Fatos Tarifa: Përçudnimi i botës së sotme… Një analizë mbi atë që njihet si “diplomacia publike”
Disa ditë më parë, në Takimin e 7-të të Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Global të Dimplomacisë Publike (Global Public Democracy Network—GPDNet), që u mbajt në Doha, Katar, UET Center u pranua si anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë. E krijuar në vitin 2014, në Seul, nga nëntë institucione publike e kulturore nga vende të tillë si, Filipinet, Korea, Nigeria, Polonia, Portugalia, Singapori, Suedia, Taivani dhe Turqia, GPDNet ka shërbyer dhe shërben si një platformë që i kontribuon komunitetit ndërkombëtar përmes iniciativave kulturore të shoqërisë civile, duke inkurajuar bashkëpunimin mes shoqatave, qendrave kulturore e studimore dhe institucioneve të ndryshëm në vendet pjesëmarës në këtë organizatë. GPDNet përbëhet nga institucione jofitimprurës, që promovojnë diplomacinë kulturore dhe publike, duke shërbyer si një “soft power” që i kontribuon gjetjes së zgjidhjeve inovative, të orientuara në hartimin e politikave që lidhen me çështje që preokupojnë shumë vende dhe rajone të botës.
Prezantimi i UET Center në atë takim u bë nga studiuesi dhe dipolomati i njohur Fatos Tarifa, Profesor i Sociologjisë dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin European të Tiranës. UET Center është një prej dy institucioneve (i dyti është një institucion bullgar), që u pranuan në GPDNet këtë vit si anëtarë me të drejta të plota, ndër shtatë institucione që kishin aplikuar për t’u anëtarësuar në këtë organizatë nga shtatë vende të ndryshëm dhe do të jetë, këtej e tutje, i vetmi institucion shqiptar pjesëmarës në këtë Rrjet Global të Diplomacisë Publike.
Përveç prezantimit formal që Prof. Tarifa bëri në atë takim të Asamblesë së Përgjithshme të GPDNet, për të avancuar kandidaturën e UET Center për anëtarësim, ditën e fundit të Takimit të 7-të të Asambesë së Përgjithshme të GPDNet, Prof. Tarifa bëri një ndërhyrje të gjatë, të cilën e botojmë të plotë më poshtë.
* * *
I ndertuar z. Sekretar i Përgjithshëm,
Ishte një kënaqësi e veçantë për mua të merrja pjesë në këtë takim të 7–të të Asamblesë së Përgjithshme për të prezantuar Qendrën UET si një kandidate e mudshme për t’u anëtarësuar në GPDNet.
Dëshiroj të falenderoj Sekretariatin e GPDNet për vlerësimin pozitiv të kandidaturës së Qendrës UET, si dhe për ftesën për të marrë pjesë në këtë takim. Dëshiroj, gjithashtu, t’ju përgëzoj juve, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, për rolin dhe kontributin tuaj këto tri ditë në seancat e këtij takimi të Asamblesë së Përgjithshme, si dhe për vizionin tuaj largpamës për zgjerimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij Rrjeti Global të Diplomacisë Publike në një Organizatë Ndërkombëtare të Diplomacisë Publike.
Deri më sot më është dhënë rast të mar pjesë në dhjetra, madje në qindra konferenca ndërkombëtare, në seminare dhe tryeza diskutimesh—akademike ose diplomatike—dhe, sigurisht, jo të gjitha kanë qenë interesante, për të mos thënë se ka pasur ndër to edhe të tilla, që kanë qenë të mërzitshme, madje edhe humbje kohe. Pak prej tyre kanë qenë kaq interesante dhe me një vlerë të tillë si diskutimet e këtyre tri ditëve të fundit. Këto disktutime dhe shkëmbimi i përvojave dhe i vizioneve me kolegë dhe miq nga Hungaria, Turqia, Bullgaria, Kuba, Meksika, Gjeorgjia, Katari, Rumania, Gana, Ruanda, Malajzia etj, kanë qenë një eksperiencë e shkëlqyer dhe mjaft e dobishme.
Mjafton të përmend vetëm këtë fakt: në një bisedë të shkurtër që bëra me dy përfaqësueset e një shoqate kulturore në Tbilizi, Gjeorgji, vumë në dukje ngjashmëritë e shumta që ekzistojnë në historitë dhe kulturat tona kombëtare—dy popuj të lashtë, që flasin dy prej gjuhëve më të vjetra në Europë, fate historikë të ngjashëm nën pushtues të shumtë, tradita dhe kode zakonorë shumë të ngjashëm, përfshirë edhe zakonin e gjakmarrjes, i ushtruar ndër shekuj sipas regullave dhe ritualeve thuajse identikë, këngët polifonike, një tjetër traditë shumë e pasur, të cilën e gjejmë të ruajtur me shumë kujdes si në Shqipëri, edhe në Gjeorgji etj. Unë vetë jam dëshmitar i këtij pohimi të fundit sepse i kam dëgjuar këngët polifonike dhe i kam parë vallet tradicionale gjeorgjiane të kënduara e të luajtura në Tbilizi pak kohë më parë.
Z.Sekretar i Përgjithshëm,
Unë, ashtu si ju dhe si çdokush tjetër në këftë sallë, e dimë se diplomacia publike nuk e zëvendëson dhe as e zhvlerëson diplomacinë profesionale; ajo është komplementare me të dhe mund të jetë po aq efektive sa ajo. Duke qenë rrjeti më i gjerë i diplomacisë publike, që shtrihet në të gjithë kontinentet e globit, GPDNet ka realisht një potencial të madh për të krijuar ura që lidhin mes tyre popuj dhe kultura të ndryshme, ura përmes të cilave të mund të udhëtohet dhe të shkëmbehet lirisht për të krijuar së bashku një botë më të mirë. Kjo nuk është një një gjë e pamundur, një utopi. Por, edhe nëse ka njerëz që mund ta konsideronin këtë një dëshirë utopike, unë do të preferoja të përdorja fjalët e sociologut të shquar Anthony Giddens për ta quajtuar atë një “utopi realiste”.
Urat që mund të lidhin më mirë se deri më sot shoqëritë, popujt dhe kulturat tona janë të mundura sepse të gjithë ne, nga cilido vend që vijmë dhe cilësdo kulturë dhe shoqëri që i përkasim, kemi të përbashkët një gjë esenciale—HUMANITETIN tonë. Kushtet njerëzore për të gjithë ne janë pak a shumë të njëjtat.
Ne priremi shpesh, madje nxitojmë për të vënë në dukje dallimet mes nesh. Dallimet janë një fakt jetësor dhe, që është kështu, kjo nuk do të thotë se dallimet mes nesh si individë dhe mes shoqërive tona janë domosdoshmërisht një gjë e keqe. Në fakt, diversiteti është jo vetëm një tipar i pashmangshëm i shoqërisë njerëzore, por edhe një tipar që i jep ekzistencës sonë si shoqëri dhe si individë më shumë kuptim, duke i bërë jetët tona më të larmishme e më të bukura. Por, duke e vënë theksin, ose duke venë dukje vetëm dallimet, ne shpesh here mohojmë, injorojmë, lëmë pas dore, ose edhe nuk arrijmë të shohim e të vlerësojmë ngjashmëritë që kemi me njëri-tjetrit.
Thjesht shikoni se sa të ndryshëm jemi të gjithë ne, që mbushim sot këtë sallë, nga njëri-tjetri. Sigurisht që jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri. Gjuhët që flasim. Vendet nga vijmë. Kulturat në të cilat jemi rritur e socializuar. Traditat që mbartim. Mendësitë që kemi formuar. Fetë të cilave u përkasim—ose nuk u përkasim. Këndvështrimet nga nisemi për të kuptuar e shpjeguar botën. Dallimet mes nesh janë të shumta. Por këto dallime nuk janë our destiny. Për më tepër, këto dallime nuk janë aq të rëndësishme sa të legjitimojnë mosmarrëveshjet, konfliktet dhe luftrat vrastare mes popujve të ndryshëm.
Po, ne jemi shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe këtë askush nuk mund ta mohojë. Por unë dëshiroj të huazoj këtu një shprehje të urtë të Mark Twain-it, i cili, kur fliste për moshën e njeriut, thoshte: “Age is an issue of mind over matter; If we don’t mind, it doesn’t matter” (Në shqip, kjo shprehje do të përkthehej, pak a shumë, kështu: mosha e njeriut ka të bëjë me rëndësinë që ne vetë i kushtojmë moshë sonë; nëse nuk i kushtojmë rëndësi moshës që kemi, ajo nuk ka rëndësi). Nëse këtë mendësi të shkrimtarit të madh amerikan e përdorim kur bëhet fjalë për racën, etninë, fenë, ose gjininë, mund të themi se, të gjitha këto, edhe pse janë fakte jetësorë realë, nuk kanë aq rëndësi sa me to të justifikojmë e të legjitimojmë dhunën dhe homofobitë e çdo lloji.
E përsëris se, ne jemi shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Por, a nuk jemi ne, gjithashtu, pavarësisht përkatësisë etnike, racore, fetare të çdonjërit nga ne, si individë, edhe shumë të ngjashëm me njëri-tejtrin po si individë? Shihni sa të ngjashëm jemi në argumentet që sjellim dhe në pikëpamjet që shtjellojmë, në vizionin që ndajmë dhe në dëshirat që shprehim dhe duam të realizojmë të gjithë bashkërisht. Dallimet dhe veçoritë tona individuale nuk na ndajnë, ato na bëjnë më interesantë, kuriozë ta njohim e ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin dhe, unë besoj se këto dallime e bëjnë, gjithashtu, më të mundur që problemeve dhe sfidave të sotme dhe atyre të nesërme, me të cilat ndeshemi të gjithë ne, si pjesë e njerëzimit, t’u gjejmë zgjidhje racionale.
Z. Sekretar i Përgjithshëm,
Unë nuk besoj se njerëzit lindin për t’u bërë disa vrasës dhe disa viktima. Njerëzit bëhen të tillë për shkaqe dhe në rrethana të caktuara, që janë esencialisht shoqërore. Pikërisht për këtë arsye këto rrethana mundet edhe të ndryshohen.
Unë nuk besoj se në Ruanda banorët e atij vendi kanë lindur Tutsi apo Hutu, për t’u therrur të parët nga të dytët, siç shpjegoi këtu fare mirë kolegia nga ai vend. Gjenocidi në Ruanda nuk shpjegohet me faktorë gjenetikë, por vetëm me faktorë socialë dhe politikë.
Unë nuk besoj se njerëzit lindin ëngjëj apo djaj, ata bëhen të tillë në rrethana dhe për shkaqe shoqërorë.
Propaganda që ngjall urrejtje, të cilën e instigojnë kryesisht politika dhe politikanët, ka çuar dhe mund të çojë në çdo kohë në konflikte dhe në dhunë etnike apo fetare, në luftra dhe në genocid. Holokausti në Europën e pushtuar nga Gjermania naziste; genocidi sovjetik në fillim të viteve 1930; genocidi prej khmerëve të kuq në Kamboxhia në gjysmën e dytë të viteve 1970, prej të cilit u asgjesua një e pesta deri një e treta e popullsisë së atij vendi; genocidi ndaj armenëve në Perandorinë Osmane në vitet 1915-1922; genocidi në Ruanda më 1994; genocidi serb në Bosnje dhe në Kosovë, genocidi në Darfur apo në East Timur—asnjëri prej tyre nuk shpjegohet duke thënë se një pjesë e qenieve humane janë lindur kriminelë për të vrarë të tjera qënie humane, të lindura për të qenë viktima. Në çdo rast, krimi dhe genocidi kanë qenë dhe janë produkt i rrethanave shoqërore, jo atyre biologjike. Shkaku i tyre është ajo që, në sociologji e quajmë “human agency”.
E përbashkëta jonë, siç theksova më sipër, është HUMANITETI ynë. Dhe esenca e humanitetit të të gjithëve ne, si qenie humane, është LIRIA—HUMAN FREEDOM. Por, liria njerëzore dhe potencialet njerëzorë nuk mund të realizohen dot nga individë të izoluar. Ato arrihen përmes një sërë marrëdhiesh njerëzore, që krijohen, ruhen e zhvillohen duke bashkëpunuar me të tjerë, përmes vullnetit të mirë, përmes arsyet kritike dhe reflektimit kritik. Që kjo liri dhe që potencialet njerëzore të realizohen, është esenciale që të respektohen TË DREJTAT NJERËZORE. Hannah Arendt thoshte se të drejtat njerëzore bazohen në idenë e barazisë dhe kjo kërkon gjithmonë që “çdonjëri nga ne të mendojë për dikë tjetër si një qenie tjetër njerëzore”. Me fjalë të tjera, baza e solidariteti njerëzor është ajo që Jean-François Lyotard e quante “respekt për të drejtat e tjetrit”.
I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm,
Unë mendoj se një rol të rëndësishëm në krijimin e kushteve për mirëkuptim dhe për ndërtimin e urave për bashkëpunim mes popujve dhe kulturave të ndryshme luajnë diasporat dhe minoritet që jetojnë në vende dhe në rajone të ndryshëm. Roli i tyre është, në fakt, i pazëvendësueshëm si një instrument i diplomacisë publike. Por, në këtë botë kaq të globalizuar në të cilën jetojmë sot, një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e diplomacisë publike luajnë edhe personalitet e shquar të artit, të letërsisë dhe të sporteve nga çdo vend i botës që ata janë dhe në çdo vend të botës ku ata jetojnë e krijojnë. Shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare, sopranot shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho dhe Inva Mula etj. kanë bërë e bëjnë shumë për krijimin e një imazhi pozitiv për Shqipërinë, si dhe për njohjen e vlerave më të mira të kulturës moderne shqiptare në botë.
Ose, një shembull, ndër shumë të tjerë, nga bota arabe. Shihni sa shumë ka ndikuar dhe po ndikon në imazhin e vendit të tij, Egjiptit, dhe të botës arabe në përgjithësi, një futbollist i jashtëzakonshëm si Mohamed Salah. Siç rezulton nga një studim amerikan i kryer kohët e fundit, pas vajtjes së këtij futbollisti në Liverpool, numri i krimeve që kanë si shkak urrejtjen fetare ose etnike (hate crimes) në atë qytet ka rënë në masën 20 për qind. Talenti dhe personaliteti i një futbollisti si Mo Salah janë një shembull mjaft domethënës i efikasitetit që mund të ketë ajo që ne, këtu, po përpiqemi ta definojmë si “public diplomacy”. Dhe Salah nuk është një rast i vetëm. Në botën e sotme ka miliona njerëz që mund të luanin një rol të ngjashëm në atë fushë që është fusha e veprimtarisë së tyre—në letërsi, në arte, në shkencë, në sporte, në biznes, në politikë, në shoqërinë civile.
I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm, të nderuar kolegë dhe miq,
Bota në të cilën jetojmë sot duket se është përçundnuar. Nuk është krejt e pamundur që bota e nesërme të jetë një botë edhe më e rrezikshme sesa kjo në të cilën jetojmë sot. Sigurisht, ka shumë arsye për të qenë pesimistë dhe të dëshpëruar për këtë gjendje, por ka edhe vend e arsye për optimizëm dhe shpresë. Gjithçka, siç vura në dukje më sipër, varet nga human agency. Këtu dëshiroj të vë në dukje rëndësinë që ka angazhimi i rinisë në problemet e mëdha të kohës. Bota e nesërme do të jetë bota e saj dhe Rinia e sotme duhet të ndërtojë një botë për veten e saj dhe për brezat që do të vijnë më pas.
Në përfundim, dëshiroj të citoj dy vargje të shkurtër nga një poezi e poetes së njohur afro-amerikane Nikki Giovanni, e cila është edhe një aktiviste e shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Poezia titullohet “Një dëshirë shumë e thjeshtë” (A very simple wish), dhe vargjet e saj lexojnë: “I have a mind to build a new world / Want to play?” (Unë mendoj të ndërtoj një botë të re / Dëshiron të bashkohesh edhe ti me mua?).
Këto vargje dhe mesazhi që ato përmbajnë shprehin, në thelb, qëllimin që duhet të orientojë çdo përpjekje tonën për një diplomamci publike sa më efektive.
Ju falemnderit! (DITA)