, jemi të vetdijshëm se luftën e kemi bërë së bashku me popullin, me veprimtarë, atdhetarë, luftëtarë e dëshmorë, që kanë patur dhe mendime të ndryshme, mirëpo qëllimin e kemi patur të përbashkët, prandaj ne, i vlerësojmë dhe i nderojmë me pietet e me mirënjohje, të gjithë ata që kanë bërë diçka dhe ata që na kanë sjellur deri këtu ku jemi.
Gjatë këtij viti, ne kemi mbajtur me dhjetëra akademi mirënjohjeje, kemi bashkëpunuar e jemi mbështetur nga kryetarët e komunave, pavarësisht se kush nga subjektet politike e kanë patur pushtetin në Kosovë e në Maqedoni.
Shoqëria “LËVIZJA”, ndër të tjera, ka vendosur dhe banerin e madh me fotot e Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës në qendër të Prishtinës. Ajo ka vendosur dhe po vazhdon të vendosë pllaka dhe banerë, që do të mbesin monumente në gjithë hapësirën shqiptare.
LPK ishte organzata, në themelet e të cilës qëndronte gjaku i udhëheqësve të popullit kryengritës, gjaku i Jusuf Gervallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës. Ata ishin e mbeten simbol i bashkimit. Lëvizja Popullore e Kosovës ishte organizata, që ka organizuar dhe ka bërë qindra demonstrata në hapësirën shqiptare nën ish Jugosllavi dhe jashtë vendit, në të cilat populli kërkonte të drejtat e veta për liri, pavarësi e për bashkim kombëtar.
Duhet theksuar se bashkëvendasi ynë dhe juaji, tani Heroi i Kombit, Xhavit Haziri, nga Druari i Vushtrrisë, ishte njëri nga veprimtarët më të devotshëm të LPK-së së viteve 80-a e 90-ta. Ai ishte njëri ndër themeluesit kryesor të UÇK-së, i cili në shtator 1998 është kidnapuar nga policia sekrete serbe dhe më nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Në Kastriot, në shtëpinë e Sylejman e Rahime Krasniqit, ishte vendosur baza e shtypit ose shtypshkronja e Lëvizjes, ku kanë milituar kolosët e Lëvizjes tone kombëtare: Ahmet Haxhiu,Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e Bahri Fazliu, Fadil Vata me shokë e shoqe. E pikërisht aty, në rrugën “Kruja”, pas pak do të zbulohet Pllaka Përkujtimore – nderimore.
Kastriot, më 20.12.2022
add a comment