Ekonomi

Dyfishohet prodhimi i vajit të ullirit

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Sezoni i vjeljes dhe përpunimit të ullirit këtë vit ka qenë shumë i mbarë dhe deri në fund të periudhës dhjetor-janar, pritet që sasia e vajit të prodhuar të jetë 70% më e lartë se ajo e vitit të kaluar.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, rritja e prodhimit të ullinjve, lidhet me shtimin e rrënjëve të reja të ullirit dhe të shërbimeve që fermerët kanë bërë me ullirin dhe kushtet klimatike.

Këtë vit, kultura e ullirit është përfshirë edhe në skemën e subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë, duke përfshirë, për herë të parë, rimbursimin e barrës fiskale edhe për fermerët që kultivojnë ullirin.

Masa mbështetëse nr. 5 mbi përdorimin e fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural parashikon subvencionimin në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore për ullirin e mbjellë, por jo më shumë se 175,000 lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 500,000 lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.

Ndërkohë që ulliri dhe prodhimi i vajit të ullirit do të mbështetet edhe nga Programi IPARD III që pritet të nisë vitin që vjen.

Prodhimi i vajit të ullirit shënoi mbi 25 mijë tonë këtë vit dhe programi qeverisë për zhvillimin e ullirit, synon shtimin e sipërfaqes së përgjithshme me ullinj dhe rritjen e prodhimit të vajit “Made in Albania”.

Krahas këtij misioni MBZHR për herë të parë po punon në krijimin dhe mbajtjen e një regjistri për ullirin.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur procesin e regjistrimit të ullinjve në Shqipëri duke nisur nga Berati, qyteti me potencialet dhe resurset më të mëdha të kultivimit të kësaj kulture.

Kadastra do t’i shërbejë më pas hartimit të politikave për zhvillimin e sektorit të ullirit dhe vajit të ullirit.

Sipërfaqja e ullishtave  aktualisht vlerësohet të jetë rreth 50 mijë hektarë gjithsej. Aktualisht numri i ullinjve gjithsej parashikohet të jetë rreth 9 milionë rrënjë dhe numri i linjave bashkëkohore të përpunimit për vaj, mbi 170.

Sistemi i një informacioni digjital për regjistrin e ullirit do të identifikojë gjendjen aktuale të ullishtarisë dhe perspektivën e zhvillimit të saj.