Opinion

Dr. Sadri Ramabaja: Ndotja e informacionit si strategji

Të vetëdijshëm për rolin e mediave sociale, strategët e „luftës hibride“, janë shumë aktiv edhe në rrjetin social. Ata tashmë kanë krijuar rrjetet e tyre në komunitetin real e në atë të internetit, si një bashkësi a “fis” modern, që prodhon „kosovacentrizmi“ banal  si nusprodukt i esadizmit në politikën kosovare

Prishtinë, 1 prill – Raporti i Këshillit të Evropës (2019, ÇRREGULLIMI INFORMATIV: Drejt një kuadri ndërdisiplinar për studime dhe politikëbërje) tregon se kontrollet e fakteve tek një lagje e mirë e mediave në Kosovë ishin joefektive, respektivisht të orjentuara drejt propagandës dhe lajmeve të rreme. Qëllimi: mbulimi i akcilave ngjarje dhe subjekte politike, me theks ato që kishin të bënin me Vetëvendosjen.

Çrregullimi i informacionit si qëllim politik

Por gjendja nuk ka shkuar duke u përmirësuar në shkallën e duhur as tash kur kemi një vit e ca nga ai raport. Përkundrazi, ajo lagje e mediave e zënë në gojë në atë raport, tashmë është rritur e zgjeruar. Janë një varg televizionesh dhe portalesh që për çdo mbrëmje krijojnë kakofoni të paparë dhe ndotje akustike të llojit të vet.

Në kor, kjo lagje mediash, tashmë ka etabluar betejën për kriimin permanent të një cilësie krejt të re të dezinformimit në formën e “ndotjes së informacionit në shkallë globale”. Tutje RTK si televizion publik i vetëm, mbetet më i kontrolluari dhe plotësisht në shërbim të strategjisë së olhokratëve.
Kjo kastë olhokratësh që kishte pushtuar majat e pushtetit, në koordinim me ologokratët, kanë ndërtuar me vite strategjinë për “kontrollin e fakteve dhe shpërndarjen informacionit faktik, respektivisht dezinformacionit,“ duke kontribuar shumë në “çrregullimin e informacionit” dhe në ngritjen e fenomenit të ndotjes globale të tij.


Këto ishin dy nga gjetjet e raportit të botuar vitin e kaluar e të porositur nga Këshilli i Evropës, që mbante itullin disi të pazakonshëm “Çrregullimi i informacionit: Drejt një kornize ndërdisiplinore për kërkimin dhe hartimin e politikave”.

Strategët e kësaj lufte duket të jenë bazuar në teoritë e studjuesit amerikan James Carey, tek po ndërtonin strategjinë për çrregillimin e informacionit si qëllim politik më vete. Studjuesi në fjalë (Xhejms Keri) e kishte klasifikuar këtë veprim më pak si një shkëmbim informacioni midis dy personave, e më shumë si një „instrument për të krijuar besime të përbashkëta“.

Vetëm brenda dy-tri ditëve të fundit, kjo lagje mediash në Prishtinë e Tiranë, si në kor, raportoi për kalimin e kryeministrit Kurti nga banesa e tij (edhe ajo e marrë me qira), në një shtëpi të rëndomtë (po ashtu me qira), në një prej lagjeve të qeta të Prishtinës, buzë Gërmisë si „dëshmi e korruptimit politik“!

Kjo zhurmë kishte shumëçka të ngjashme me atë të shtypit fashist në Italinë e periudhës së pasluftës së Dytë Botërore. “Të gjithë politikanët janë hajna!”, trumbetonin ata. “Rrjedhimisht, edhe socialdemokratët janë të tillë, si ne!” i binin burive të propagandës banale, tutje.

Thelbësore mbetet për strategët e kësaj lufte hibride rrafshimi i kontrastit të thellë mes oligokratëve e shërbëtorëve të tyre që sunduan republikat tona për dekada me radhë, dhe Albin Kurtit dhe idealistëve rreth tij. Ndonjërit prej tyre, siç është rasti me Liburn Aliun, përmes Prokurorisë së kapur, nuk ngurruan që pikërisht në ditën e parë të punës s tij si ministër, t‘i bëjnë publike aktakuzën e shpifur.

Propaganda dhe mashtrimi

Autorët e raportit të Këshillit Europian (2019) kishin identifikuar tri fusha ku kryjhej akti i “ndotjes së informacionit”:

1. Keqinformimi, kur informacioni i pasaktë përhapet, por pa i shkaktuar ndokujt dëm të ndjeshëm.

2. Dezinformimi, që përhapet qëllimisht për të dëmtuar.

3. Informacioni i rremë.

Ky i fundit, sipas strategve të kësaj lufte, duhet të mbetet në sferën private, por bëhet me qëllim publik për të dëmtuar jo vetëm individin, por edhe forcën politike a institucionin përkaëts që ndërlidhet me individin dhe akcilën ideologji që ai mbështet.

Rëndësia historike dhe efektet e propagandës së kësaj natyre, historive të trilluara dhe thashethemeve, janë gjithashtu të dokumentuara mirë në rrafshin shkencor. Ndërkaq ndikimi i rrjetit social dhe lufta hibrde që bëhet në ambientin shqiptar, e mbi të gjitha ndikimi nga jashtë (përmes SPUTNIK-ut, RTS-së, TRT-së, Al Jazeera-së…) është çështje për hulumtim e studim.

Është me interes të jashtëzakonshëm të kuptohet se, të ashtuquajturat iniciativa që drejtohen nën termin “kontroll i fakteve”, potencohej atbotë në raport, me idenë që “lajmi i rremë” të luftohet përmes ngritjes së cilësisë në televizione e media të shkruara, nga ekspertët e fushës, nuk janë cilësuar si strategji e as si përgjigje e mjaftueshme. Një ndërmarrje e kësaj natyre është thjesht “humbje e kohës dhe burimeve, nëse elementet emocionale dhe rituale të komunikimit nuk kuptohen si duhet”.

Emocionet si thembra e Akilit

Strategët e kësaj beteje në Prishtinë e Tiranë, që qëndrojnë prapa kësaj lufte hibride, e kanë të qartë se “faktori i suksesit” është i garantuar vetëm atëherë kur dezinformata apo keqinformimi ka si objekt ataku emocionet. Indinjata, zemrimi, por edhe frika janë në epiqendër të kësaj beteje. Po u arritë të ngrejnë emocione, indinjatë, zemrim a frikë të lloit të vet, ekspertët e fushs, konsiderojnë se e kanë kryer misionin.
Le të kujtojmë fushatën për gjoja antiamerikanizmin e Kurtit të vitit të kaluar, cicërimat për gjoja rrezikimin që provokon Kurti për „tërheqjen e forcave amerikane dhe vetë Bonstillit“; ndërkaq edhe sprova e ngritur sivjet përmes publikimit të ca “cicërrimave” të Grenellit, flasin shumë për cakun e goditjes.

Të vetëdijshëm për rolin e mediave sociale, strategët e kësaj lufte, janë shumë aktiv edhe në rrjetin social. Meqë këta faktorë sigurojnë që përdoruesit e rrjeteve sociale gjithnjë e më shumë shkëmbejnë e shpërndajnë përmbajtje me njëri-tjetrin, duke krijuar rrjetet e tyre në komunitetin real e në atë të internetit, si një bashkësi a “fis” modern që prodhon „kosovacentrizmi“ banal i ca qarqeve, që nuk janë asgjë tjetër, veç nusprodukt i esadizmit në politikën kosovare.

Komentet e shkurtëra që shpërndajnë, pëlqimet dhe postimet publike, krijojnë ndrlidhje të fuqishme e komunikim masiv, por edhe emotiv. Shih për këtë, kjo betejë duket se do të jetë gjithnjë e më e ashpër, përderisa Televizionet tona publike, e jo vetëm ata, mbesin nën kontrollin e kapësve të Republikës.

Kjo luftë speciale kërkon gjithësesi përgjegje speciale.

Ajo nuk fitohet nëse mirremi vetëm me kundërmësymje dhe demantim. Prandaj kërkohet të analizohet “axhenda e fshehur” e kokave të kësaj strategjie dhe veprimi, por edhe dora e Shtetit të së drejtës.