Vështrim/Analizë

Edonë Madani: Shqiptari një gjuhë, një Flamur e një Shqipëri ka

Në rrobat e ushtrisë së Shqipërisë Veriore, – Kosovës, – na paskan shtamposur atë flamurin e pakuptimtë e joshqiptar me harta e yje e përkrah një farë gjysëmshqiponje. Sikur kjo të mos mjaftonte kryetarja e shtetit, Vjosa Osmani, përfaqësohet kudo me atë flamurin partiak të Rugovës, që sipas meje s’është gjë tjetër veç një deformim i flamurit tonë shqiptar. “Komentet shtesë që do të bëhen duhet të fokusohen në idetë kundër ndryshimit të kufijve. Kosova si vend i pavarur dhe sovran është projekt i përhershëm në kufijtë e saj dhe aty është për të qëndruar si e tillë”, i drejtohej Vjosa mediave nderkombetare para ca ditëve. Zonja në fjalë, në çfarë do lloj konteksti të ketë qenë, nuk duhet ta kishte pohuar një gjë të tillë. Zonja në fjalë mohon gjakun e derdhur nga gjitha anët e trojeve shqiptare për bashkimin e kombit e të Shqipërisë! Ajo i fryn një zjarri të ndezur me dashje nga rrymat antishqiptare. Ajo bërtet çdo ditë e më shumë “Kosova, Kosovarët”! Flamuri i çdo shqiptari kudo ku ndodhet do mbetet flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare. Nëse duhej të derdhnim gjak për tokat shqiptare atë do e bënim në nder e në emër të këtij flamuri, siç bënte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kufijtë e Kosovës, zonjë e nderuar presidente, nuk duhet kurrësesi të qëndrojnë siç janë sot. Kosova dhe të gjitha trevat shqiptare duhet të bashkohen me Trungun e tyre, – shtetin e tyre… Këto që përdor Vjosa Osmani me kompani, nuk janë vetëm simbole të thjeshta që mund t’i injorojmë. Këto paraqesin qartas konceptet e saj, por konceptet e saj nuk do të thotë se duhet t’i pranojmë ne. E përsëris, çdo ditë, se komb kosovar nuk ka. Ka një komb shqiptar, me rrënjë te thella e të forta. Rrënjët e këtij kombi, po aq sa degët tij (dy të tretat e Shqipërisë) shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë së sotme.