Vështrim/Analizë

Fatos Tarifa: Partia, Kryeministri dhe Qeveria

Ministrat s’ka pse të jenë akademikë ose ekspertë, ata kërkohet të jenë njerëz të mençur e të drejtë

Vetëm Ai e di

Askush nga jashtë partisë së tij nuk mund t’i kërkojë shpjegime—dhe aq më pak llogari—kreut të qeverisë për zgjedhjen e anëtarëve të kabinetit të tij ministror. Zgjedhja e anëtarëve të kabinetit është një prerogativë e kryeministrit. Pikë.

Nëse vetë partia dhe organet drejtuese të saj do të funksioninin në mënyrë demokratike, nëse fjala e lirë, kërkesa dhe dhënia e llogarisë prejt kujtdo e nga kushdo do të ishin parime bazë që respektohen në jetën e brendshme organizative të partisë dhe në ngjarjet e mëdha politike të saj, asnjë kryeministër nuk do të mund të vepronte dot vetëm sipas dëshirës së tij, në mënyrë volontariste e autokrate. Atij do i duhej të jepte shpjegime në çdo rast kur veprimet ose vendimet e tij kërkojnë shpjegime prej cilitdo anëtar të një organi drejtues dhe prej masës së gjerë të partisë që ai drejton.

Por, Partisë Socialiste, e vetmja parti për të cilën unë kam votuar deri më sot, duket se i mungon—në mos tërësisht, në një masë të madhe—ky ethos demokratik, si dhe fryma e hapësira e lirisë që ai mundësonliria e fjalës së lirë, liria e kritikës, liria e të menduarit ndryshe nga kryetari i saj. Shpesh herë, krijohet përshtypja se të zgjedhurit në organet drejtuese të kësaj partie janë një detashment ushtarësh të bindur që kurrë s’e venë në dyshim fjalën e kryetarit dhe kurrë s’e venë në punë mendjen e tyre, sepse për ta mendon dhe vendos kryetari i tyre.

Askush në partitë opozitare nuk ka pse fërkon duart i ngazëllyer nga kjo kritikë dashamirëse që unë, një intelektual i majtë, i bëj Partisë Socialiste, pasi vetë ato parti, të mëdha ose të vogla qofshin, janë parti të kryetarëve të tyre, për të mos thënë prona të tyre, ose gati-gati klane fisnorë që drejtohen e sundohen sipas së drejtës zakonore e jo në bazë të parimeve demokratike. Por sot nuk shkruaj për partitë opozitare. Hallet e tyre janë punët e tyre. Sot shkruaj për socialistët.

Hiq disa socialistë të mençur e kurajozë, që mund të numërohen me gishtrinjtë e njërës dorë—dhe ju e dini se për cilët e kam fjalën—pjesa më e madhe e atyre që janë zgjedhur në organet drejtuese të PS-së, ose që u është dhënë një karrike në kuvend, as kanë pasur, as kanë—dhe ndoshta s’do ta kenë kurrë—kurajën që të kërkojnë sqarime e shpjegime nga kreu aktual i partisë dhe i qeverisë së tyre, kur qëndrimet dhe veprimet e këtij të fundit janë të paqarta për ta, janë të diskutueshme, ose janë shumë të rëndësishme për partinë, për punën e qeverisë, për të mirën publike dhe për interesin kombëtar.

Konformizmi, oportunizmi dhe pragmatizmi politik janë bërë një modus operandi për ta. Ta kenë mirë me kryetarin-kryeministër no matter what, të mos thonë asgjë që e dinë se nuk i pelqen atij, kurrë të mos e kritikojnë (se kryetari-kryeministër di çdo gjë dhe në çdo rast di se ç’bën), të mos e mërzisin për asgjë, sepse pasojat do të ishin zemërimi i tij, injorimi i tyre i plotë dhe harresa.

Për hir të transparencës

Sa thashë më sipër mund t’i kisha shkruar në çdo kohë, pasi sjellja e kryeministrit aktual nuk është një dukuri e kohëve të fundit, por një tipar identitar i sjelljes politike dhe i metodës drejtuese të tij, të paktën nga mandati i dytë si kryeministër e këtej. Nëse shkruaj sot, shkas më dhanë kongresi i fundit i PS-së dhe ndryshimet e papritura në përbërjen e qeverisë. E theksoj edhe një herë se askush nga jashtë partisë së tij nuk mund t’i kërkojë shpjegime—dhe aq më pak llogari—kreut të qeverisë për zgjedhjen e anëtarëve të kabinetit të tij. Kjo, si kudo, është një prerogativë e kryeministrit.

Unë nuk do bie në gabimin që bëjnë shumë analistë, duke hamendësuar e komentuar pse u hoq Taulant Balla nga posti i ministrit të Brendshëm për t’u zëvendësuar në atë post nga një tjetër; as pse Niko Peleshi, pas 11 vitesh (më jetëgjati në qeveri pas kryeministrit, sikur ky njeri të kish bërë “vezën e kuqe”)—si zvkryeministër, si ministër i Bujqësisë dhe si ministër i Mbrojtjes—më në fund u nxorr nga qeveria; as pse ministri i Financave Ervin Mete u shkarkua pa mbushur ende vitin në atë detyrë, për t’u zëvendësuar me dikë tjetër.

Arsyet e këtyre lëvizjeve në kabinetin qeveritar i di vetëm kryeministri. Mua vetë, personalisht, nuk më intereson aspak se cili individ bëhet ministër dhe cili shkarkohet nga ajo detyrë. Jam krejt indiferent ndaj emrave të veçantë. Por do të ishte e këshillueshme që kryeministri, edhe pse nuk është i detyruar, t’i shpjegonte vendimin e tij dhe zgjedhjet që bëri edhe këtë herë. Qoftë edhe vetëm për hir të transparencës.

Transparenca! Sa shumë flasim për të dhe sa pak transparentë jemi! Mungesa e saj ushqen hamendësime të çdo lloji, teori konspirative nga më të ndryshmet dhe skenarë që ndoshta s’kanë qenë e s’janë fare në mendjen apo në imagjinatën e kryeministrit. Dhe të gjitha këto diskutohen me shumë zell, pasion e vetbesim në studiot e televizioneve nga duzina analistësh e opinionistësh që “japin mend” për gjithçka. Në këtë pikë, unë bie dakord me kryeministrin. Shumë herë është pa bereqet dhe humbje kohe t’i dëgjosh ata.

Qeverisja si politikë. Po “teknicienët”?

Ndryshimet e fundit në përbërjen e qeverisë socialiste provokuan edhe një herë debatin mbi llojin e ministrave që duhet të kemi: ministra politikë apo ministra “teknicienë”, çfarëdo që mund të kuptohet me këtë të fundit, sepse unë nuk e di se ç’lloj “teknicieni” mund e duhet të jetë një ministër i mbojtjes, një ministër i ekonomisë, një ministër i arsimit apo i shëndetsisë.

Debati i rindezur këto ditë më sjell ndër mend një ngjarje të 27 viteve më parë. Në atë kohë jetoja në Shtetet e Bashkuara dhe punoja në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill. Në vjeshtë të vitit 1997 u ftova të shkoj në Linköping, Suedi, për të mbajtur një leksion në universitetin e atij qyteti. Ishte koha kur Shqipëria sapo kishte dalë nga kataklizma e pranverës së atij viti, pas shembjes së firmave piramidale, dhe me vështirësi po merrte veten nga pasojat e asaj marrëzie kolektive, që u pasqyrua në faqet e para të gazetave më të mëdha dhe në rubrikat televizive të lajmeve thuase kudo.

Në bisedë me një grup kolegësh sociologë në Linköping, të cilët, sigurisht, kishin dëgjuar e kishin parë në televizion çfarë kishte ndodhur në vendin tim, u mundova t’ua shpjegoja—me aq sa kisha mundur t’i kuptoja edhe vetë në atë kohë, duke jetuar përtej Atlantikut—ato ngjarje, por kisha edhe një lajm të mirë për ta.

U thashë se, pas zgjedhjeve parlamentare në qershor të atij viti, gjendja në vend po normalizohej dhe një qeveri socialiste, e dalë nga ato zgjedhje, dukej se jepte shpresë për një rimëkëmbje të shpejtë. Madje, u thashë se qeveria e re dallohej, ndoshta, për shkallën e lartë të nivelit intelektual të saj në krahasim me qeverinë e çdo vendi tjetër europan.

Ajo ishte një kohë kur në Shqipëri kishim një “qeveri profesorësh”. Presidenti i ri i vendit ishte profesor i fizikës; kreu i parlamentit, profesor i matematikës; kryeministri, profesor i ekonomisë; ministri i jashtëm, profesor i historisë; ministri i mbrojtjes, profesor i mjeksisë; ministri i brendshëm, profesor i arkeologjisë; ministri i arsimit, profesor i biologjisë; ministri i bujqësisë, profesor i agronomisë; tre sekretarë shteti ishin përkatësisht profesorë të fizikës e të ekonomisë. Një pjesë e mirë e tyre kishin kryer studimet doktorale në Francë.

Bindja ime në atë kohë se një nivel i tillë intelektual i kabinetit të ri qeveritar në Shqipëri do u bënte përshtypje kolegëve të mi suedezë duket se nuk u bëri atyre asnjë përshtypje. Përkundrazi, njëri prej tyre më pyeti: “Përse duhet të jenë profesorë, ose intelektualë, anëtarët e qeverisë?”. “Kabineti qeveritar nuk është një institucion akademik, nuk bën kërkime”, tha ai.

Pyetja e tij mbaj mend se më gjeti të papërgatitur dhe nuk e di pse, aty për aty, i përmenda shprehjen e famshme të Francis Bacon: “Knowledge is Power”. Por pa efekt. Në Suedi, më tha i njëjti koleg, në kabinetin qeveritar ka edhe ndonjë ministër që nuk e ka kryer arsimin e lartë. Sipas tij—dhe ai kishte plotësisht të drejtë—ministrat janë punonjës politikë dhe emërohen në postet që mbajnë për shkak të kontributeve të tyre në parti.

Ky episod më vjen ndërmend sa herë që kryeministri aktual shqiptar u heq dhe u jep portofole ministrorë anëtarëve të kabinetit të tij. Janë kaq të shumtë ata që janë bërë ministra dhe janë hequr nga posti i ministrit në tre qeveritë socialiste që janë formuar nga viti 2013 e këtej—në më të shumtën e rasteve pa asnjë shpjegim—sa një pjesë e tyre sot as dihet ku janë e ç’bëjnë, as mbahen mend.

Çfarë është synuar nga kryeministri duke i bërë ata pjesë të kabinetit të tij dhe më pas duke i larguar vështirë se mund të kuptohet. Prerogativë e tij, padyshim. Por…

…Qeveria është e duhet të jetë e Partisë Socialiste

Edhe pse është kryeministri ai që e “bën” kabinetin qeveritar, me të cilin do të punojë për të drejtuar punët e shtetit, në kabinet nuk mund të emërohet kushdo. Debati që bëhet sot—dhe këtu s’kam parasysh debatet televizivë por një debat të gjerë publik—është nëse qeveria socialiste e sotme është ose jo vërtet një qeveri socialiste.

Nuk flas për kryetarin e saj, pasi unë vet nuk e di se çfarë e lidh atë me socializmin dhe socialistët shqiptarë, veç emrit të partisë që e trashëgoi rreth 20 vite më parë dhe që, pa asnjë konkurrencë, e ka mbajtur vetë atë në postin e kryeministrit për më shumë se 11 vite, duke qenë aktualisht kryeministri më jetëgjatë në Europë, pas kryeminsitrit autoritarist hungarez Viktor Orban.

Në kabinetin qeveritar kemi parë të vijnë e të ikin individë që jo vetëm nuk kanë qenë ndër “kuadrot” kryesorë të PS-së së rinovuar, por që mund edhe të mos kenë pasur asnjë vokacion socialist. Nëse arsyeja ka qenë “ekspertiza” e tyre, atëherë episodi që përmenda më sipër me kolegët e mi në Linköping duhet të na mësojë diçka. Ministrat janë punonjës partie dhe përgjegjësia e tyre është që të përçojnë në dikasteret që drejtojnë vijën politike të partisë së tyre duke siguruar që veprimtaria e dikasterit garanton zbatimin e politikave shtetërore të partisë që drejton vendin.

Ministrat nuk ka pse të jenë as akademikë të njohur në atë fushë—ose në një prej fushave—në të cilën vepron dikasteri i tyre, as ekspertë në atë fushë. E përsëris, ministrat duhet të garantojnë zbatimin e direktivave e të politikave të partisë në pushtet në dikasteret që drejtojnë. Ajo që kërkohet prej tyre—dhe që do të duhej të ishte kriteri për të vlerësuar aftësitë e tyre drejtuese dhe garancitë e tyre për sukses—është të dinë të zgjedhin vartës dhe ndihmës sa më të kualifikuar e me sa më shumë përvojë.

Zëvendsministrat, nga ana e tyre, nuk janë nomenklaturë e ministrave; këta, gjithashtu, emërohen nga kryeministri dhe, në një pjesë të madhe të rasteve që unë njoh, janë individë pa ndonjë meritë apo aftësi të veçantë, ose thjesht qoka politike, në mos për parti të vogla aleate, për interesa të tjera. Ekspertiza nuk pritet të jetë një imperativ i ministrit. Ekspertë—madje ndër ekspertët më të mirë—duhet të jenë atë punonjës në dikasteret e qeverisë, që merren me drejtimin dita-ditës të çështjeve që mbulon çdo dikaster.

Stockholm (Tiranë) London

Episodi i mësipërm me kolegët e mi në Linköping më erdhi sërish në mendje kur mësova disa ditë më parë përbërjen e kabinetit të ri të kryeministrit laburist Keir Starmer në Britaninë e Madhe. Thuajse askush ndër anëtarët kryesorë të kabinetit të tij nuk është ekspert në çështjet e departamentit që i është besuar të drejtojë.

Ja disa shembuj: sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuellthin dhe Zhvillimin ka studiuar për drejtësi; sekretari i Shtetit për Punët e Brendshme ka studiuar për ekonomi; sekretari i Shtetit për Shëndetin dhe Mirëqenien Sociale ka studiuar për histori; sekretari i Shtetit për Arsimin dhe ministër për gratë dhe barazinë ka studiuar për histori dhe frengjisht; sekretari i Shtetit për Punën dhe Pensionet ka studiuar për histori; sekretari i Shtetit për Biznesin dhe Tregëtinë gjithashtu ka studiuar për histori; sekretari i Shtetit për Shkencën, Inovacionin dhe Teknologjinë ka studiuar për gjeografi; sekretari i Shtetit për Transportin ka studiuar për politikë; sekretari i Shtetit për Kulturën, Mediat dhe Sportin gjithashtu ka studiuar për politikë; sekretari i Shtetit për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale ka studiuar për anglisht; sekretari i Shtetit për Irlandën e Veriut është diplomuar për studime mbi Rusinë dhe Europën Lindore etj.

Këta dhe të tjerë anëtarë të kabinetit ministror në atë vend të zhvilluar demokratik e kapitalist do të drejtojnë punët e dikastereve që s’kanë të bëjnë aspak me formimin e tyre akademik. Janë roli dhe kontributet e tyre politike në Partinë Laburiste ato kredenciale që i kanë bërë ata të meritojnë postet drejtuese që u ka besuar kryetari i partisë dhe kryeministri i vendit të tyre.

Nga gjithçka thashë më sipër, unë besoj se kuti kryesor për matjen dhe vlerësimin e kreut të çdo dikasteri janë jo ekspertiza e vet ministrit, por mënyra se si emërohen dhe kush emërohen prej tij në role drejtues në dikasteret shtetërorë për të ndjekur e drejtuar punët e dikasterit.

Një mësim i vyer nga Nelson Mandela

Është një truizëm ai se individë të mençur, të aftë e të drejtë dinë të zgjedhin si bashkëpunëtorë të tyre të tjerë individë të mençur, të aftë e të drejtë.

Këtë parim e kam dëgjuar nga Nelson Mandela 25 vite më parë, në mars të vitit 1999, kur pata fatin dhe privilegjin e rrallë të isha i pranishëm në një takim me të në Ridderzaal (Salla e kalorësve), në Hagë.

Në atë takim, ndër të tjera, Mandela tha (dhe unë i riprodhoj këtu fjalët e tij aq besnikërish sa më kujtohen), se “edhe një njeri i vetëm në krye të shtetit do të mjaftonte për ta bërë vendin e tij demokratik e të begatë, nëse ai do të ishte një njeri i mençur dhe i drejtë sepse, duke qenë vetë i tillë, do të dinte të zgjidhte si bashkëpunëtorë në funksione të larta drejtuese të shtetit njerëz të tjerë të mençur e të drejtë. Këta të fundit, po ashtu, do të dinin t’i zgjidhnin bashkëpunëtorët dhe këshilltarët e tyre ndër radhët e njerëzve të mençur e të drejtë”.

Unë gjithnjë kam besuar se vetëm një drejtues i tillë, i klasit të parë, mund të zgjedhë rreth vetes bashkëpunëtorë të klasit të parë. Një drejtues i klasit të dytë mund të mbledhë rreth vetes vetëm bashkëpunëtorë të klasit të dytë apo të tretë.

Rreth 13 vite më parë, kur Partia Socialiste ishte në opozitë dhe vendi drejtohej nga Sali Berisha, kam shkruar se, “sikur një njeri i mençur dhe i drejtë të ishte vënë në krye të punëve të shtetit, i rrethuar nga njerëz të tjerë të mençur e të drejtë, dhe këta të fundit të ndihmuar gjithashtu nga të tjerë njerëz të mençur e të drejtë, Shqipëria do të ishte sot, pa dyshim, një vend shumë më pak i korruptuar, një vend më i përparuar politikisht dhe ekonomikisht”.

Unë besoj se Shqipërisë nuk i kanë munguar dhe nuk i mungojnë njerëzit e mençur e të drejtë. Ajo çfarë nuk kemi parë deri më sot është që në krye të punëve të shtetit në Shqipëri të jenë vënë gjithnjë njerëz të tillë, të mençur e të drejtë, të cilët të kenë ditur të zgjidhnin rreth vetes njerëz të tjerë të mençur e të drejtë.

Problemi te ne nuk qëndron te mungesa e njerëzve të mençur e të drejtë, të tillë ka shumë, por te mungesa e vullnetit dhe e dëshirës për të dëgjuar ata që dinë dhe që, për këtë arsye, mund të japin këshilla të informuara e inteligjente mbi shumë probleme e çështje të rëndësishme të ekonomisë, të kulturës dhe të politikës së brendshme e të jashtme të vendit tonë.

Shprehja sarkastike e kryeministrit të fundit socialist, para se në krye të PS-së të vinte kryetari aktual i saj dhe kryeministri i sotëm i vendit, se ai i zgjidhte këshilltarët e vet “jo për t’u marrë këshilla, por për tu dhënë atyre këshilla”, tipizon më së miri këtë realitet dhe këtë mentalitet shqiptar.