Shqipëria/Aktualitet

Edonë Madani: Kohë dhe politika paranojake

Kam lexuar e kam pyetur goxha rreth arsimimit, kinematografisë, artit etj., para dhe pas viteve 90 dhe kam arritur në konkluzionin që pikësynimi i Saliut me kompani paska qenë prishja e shkatërrimi. Më bën shumë përshtypje kur dëgjoj se dikur shkolla “Ali Ibër Neza”, ish-shkolla ime, paska pasur laboratore të avancuara dikur, kurse sot, vetëm aq materiale sa mundohen vet mësuesit të sjellin nga shtëpitë e tyre!! Po fundja, ç’na duhen laboratoret, apo jo? Puna praktike na mëson të verifikojmë ato ç’na thuhen, ç’na mësohen kështu që pse t’i lejmë laboratoret?! Më mirë të reduktojmë aq sa mundemi mundësitë për një arsimim të mirë se përndryshe do e kuptojnë se po ju hedhim pluhur syve. Eh, si në më pak se një gjysmë shekulli, të rinjve edhe nga fshatrat më të largëta iu krijua mundësia të nxinin dije në kushte të mira, dhe erdhën këta të marrët e fundit që, lëre se shkatrruan objekte, po dembelosën dhe kthyen moralizmat e lashta në mesin e një shoqërie të tërë! Pasojat i shohim sot kur për çështje ekonomike e nga pamundësia për të menduar me racionalitet, sot në 2021 dëgjojmë prindër që u ndalin shkollën fëmijëve!

Mbetëm duke rishikuar filmat e vjetër, me plot kuptim e që ngritin vlerat tona në pah, në pritje të një prodhimi me vlerë të së tashmes. U vulgarizuan e banalizuan muzika dhe arti “në emër të lirisë”, por unë vazhdoj të mendoj se këngëtarë profesionalë si Vaçe Zela, Luan Zhegu e me rradhë kanë sjellë kryevepra të pakrahasueshme me shumë të ashtuquajtur këngëtarë të sotshëm që papunësia i solli në rrugën e muzikës. Degradim i gjithanshëm! Këta politikanët e pas ’90 më duken si ai lojtari që nuk pranonte dot humbjen dhe për inat të kundërshtarit që ishte më i zoti ia mbushte topit dhe e nxirrte nga fusha. Mirë inati me kta të gjallët po me të vdekurit ç’kanë?! Ata hynë në pushtet duke shkatërruar frytet e punës së shqiptarëve të bashkuar, shkollat, uzinat, hekurudhat etj. I shkatërruan në emër të inatit me Enver Hoxhën, sikur të dëshironin të shlyenin një mallkim të tijin, që fshihej në veprat e kohës së tij. Pastaj thonë ca se Enveri paska qënë paranojak për sa i përket ndërtimit të bunkerëve. Të paktën, ai mbrohej nga armiqtë e gjallë, konkretë e kërcënues, këta mbrohen nga fantazmat. Më e keqja është se kjo fantazmë po i ndjek akoma dhe sot. Kush qenka më paranojak vallë?