Jam duke lexuar librin «E djegur për së gjalli» të Souad, një vajze palestineze, ku ajo rrëfen historinë e saj. Souad shpalos dhimbjen që shoqëria në të cilën është rritur i ka shkaktuar. Souad shpalos zakonet që ndëshkonin pa u matur, pa u menduar, madje edhe pa prova, “mëkatet” e vajzave. Souad shpalos idiotësinë e këtyre traditave të ndryshkura përmes lëkurës së saj të djegur. Të djegur në kupitmin e vërtetë të fjalës. Souad shpalos historinë e një familjeje arabe në një fshat të thellë të Palestinës, ku burri mund ta vrasë gruan me të vetmin shkak: se njerëzit flasin rreth saj dhe se komshinjtë e akuzojnë si “të pandershme”! Kaq do mjaftonte që vdekja e saj të justifikohej!? Që vëllai të mbytë motrën është normale. Që nëna t’i mbysë vazjat e sapolindura me jastëk pasi ka 4 vajza dhe familja dëshiron të bekohet me djalë. Souad na tregon se një vajzë në sytë e shoqërisë vlen më pak se një lopë, se të paktën lopa sjell të ardhura. Souad më rrëfen përmes shkrimeve të saj të shkruara në jetën e saj të dytë, atë pas djegjes për së gjalli nga kunati i saj, burri i cili u ngarkua me detyrën për ta vrarë pasi ajo ishte shtatzënë jashtë martese.
Ajo rrëfen kodet e shoqërisë ku u dogj. Rrëfen banalitetin e traditave mesjetare. Ajo më rrëfeu se «Morali djeg». Morali djeg pa ndalur. Ndoshta nuk djeg të gjithë si Souad-ën, me flakë që përhapen nëpër lëkurën e saj dhe me copat e fustanit të djegur, që ngjiten mbi atë lëkurë të përcëlluar, por morali djeg ëndrra. Morali djeg të vërtetën, arsyen dhe vet nderin. Morali djeg.
Pak ditë më parë kam pasur një bisedë rreth Kanunit të Lek Dukagjinit, të cilin e pata lexuar verën e kaluar. Aq u pata habitur me ato ligje të hershme tonat sa më s’ka. Sa të mirështjelluara dhe sa të qytetëruara për kohën e vet por që në thelb kanë kuptime që gjejnë vend edhe sot. Aq të ndershme e që përmbi gjithçka mbjellin barazi. Më e bukura në këto ligje është vendi i femrës në tonën shoqëri. Po ta shohësh historinë e kupton se gruaja ka qënë e ngritur, e gati e shenjtë. Gruaja nuk është vrarë tek ne, të paktën jo në emër të kodeve shoqërore. Një bashkshort që vret gruan e vet për çfarëdolloj arsye, ai gjakun e saj do e lante me gjak. Gjaku i gruas për shqiptarët ka vlerë sipas traditave tona, madje edhe më i shenjtë, sepse gruaja nuk hyn në gjak. Asnjë akuzë, si rregull nuk mund t’i bëhej pa pasur prova, por edhe në rast provash çështja diskutohej e pastaj mirreshin vendime. Në të gjithë Kanunin, në thelb mbetet besa dhe nderi. Ky kod, dua të them i shenjtë, nuk ka në thelb moralin, në ndryshim sidomos me çdo libër fetar. Ky kod shoqëror, i thërret arsyes, drejtësisë dhe barazisë. Ka pasur dhe ka deformime e abuzime në emër të këtyre rregullave, siç ndodh sot edhe në vendet ku demokracia lulëzon në emër të ligjeve demokratike por, sipas meje. Kanuni i Lek Dukagjinit është përmbledhje e rregullave më njerëzore dhe më të mirëmenduara. Burrat shqiptarë, historikisht e kanë respektuar gruan. Gruaja shqiptare ka lënë gjurmë edhe atëherë kur gjithë shoqëritë i ngjanin disi asaj ku Souad është rritur. Gruaja shqiptare është Teuta që me dinjitet mbretëroi Ilirinë. Gruaja shqiptare është Elena Gjika, shkrimtare që ngriti zërin në emër të Shqipërisë përmjet veprave që ajo la pas. Gruaja shqiptare është Nënë Tereza, që përhapi mirësinë me zemërgjerësinë e saj anembanë botës. Gruaja shqiptare është Sevasti Qiriazi, e cila guxoi të ndezë një qiri shprese për arsimin shqip. Gruaja shqiptare është Marigo Posiu që qëndisi Flamurin e Pavarsisë së Shqipërisë tonë të dashur. Gruaja shqiptare është trimëresha Shote Galica, që shpalosi forcën, guximin, nderin e besën e shqiptares. Gra shqiptare ishin të gjitha ato partizane që luftuan krah për krah me burrat. Vajza e gra shqiptare ishin edhe ato që luftuan përkrah vëllezërve, bijve e burrave të tyre për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë gjatë Luftës Çlirimtare të LPK – UÇK – së. Grua e tillë Heroinë ishte Xhevë Lladroci, e cila luftoi e ra në krah të burrit të saj, Heroit të Shqipërisë, Fehmi Lladrocit.
Gruaja shqiptare ka qenë, është dhe do të jetë përjetë. Ekzistenca e saj është pranuar e respektuar. Gruaja shqiptare ka pasur gjithnjë vendin e saj në shoqëri dhe shoqëria nuk e ka mohuar këtë vend të sajin. Shqipëria ka kaluar periudha jo të lehta dhe shqiptarët i kanë vuajtur këto bashkë me të. Një ndër krizat, sipas meje, më të thella ka qenë përpjekja e otomanëve për të mbjellur moralin në mesin tonë. Shqiptari i bëri ballë dhe kësaj, por ndonje farë morali mbiu aty-këtu dhe këtë e vuajti jo vetëm femra por dhe mashkulli. Që të dyve u mundaun t’ua vendosin mbi shpinë peshën e rëndë shtypëse të moralit, peshën e paragjykimit dhe absurditetit. Kjo frymë e prapambetur u zhduk thuajse krejt përgjatë viteve të shtetit të Enver Hoxhës dhe këtë nuk e mohon dot njeri. Edhe ato pak pjesë të shoqërisë, të infektuara nga moralizma me zanafillë turko-arabe, u rikujtuan se burri dhe gruaja shkojnë përkrah dhe secili ka vendin e vet në cilindo rol në shoqëri. Vitet e fundit dëgjojmë për burra të dhunshëm, burra fanatikë, burra që nuk duan të lënë vajzat të shkojnë në shkollë dhe kjo është kaq antinjerëzore dhe, mbi të gjitha antishqipëtare, pasi thyen ligjet dhe normat tona shoqërore. Jam kundër dhunës. Jam pro lirisë dhe mundësive për të zbuluar jetën më së miri. Do jepja ç’të mundja për një arsimim të gjithsecilit. Gjitha këto dëshira nuk i kam vetëm për vajzat. Mendoj se në paçin vuajtur vajzat e gratë shqiptare, po aq, por në një apo tjetër mënyrë, kanë vuajtur dhe djemtë e burrat. Unë nuk mundem ta them se diskriminimi i gruas i ka rrënjët e thella në shoqërinë tonë, siç thonë disa. Madje, mendoj se kjo vërtet kurrë nuk ka zënë rrënjë. Këto këndështrime janë thjeshtë një degë e kalbur e pemës tonë që gjithmonë është ushqyer me objektiviet dhe qytetërim. Pra besoj se mjafton të kujtojmë rrënjët tona për ta këputur këtë degë. Në të njëjtën kohë me këtë roman dokumentar po lexoj një libër të Nitçë (Frederich Nietzsche) rreth moralit. Po njihem me zanafillat e moralit. Gjithashtu të gjitha këto i gërshetoj me disa biseda me një miken time algjeriane që më shpalos, përmes jetës dhe asaj ç’ka parë, se ç’vend ka morali në shoqërinë e tyre. Diçka mund të përmbledh nga gjithë kjo kohë reflektimi rreth moralit. Morali djeg. Morali djeg një Souad, morali e lë pa shkollë, morali bën që ajo të mallkojë veten. Por morali shkatërron një prind, i cili aq i shkatërruar është sa shprehet në dhunë. Morali detyron një vëlla të përbijë vetitë e tij njerëzore dhe t’i flijojë ato për « fjalët e hallkut ». Detyron një bashkshort të dhunojë nënën e fëmijëve të vet nëse nuk dëshiron që njerëzit ta pështyjnë në fytyrë! Detyron një shoqëri të tërë të besojë në një të vertetë të përgjithshme, e cila nuk është e mundur pasi e vërteta ime mund të mos jetë e jotja, pasi unë dhe ti jemi dy. Këto rregulla që shkojnë kundër realitetit e kundër natyrës janë po ato rregulla që e dënojnë ndonjëherë burrin me titullin e të dhunshmit dhe gruan me atë të viktimës së dhunës së tij, por të dy në fakt janë viktima të një shoqërie moraliste.
Ajo çfarë desha të shprehja me këtë shkrim është se jam kundër gjithë atyre që anashkalojnë kontekstin e kohës dhe zanafillë të dhunës, të pabarazisë e të kufizimeve të tjera, quajnë vet «mentalitetin» shqiptar. Jam kundër atyre që lënë mënjanë shkaqet ekonomike që mund të shtyjnë një familje të mos ketë arsimin si parim, por bukën e gojës e si rrjedhojë vajza nuk shkon dot në shkollë (e besa njejte as djali). Jam kundër atyre që fajsojnë burrin që dhunoi gruan, duke anashkaluar fakitn se ai mund të jetë viktimë e një sistemi që i vjedh dinjitetin dhe këtë dëshpërim e shpreh me dhunë. Unë dal kundër gjithë atyre feministeve që pretendojnë se vetëm femra vuan, dhe që më kapen me kontekste të mëparshme për ta provuar këtë. T’i kujtojmë gjithë ata vëllezër që lanë përgjysëm shkollën për t’u bërë krah pune e për të siguruar bukën, e shpesh motrës iu dha mundësia të shkonte në shkollë. Refuzoj të pranoj se pabarazitë kryesisht gjinore janë tipike shqiptare dhe e përsëris se janë krejt antishqiptare. Duhet të kërkojmë zgjidhje të këtyre problemeve sociale dhe jo të ankohemi, ndërkohë që e gjitha kjo ndodh para syve tanë. Duhet të ndalojmë së menduari se këto padrejtësi janë rrjedhojë e një mallkimi të lashtë shqiptar që nuk zhbëhet. Disa shoqëri si kjo e Souad, zanafilla e padrejtësive ka shpesh një origjinë kulturore e fetare, por sipas meje kjo nuk vlen njësoj për shqiptarët. Morali mund t’i ketë rrënjët kudo por, jo në Shqipëri.