Vështrim/Analizë

Edonë Madani: Debati që nuk më tremb

Një mik njëherë më pati këshilluar të përpiqem të mos flas për politikë a për fe me njerëzit se kjo ndez debate të ashpra. E si për dreq bëj ç’bëj bisedën e sjell te politika e te feja, me të njohur e me të panjohur. Debati nuk më frikson, përkundrazi ka diçka që më tërheq aq fort kur bashkëbiseduesi është mendjehapur dhe i lirë të shprehë mendimin e tij, sa do i kundërt të jetë nga i imi. Por në anën tjetër ka këto mendjet radioaktive që frustrohen sapo dëgjojnë një mendim ndryshe. Mendje të kyçura brenda një të vërtete të përgjithshme që cënohen nga jo gjë tjetër por vet jeta. Jeta i cënon se jeta është një ndryshim i vazhdueshëm që lë dyer të hapura për interpretime nga më të ndryshmet. Cënohen nga rrjedha e lirë e jetës, se mendjet e tyre të ngulfatura nga morali i tepërt kanë frikë nga liria. Morali është krijuar nga të dobëtit, thot Nitçë. Morali është arma e vetme e të dobëtëve është kjo sëri rreguallash që i vejnë kufinj të fortëve për të qënë vetvetja, për të ushtruar fuqinë e tyre natyrale. Por, një i fortë në mes të një tufe të dobëtish, mund të humbasë, mund të kthehet në « të dobët ». Unë ika në njëfarë mënyre (kur them “ika” nuk e kam fjalën për shpërnguljen gjeografike), në mendjen time nga ajo tufa e të dobëtëve që gjykonin, që vinin rregulla të pakuptimta të cilat me kalimin e kohës e kuptova që shkonin kundër realitetit. Kuptova që ata përpiqeshin të bënin të mundur që uji i këtij lumi të jetës të rridhte nga poshtë lart, sepse rrjedhja e lirë e tij përmbyste tokat e tyre. Por sado përpiqeshin ta bllokonin rrjedhen e tij, « lumi e gjen shtratin e vet ». Në vend se të hapnin kanale, të devijonin pak kalimin e ujit nga pjesa e tyre, ose më së miri ta menaxhonin këtë ujë për vaditje, ata përpiqen ta bllokojnë. Dhe kjo është, mendoj, një ndër arsyet pse shoqëritë moraliste nuk avancojnë. Ato nuk ecin dot përpara, ato nuk prodhojnë dot gjë, ato nuk jetojnë dot në harmoni me natyrën sepse me disa rregulla ideologjike përpiqen ta kundërshtojnë atë. Dhe në këtë çështje, e pësojnë dhe ata që nuk e kërkuan. Pra të fortët në këtë rast, duhet të merren me rryma të forta, të krijuara nga padija e të dobëtëve, pa nevojë. Pra një të fortë të lindur në mesin e të dobëtëve, ose do e marrë rryma e këtyre të fundit, ose do ushtrohet edhe më shumë dhe në ballafaqimin mes të fortëve, ai do jetë më i përgaitur. Pra mund të lindësh disi, i fortë, por sa i fortë bëhesh apo mbetesh, ajo varet nga mjedisi social, edukimi. Pra unë ika me idenë se pas po lë të dobëtit, por kur u gjeta disi e rrethuar nga të fortët, kuptova se nuk jam plotësisht një prej tyre. Kuptova se isha disi e dobët, por jo nga këta të dobëtit që kërkojnë strategji për të ndaluar të fortit të ushtrojnë forcën e tyre. Unë isha nga këta që i shmangen konflikteve. Siç e thot Nitçë sërish, jeta është terreni i ballafaqimit të forcave, e unë i shmangesha këtij terreni. Unë nuk isha e as nuk jam e dobët. Unë isha një e fortë që mund ta kishte marrë vala e moralistave. Sot ndihem më e fortë sepse sot nuk i shmangem këtij ballafaqimi dhe arsyeja për këtë është se jam më e vetëdijshme mbi forcën time, e pranoj siç është. Duke parë sa e bukur është jeta nëse jemi zgjuar, nëse lëvizim, provojmë, gabojmë, ndreqim, përmisojmë, pra nëse jetojmë, nuk kam më dëshirë të kthehem në atë botë të fjetur e plot kufizime. Shpesh do uroja që dhe të dobëtit të zgjoheshin. Ndoshta dhe ky këndvështrim jomoralist që kam krijuar mbi jetën më shtyn drejt debateve. Ndoshta kjo më shtyn të bisedoj rreth politikës, fesë apo ndonjë teme tjetër delikate si këto.

Si Edonë unë kuptoj dhe pranoj ekistencën e gjitha këndvështrimeve të ndryshme, sado abstrakte të më duken. Kur shpreh një mendim si ky, nuk përpiqem të shuaj ekzistencën e një mendimi ndryshe, por thjesht me forcën e tanishme të së menduarit përpiqem ta interpretoj botën nga sytë e mi. Debatet nuk më frustrojnë sado të ashpra të jenë, prandaj dua t’i kujtoj atij mikut se do i mbaj dyert e mendjes time hapur për ide nga më të larmishmet dhe ashpërsia e ndonjë debati nuk do të m’i mbyllë këto dyer.