Nuk e di në ju ka ndodhur ndonjëherë të gjeni të vërteta analoge ndërmjet së tashmes dhe të kaluarës. Mua më ndodhi kjo me këto vargje të Migjenit, një perlë e vërtetë e kulturës dhe historisë shqiptare! Për një moment mendova se Migjeni po shkruan tani, në kohën e re, e jo para ca e ca viteve.
S’duem
për hir
të kalbsinave të vjetra që kërkojnë “shejtnim”,
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
kangën monotone, pa shpirt, të skllavnis –
të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.
-Migjeni
Tani si kurrë më parë shoqëria moderne po përjeton ndryshime thelbësore e të njëpasnjëshme. Viti që po lëmë pas ka vërtetuar kategorikisht se çdo gjë është e mundur. Në anën tjetër mendjet e ndritura njerëzore sërish i bënë ballë furtunës. Fati i tillë siç është, herë i brishtë e herë shpresdhënës po qëllon që edhe Kosovën ta përfshijë në dallgët e furishme, në të cilat po lundron e gjithë bota. Përkundër kësaj, shoqëria kosovare është ende shumë larg shoqërive të avancuara mbarëbotërore. Bota po përparon, por Kosova përherë mbeti duke stagnuar. Një vend i vogël si vendi ynë më shumë përshtatet me përshkrimin ‘I lënë pas dore’ sesa me ‘shtet i së drejtës’, ‘shtet zhvillimor’, ‘shtet sovran’ e të gjithë këta mbiemra, dikur ëndërra, tashmë hiç më shumë se një grumbull fjalësh në letra.
Është shqetësues fakti se si pothuajse asnjë i ri në Kosovë nuk e mendon të ardhmen e tij brenda kornizave të këtij vendi. Kjo ndoshta rrjedh nga përvoja e të rinjve në shkolla, nuk janë të kënaqur e të përmbushur me sistemin e arsimit në vendin e tyre. Kjo ndoshta rrjedh edhe nga mbledhjet familjare mbrëmjeve, kur prindërit kthehen me fytyra të ngrysura nga puna, sepse, edhe sot hasën në ndonjë padrejtësi e shumë vështirësi. Janë të mllefosur kur shohin motrat dhe vëllezërit e tyre me diploma në dorë duke pritur në radhët e gjata për intervistë pune. Të rinjtë brenda vetes ngërthejnë shpirtin e aventurës, risive, mundësive për të udhëtuar, të njoftojnë kultura të reja, dëshirojnë të kenë qasje më të afërt me botën e jashtme, mirëpo për fatin e keq të rinjtë në Kosovë edhe këto i kanë të limituara. Është e dhimbshme kur të rinjtë shëtisin rrugëve dhe dëgjojmë të qarat me dënesë të bashkmoshatarëve të tyre, të cilët të zhveshur e të zbathur, me lot në sy kërkojnë ndihmë. Është edhe më e dhimbshme se kjo, kur nuk munden të ndihmojnë, sepse një lëmoshë e tyre nuk e ndërton Qendrën Sociale për strehim e as Kuzhinën Popullore për të ushqyer të varfërit. Kemi edhe nga ata bashkmoshatarë që bëjnë çmos e çnuk për të mbijetuar, por kush siguron që nuk keqpërdoren nga këta e ata në mesin tonë?!
Çdo i ri në Kosovë të paktën njëherë ka dëgjuar për figurat eminente të historisë sonë. Ndër të tjera patjetër që do të ketë degjuar për virtytet e kombit shqiptarë, për besën, mikpritjen, atdhedashurinë, trimerinë e patriotizmin. E kur shikon se çfarë po ndodh sot rreth tij, sikur është konfuzuar dhe thotë
mos vallë i kemi humbur vlerat si shoqëri?! A krejtësisht u shuajtën gjenet e Pashko Vasës, Faik Konicës, Vëllezërve Frashëri e plot të tjerëve për të cilët flasim me nderime?!
Ndofta vlerat nuk kanë humbur, por ka edhe prej atyre që nuk e shohin të nevojshme të jenë patriotë e idealistë në kohë të paqes, ndoshta nuk e mendojnë se të dënosh padrejtësitë është patriotizëm, të rrespektosh kulturën e traditën e kombit është patriotizëm, të flasësh si duhet e me krenari gjuhën e nënës edhe kjo është patriotizëm. Mirëpo nuk janë të rinjtë tu vëm faj për njohuritë e cekëta, nuk janë as të moshuarit, nuk ka faj as ky as ai. Faj kemi të gjithë që kemi krijuar këtë lloj ‘individualiteti kolektiv’, si të gjithë nuk bëjmë gjë, por si askush i shohim dhe i mendojmë të gjitha. Ka ardhur koha që të flasim e të veprojmë, të zhdukim përgjithmonë idenë se Kosova është vendi ku gabimi gjen shtëpinë e vet, ka ardhur koha ta përqafojmë të drejtën, të vërtetën, sepse, ne nuk jemi të dënuar të jetojmë siç e parasheh provinienca e nomenklaturës pushtetore në fakt jemi të bekuar sepse ne me të vërtetë mund të sjellim ndryshime.