Të nderuar anëtarë të familjes atdhetare Agaj!
Të nderuar pjestarë të familjeve të Dëshmorëve, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë!
Të respektuar të pranishëm!
Në emër të Shoqërisë LËVIZJA, ju përshëndes dhe ju falënderoj përzemërsisht, për kohën që keni gjetur për të marrë pjesë në këtë manifestim modest, ku do të zbulojmë pllakën përkujtimore e nderimore, me të cilën shënojmë këtë shtëpi dhe familjen Agaj, si vend i rëndësishëm dhe bazë e sigurtë qëndrimi e veprimi për shumë veprimtarë të Lëvizjes së rezistencës dhe luftës sonë për çlirim nga okupatorët serbo-jugosllav.
Pronarët e kësaj shtëpie, atdhetarët e paepur, Mustafë dhe Nurije Agaj, në këtë truall kanë ardhur nga Hogoshti i Kamenicës.
Ata kanë rritur dhe edukuar në frymë atdhetare e liridashëse fëmijët e tyre, tre djemtë: Qemajlin, Naserin dhe Enverin ….
Sikurse Mustafa dhe Lokja Nurije, ashtu edhe anëtarët e tjerë të familjes, ishin të përkushtuar për të dhënë gjithaçka që kishin për Lëvizjen, veprimtarët e saj, për rezistencën antipushtuese dhe për luftën çlirimtare.
Dera e kësaj familjeje është mbajtur gjithmonë e hapur dhe sofra e shtruar për shumë veprimrtarë e atdhetarë sidomos pas demonstratave të pranverës së vitit 1981.
Mustafa kishte qenë shok, bashkëveprimatrë e bashkëfshatarë hogoshtas me herojët Rexhep Mala e Isa Kastrati. Posa ishte liruar nga burgu Rexhep Mala në vitin 1982, Mustafa e kishte kontaktuar duke i thënë se në çdo kohë dhe në çdo rrethanë mund të llogaritë në mbështetjen e tij, të familjes së tij dhe dera e shtëpisë së Agajve në Prishtinë, do të jetë e hapur gjithmonë për Të dhe për shokët e tij.
Mund të jetë tejet e gjatë lista me emrat e veprimtarëve e luftëtarëve që qëndruan, vepruan dhe palnifikuan aksionet çlirimtare nga kjo shtëpi.
Në ambientet e shtëpisë së Mustafës dhe Lokes Nurije Agaj, qëndruan dhe nga këtu planifikuan dhe koordinuan veprimtarinë Rexhep Mala e Nuhi Berisha, ku kishin pritur e përcjellur veprimtarë nga të gjitha trojet e pushtura shqiptare.
Pas rënies heroike të Rexhepit e Nuhit në janar të vitit 1984, komunikimi me familjen Agaj dhe shfrytëzimi i shtëpisë së Agajve si bazë e Lëvizjes, kishte vazhduar, ngase ishte adresë e njohur për veprimtarë liridashës dhe se e tërë familja ishin të përfshirë në organizimin e Lëvizjes së fshehtë antipushtuese.
Ata sërish ofruan shtëpinë për veprimatrët Fehmi Lladrovci, Xhavit Haziri, Shaban Shala që sot janë heronjë të Kosovës.
Pastaj veprimtarë të shquar të Lëvizjes qëndruan në këtë shtëpi ku ndiheshin të sigurtë kurse familja Agaj, kujdesej për ata njësoj si për anëtarë të familjes së tyre, Në këtë shtëpi ndër të tjerë qëndruan veprimtarë të njohur si; Emrush Xhemajli, Teuta Hadri, Teuta Bekteshi, Hajdin Abazi, Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, Elmi Zeka, Avdullah Derguti e shumë të tjerë .
Pas fushatës së arrestimeve në vitin 1985, shtëpia dhe familja Agaj rrethohen nga policia pushtuese, dhe e tërë familja maltretoeht brutalisht.
Arrestimet, torturat e maltretimet vetëm sa përforcuan bindjen e anëtarëve të kësaj familjeje për të mos u ndaluar, por për të vazhduar rezistencën dhe luftën. Ata krijuan kontakte të reja me veprimtarë të tjerë, për të vazhduar aktivitetin në rrugën e lirisë. Në këtë shtëpi qëndran edhe bashkëveprimtarë të heronjëve Afrim Zhitija, Fahri Fazliu e Fadil Vata. Për pak kohë këtu janë struahuar edhe sot dëshmori Bahri Fazliu dhe veprimtari Arben Krasniqi.
Bijtë e Mustafë dhe Nurije Agajt, Qemajli, Naseri dhe Enveri, asmnjëherë nuk e pushuan veprimtarinë e tyre në kuadër të Lëvizjes. Ata edhe pas largimit të detyrueshëm nga Kosova aktivitetin e tyre liridashës nuk e ndalen dhe me gjithë qenien e tyre ndihmuan, Lëvizjen, luftën dhe Ushtrinë Çlirimatre të Kosovës deri në çlirimin e vendit.
Populli shqiptarë në përgjithësi dhe shoqëria Lëvizja në veçanti gjithmonë do të jetë mirënjohës për familjen Agaj, e cila u angazhua me vetmohim në kohën kur rreziqet ishin të mëdha, dhe u vu në shërbim të Lëvizjes, luftës dhe lirisë.
Sot ne përkujtojmë me respekt e pietet Loken Nurije dhe Mustafë Agajn dhe falënderojmë anëtarët e familjes Agaj për kontributin e dhënë në rrugën e lirisë duke u bërë kështu pjesë e historisë sonë më të re. Ju falemnderit!