Vështrim/Analizë

Fatos Tarifa: Amerikanofobia e “proamerikanit” Berisha! Përgjigja e pyetjes kush e ndjek pas dhe një analizë mbi atë që po ndodh dhe do të ndodhë me dy “gjysmat” e PD – së

Ky është një koment i shkurtër, jo një analizë e zhvillimeve të ditëve të fundit në Partinë Demokratike. Më 11 dhjetor ndodhi ajo që shumica prej nesh e prisnim—një kuvend me shumicën e delegatëve të kësaj partie.

Për legalitetin dhe legjitimitetin e atij kuvendi dhe të vendimeve që mori ai është folur dhe do të vazhdojë të flitet shumë, nga shumë këndvështrime dhe nga prizmi i interesave të palëve në konflikt brenda PD-së, por edhe i palëve të treta. Se ç’do të ndodhë më 18 dhjetor, këtë, sot, nuk mund ta dimë.

Kuvendi i 11 dhjetorit u mblodh, u zhvillua dhe u mbyll. Ai kuvend përjashtoi thuajse in toto drejtuesit kryesorë të PD-së, kryetarin dhe anëtarët e kryesisë së saj, si dhe pezulloi këshillin kombëtar të asaj partie.

Nga ana e tyre, kryetari dhe kryesia e PD-së, po në të njëjtën ditë, përjashtuan shumë prej drejtuesve të partisë në qarqe dhe dje, në mbledhjen e këshillit kombëtar, të gjithë ata anëtarë të kryesisë së PD-së që morën pjesë në kuvendin e 11 dhjetorit dhe që votuan për shkarkimin e z. Lulzim Basha.

Rezultati është një Parti Demokratike e ndarë më dysh, ose më mirë e ndarë në dy parti—njëra, ajo zyrtarja, e katandisur “si kokoshi një thelë” dhe me një kryetar e me një kryesi që nuk i njohin masa dërrmuese e delegatëve të partisë mëmë, dhe tjetra, një parti në tentativë, e riorganizuar, që pritet të dorëzojë në gjykatë dokumentacionin e saj për t’u legalizuar.

Ndodhi ajo që kishi. parashikuar disa kohë më parë: “gjysma” e PD-së përjashtoi “gjysmën” tjetër dhe kjo e dyta “përjashtoi” ata që ndërkohë ishin vetpërjashtuar prej saj.

Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha ishte, pse ta mohojmë, spektakolar në formë. Ai u trumbetua jo thjesht si një risi, por si një dukuri e paparë në historinë e demokracisë shqiptare, madje edhe në historinë botërore të demokracisë.

Pati edhe ndonjë ish-ministër të PD-së, që tërë kohën ka qenë dhe është nën sqetullën e Berishës dhe që, mua më është dukur si një ndër njerëzit më të paaftë e më pak imagjinativë të asaj partie, që, i ekzaltuar, nga fusha e stadiumit, jo një, por tri herë, e cilësoi atë kuvend “një mrekulli”.

* * *
Berisha? Çfarëdo që të them për të, nuk do u shtoja, as do u hiqja gjë atyre çfarë kemi thënë këtu e 30 vite me radhë për këtë njeri. Ai nuk është dhe s’mund të ishte as në atë kuvend një tjetër Berishë nga ai që kemi njohur shumica e shqiptarëve gjatë këtyre 30 viteve.

Një politikan bajraktar, që nxori në mejdan njerëzit e tij “të besës”, ata që gjithnjë i ka pasur pas vetes për të luftuar jo në emër të demokracisë, por për nderin e bajrakut të tij. Unë jam i bindur se Berisha as e ka kuptuar dhe as e ka dashur ndonjëherë demokracinë, sepse në një demokraci të vërtetë nuk ka vend për drejtues autokratë dhe, aq më pak, për njerëz që, kur vijnë në pushtet, nuk duan të largohen prejt tij.

Demokracia nuk ka asgjë të përbashkët me bajraktarizmin politik. Në emër të demokracisë, Berisha ka qenë dhe është sjellë kurdoherë si një autokrat, edhe kur ka qenë (për pesë vite) në krye të shtetit, edhe kur ka drejtuar (për tetë vite me radhe) qeverinë e këtij vendi, edhe kur ka qenë (për 17 vite) në krye të opozitës.

Berisha mbajti në atë kuvend një fjalim shumë të gjatë, por unë kuptova se gjatësia e fjalës së tij ishte në proporcion të drejtë me pasigurinë e tij, me amerikanofobinë e tij, me frikën e tij për fatin e vet. Thirrja për një ringritje të PD-së, për një “rinovim” apo “rilindje të saj” synon të fshehë frikën që ai vetë ka nga fundi i tij, ose, e shumta, synon ta shtyjë edhe ca fundin e vet.

A mund të rinovohet dhe të demokratizohet Partia Demokratike me Sali Berishën, pikërisht me atë njeri që është përgjegjësi kryesor për mungesën e demokracisë në atë parti dhe për rrugëtimin e gjatë, të për të dalë nga një tranzicion i vështirë dhe, herë-herë, i dhunshëm e i pashpresë?

A mund të rinovohet PD-ja nga një komision, shumicën e të cilit e përbëjnë xhaketa të vjetra në PD, njerëz që model kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë Berishën, që para tij kanë qenë kurdoherë kokëulur e të gjunjëzuar dhe që, bashkë me të, janë përgjegjës për gjendjen në të cilën u katandis kjo parti e madhe?

Narrativa e tyre në atë kuvend ishte ajo e Sali Berishës, madje më e varfër dhe më keq e artikuluar se ajo e bajraktarit të tyre.

Dhe absurdi tjetër i madh! Ky njeri, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur zyrtarisht një person të padëshiruar, vazhdon të rrahë gjoksin si “proamerikani më i madh”.

Ka njerëz, madje jo të paktë, që e besojnë këtë—dhe unë nuk arrij dot ta kuptoj se sa para mend duhen për të kuptuar se ti nuk mund të jesh një politikan proamerikan dhe as të pretendosh se ke “shumë miq në sferat më të larta të politikës amerikane” kur Amerika ty nuk të deshiron dhe të shpall një individ të korruptuar e të rrezikshëm për demokracinë.

Por bajraktarit i shkojnë pas sido që ai të jetë, sepse i tillë është mentaliteti i atyre që e ndjekin dhe vetë sistemi i vlerave të bajraktarizmit. Nuk është e vërteta, nuk janë faktet, nuk është e drejta, nuk është ajo çfarë mendojnë dhe çfarë thonë administrata e Shteteve të Bashkuara për bajraktarin e tyre, por ajo që thotë ky vetë për veten e tij dhe që, sipas zakoneve të bajraktarizmit, motivon luajalitetin e ndjekësve të tij.

“Proamerikani i orëve të para” Sali Berisha vazhdon t’i bjerë një këmbane që s’e dëgjon njeri përtej bajrakut të tij. Geoge Soros na qenka “antishqiptari më i madh në planet” dhe Departamenti amerikan i Shtetit ka marë mendjen e tij për ta goditur dhe shpallur si një person të padëshiruar Sali Berishën. Një pretendim më absurd nuk ka si bëhet. E kam thënë në një rast të mëparshëm pse.

Dhe Kosova! Berishës, që dikur thyente embargon ndërkombetare të naftës ndaj regjimit të Miloshevicit në Serbi, tani “i digjet zemra” për trojet dhe kufijtë e Kosovës, të cilët Sorosi kërkon t’i ndryshojë!

* * *
Sado absurd të tingëllojnë argumente të tillë, ka njerëz që përsëri do i besojnë bajraktarit të tyre dhe do rreshtohen pas tij. Ndoshta, njerëz të tillë, si dhe ata eksponentë të PD-së që në kuvend sërish “lidhën besën” me të, nuk e kuptojnë se të rreshtohesh në një front me Sali Berishën je rreshtuar jo vetëm në krahun e humbësve, por edhe në një front antiamerikan.

Njerëz të tillë e kanë sot—ose do e kenë nesër—të vështirë të distancohen nga deklaratat thellësisht antiamerikane të Sali Berishës në atë kuvend, edhe nëse ato adresoheshin ndaj një individi, siç është ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Duhet të jesh politikisht naiv, ose shumë i paditur, që të mos dish, ose të mos kuptosh se ambasadori i Shteteve të Bashkuara në çdo vend të botës përfaqëson Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe interesat amerikane në atë vend.

* * *
Kjo që sapo thashë nuk e bën zotin Basha fitues në këtë luftë për pushtet brenda PD-së, edhe pse, sot për sot, ai duket se ka përkrahjen e administratës amerikane si kryetar i partisë opozitare më të madhe në vend.

Kredibiliteti i z. Basha ka rënë kaq poshtë sa, as Partia Demokratike nuk ka të ardhme me të në krye të saj, as ai vetë nuk ka më vend në krye të asaj partie.

Nga gjithçka qe u tha nga demokratët në kuvendin e stadiumit dhe nga gjithçka që eksponentët kryesorë të PD-së kanë thënë deri më sot, e vetmja gjë që mua më duket se bën kuptim është kërkesa e z. Fatbardh Kadilli, se që Partia Demokratike të mund të rinovohet, të ringrihet e të demokratizohet në krye të saj nuk do të jetë as Sali Berisha, as Lulzim Basha. (DITA)