Fort i nderçëm mëmëdhëtar, Prof. Rexhep Qosja! I nderuar Akademik!
Unë që ju shkruaj quhem Enver Kushi. Rrënjët e të parëve të mi janë nga Çamëria, që siç shkruan engjëlli mbrojtës i shqiptarëve, Naim Frashëri, flitet “Gluha e Perëndive”. Për ju i nderuar mëmëdhetar mund të jem i panjohur, ndërsa për mua jeni shumë i njohur, që nga vitet e rinisë, vitet e madhimit e tani.
Udhëtimin me tren nga Tirana në Rrogozhinë nuk e ndjeva, sepse shfletova veprën madhore të Naim Frashërit, zgjedhur dhe përgatitur për shtyp nga Ju, i nderuar Profesor. Shumë nga idetë, mendimet dhe vlerësimet Tuaja, që çelin kolanën e Naim Frashërit, prej 70 faqesh ua jepja nxënësve të mi.
E kam të vështirë, shumë të vështirë të analizoj veprën Tuaj madhore dhe shumëdimensionale. Nuk e teproj, por sa herë vështroj portretin e Naim Frashërit, më duket shumë i ngjajshëm me portretin Tuaj. Ngjajshmëria është jo vetëm në portret, por në radhë të parë, në veprën Tuaj madhore, ose edhe prometeizmin që ka karakterizuar jetën e Naim Frashërit dhe Tuajën, si apostuj të shqiptarizmës.
Më lejoni, i nderuar Akademik, të citoj një nga shkrimtarët dhe eruditët e mëdhenj shqiptarë, mikun tim të paharruar Moikom Zeqo:
“Rexhep Qosja është padyshim Njeri i vërtet dhe i madh i kohës… Mund të thuhet, se Rexhep Qosja, si rrallëkush, është dimensionuar me jetën e Tij vetjake prej intelektuali tribun në tragjedinë dhe fatet e kombit. Qosja është para së gjithash mendimtar, një eseist i shkëlqyer”.
Këto vlerësime i kam marrë nga libri i Moikom Zeqos “Rexhep Qosja dhe Çështja Kombëtare Shqiptare”, Tiranë 1994.
I nderuar Akademik!
Në një letër shkruar nga unë “Urime për motmotin 2024”, drejtuar Prof. Agim Vincës, sipas tekstit të shkëlqyer të Migjenit të papërsëritshëm “Urime për 1937”, mes të tjerash theksoja:
“Uroj shok i dashtun që fjala shqipe gjatë vitit 2024 të jetë më njerëzore, veçanërisht në gojën e politikanëve, këtej dhe andej Drinit. Uroj që fjala shqipe edhe kur artikulohet, edhe kur shkruhet nga analistë e gazetarë, të ketë shenjtërinë, mirësinë, dashurinë e Apostujve të Shqiptarizmës të të gjithë kohërave. Uroj që moto e tyre të jenë fjalët e arta të një prej gjenive të njerëzimit, Albert Ajnshtajnit: “Dashuria është dritë që ndriçon ata që e japin dhe e marrin. Dashuria është pushtet, sepse shumëfishon më të mirën tonë dhe i bën njerëzit mos të humbasin në egoizmin e vërtetë”.
Për fat të keq, këtë e them me dhimbje, viti 2024 nisi me atë që u mbyll: gjuhën e urrejtjes, përçarjes, lajme për pushtetarë të korruptuar, për një ish zv.kryeministër të arratisur nga Shqipëria dhe që ka një pasuri përrallore, por që e heq vehten si të shenjtë.
Ky vit nisi, ose më saktë vazhdoi, me një parlament flakadanësh, tymues, karrike të përmbysura, kërcënime me jetë, zhurmues etj.etj. Nga dritarja e katit të tetë, të një pallati në qendër të Tiranës, ish-presidenti dhe ish-kryeministri në arrest shtëpie, çdo mbrëmje që prej shtatë javësh “i bombardon” shqiptarët me një fjalor absurd, haluçinant, delirant, që po t’i mbledhësh do të përbënin ndoshta librin më sureal të tranzicionit të tejzgjatur shqiptar.
Ajri i vendit tim është i ndotur jo vetëm nga smogu, por edhe nga gjuha e helmët e politikanëve, si dhe një pjese të gazetarëve dhe analistëve.
Nuk do t’u kisha shkruar i nderuar Akademik Rexhep Qosja, nëse në një të përditëshme shqiptare të datës 9 shkurt 2024, në shkrimin “Vazhdimësia e tragjikomedisë së 21 janarit në realitetin e kohës”, mes të tjerash autori i tij Ju quan Juve “Pseudoakademiku Rexhep Qosja ose Qosiç”. Nuk ja vlen të përmend emrin e artikullshkruesit, më beso nuk ja vlen.
Çuditërisht shkrimi që Ju anatemon Juve i nderuar Rexhep Qosja, është shkruar 30 vite pas 1994-s në Prishtinë, ku siç shkruan Moikom Zeqo “Jeton i izoluar në shtëpinë e Tij Rexhep Qosja… Rexhep Qoses i kanë marrë pasaportën dhe e kanë izoluar për tre vjet të mos udhëtojë jashtë Prishtinës. Autori që shkroi metaforën tragjike të Popullit të Ndaluar, është vetë, kështu, Një Njeri i Ndaluar”.
Prapë çuditërisht në vitet 1992-1994 në Tiranë një kor gazetarësh ose jo gazetarë, anatemonin dhe baltosnin emrin dhe veprën Tuaj madhore, duke arritur derisa t’u quanin Rexhep Qosiç.
Mbaj mend, që në gazetën “Çamëria -Vatra amtare”, kryeredaktori Prof. Bashkim Kuçuku, botoi shkrimin “Në Prishtinë përgjaket shkenca”.
Këto ditë ju riktheva këtij shkrimi, që i bën nder jo vetëm Bashkim Kuçukut, por edhe Çamërisë dhe popullsisë së saj martire. I shkruar me kulturë, në të ndihet shqetësimi për masat represive që pushteti serbomadh i Millosheviçit, ka ndërmarrë për t’u mbyllur gojën intelektualëve të shquar të Kosovës.
Shkrimi është këmbanë alarmi për opinionin publik jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e në Europë. Më lejoni Profesor i nderuar, të citoj pjesë nga ky shkrim:
“Në Prishtinë pushteti serb mbylli me policë Institutin Albanologjik dhe dhunoi me përpjekje prfesorët e shquar Rexhep Qosja, Idriz Ajeti, Anton Çeta etj…. Mbyllja zyrtare e Institutit Albanologjik, si epilogu i veprimtarive të institucioneve shqiptare, mund të jetë fillimi i një faze të re për shkallëzimin më të madh të shtypjes e ndofta, pragu i një tragjedie më të dukshme”.
Mbaj mend, që më 26 qershor 2004, në Tiranë u mbajt Konfrenca Shkencore “Çështja Çame dhe Integrimi Europian”. Në pamundësi për të ardhur në këtë konferencë shkencore, Ju dërguat përshëndetjen “Çështje e të gjithë shqiptarëve”, që kur u lexua, u shoqërua me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.
Në këtë përshëndetje Ju parashtruat idetë për Çamërinë dhe Çështjen Çame, rrugët e zgjidhjes së saj, që fjala shkencore të dëgjohej me vëmendjen e merituar në institucionet e shtetit shqiptar, në institucionet e shtetit grek dhe në ato ndërkombëtare, para së gjithash në SHBA e në Bashkimin Europian.
Gjithashtu Ju thatë: “Çështja e pazgjidhur Çame nuk është “çështje e paqenë”, por çështje ekzistuese e të drejtës natyrore, kombëtare dhe historike, çështje që u përket jo vetëm atyre që vazhdojnë t’i durojnë pasojat e moszgjidhjes bashkë, e kjo domethenë çamëve, por edhe atyre që janë shkaktarë të saj, e kjo domethënë shtetit grek…”.
Mirënjohje për Ju i nderuar mëmëdhëtar! Mirënjohje për angazhimin Tuaj serioz për shenjtërinë e Çështjes Çame!
Fort i nderçëm mëmëdhetar Rexhep Qosja! Akademik i nderuar! Po e mbyll këtë letër në gazetën DITA, me fjalët e të paharruarit Moikom Zeqo:
“Ju përshëndes dhe Ju përqafoj! Mos u tut bacë! Goditja gurin e çau, drurin e thau, por njeriu e mban. Shpifja e vetëkënaqur është bërë një kimierë publike. Ajo zgjat kthetrat, ulërin triumfuese, zotëron dhunshëm skenën shqiptare, helmon vetëdijen tonë, dehumanizon dhe terrorizon gjithçka… Rexhep Qosja! Emri Juaj i ndritur është emri i nderit! Shpifja edhe kur ka emra është përherë anonime. Emrat e turpit njeriu fisnik do t’i harrojë”.
I juaji në besë,
Enver Kushi