Portreti/intervista

Agim Sylejmani: Për Ditën e Mësuesit

Dita e mësuesit, 7 Marsi, e vetmja ditë që i kushtohet atyre që edukojnë dhe arsimojnë breza të tërë të shoqërisë. Më duket se është një privilegj i kombit tonë që kemi këtë ditë kaq të shenjtë, ditë që u kushtohet mësuesve, atyre që bartin barrën më të rëndë e njëkohësisht më fisnike, arsimimin dhe shkollimin e brezave. Janë ata që ua mësojnë fëmijëve ABC-në dhe u japin dije për jetën. Unë kisha një privilegj që babain tim e kisha mësues për 40 vite rresht, në kohën kur ngriteshin shkollat, këto institucione të arsimimit të popullsisë shqiptare në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Andaj, si asnjëherë tjetër, dua që babait tim Taibit, tanime i ndjerë, këtë ditë t’ia uroj nga larg, atje ku prehen eshtrat e tij në varrezat e Prishtinës. GËZUAR BABA DITA E MËSUESIT!

Shumëkush nuk e di, se në Kosovë regjimi i egër titist jugosllav ia mohoi të drejtën e ushtrimit të këtij profesioni ndër më fisnikët, profesionin e mësuesisë. Njëri prej tyre ishte edhe mësuesi nga Prekazi, i urti atdhetar e patrioti i flaktë, Shaban Jashari, babai i komandantit legjendar Adem Jashari. Prandaj këtë ditë të mësuesisë ia uroj atij nga më meritorët, atij që na bëri të ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë! GËZUAR HERO SHABAN JASHARI DITA E MËSUESIT!