Vështrim/Analizë

Dr. Adem Harxhi: E gjitha lidhet me paranë…

Dr. Adem Harxhi

Paratë dhe pushteti kanë forcë të madhe motivuese. Paraja vërtit botën, thotë populli. Por, babëzia, ose dashuria pa kufi për paratë, është rrënja e çdo të keqeje. Mendoni për këto fakte të njohura statistikore:

  • 90 përqind e të burgosurve, kudo në botë, janë atje për një nga krimet që lidhen me paratë. Kjo tregon sa e madhe është forca e parave. Njerëzit rrezikojnë të shkojnë në burg për para.
  • 75 përqind e të gjithë vrasjeve bëhen për para. Është dëshira e pangopur për të patur para, që i shtyn njerëzit të vrasin një njeri tjetër.!

Sipas ligjit çdo biznes, me përjashtime të rralla, ka si objektiv të ketë sa më shumë fitime. Për ta arritur këtë objektiv kompanitë përpiqen të ulin sa më shumë koston e prodhimit, t’i shesin prodhimet me çmime sa më të larta dhe të shesin sa më shumë prej tyre. Kompanitë drejtohen nga njerëzit dhe këta udhëhiqen nga dy motive : E para, të bëjnë sa më shumë para për veten dhe e dyta, të rritin pushtetin, prestigjin dhe influencën e tyre. Kjo do të thotë që drejtuesit e kompanive marrin vendime që i pasurojnë ata sa më shumë.. Zor të gjesh midis tyre, njerëz që shqetësohen për mirëqenien e të tjerëve, për ruajtjen e ambientit, ose që të arrijnë ndonjë çlirim shpirtëror. Vendimet që marrin kompanitë, gjithherë, nisen dhe varen nga pyetja: “A ka gjë për mua këtu?”.  A nuk tregon këtë edhe lajmi i fundit për ambalazhimin në Qipro të hedhurinave medikamentoze të botës dhe shitja e tyre si barna me standarde evropiane në Shqipëri.  Kjo më kujtoi skandalin e disa dhjetëvjeçarëve më parë, kur në Itali fermentonin materiet fekale të ujërave të zeza të qyteteve dhe e shitnin si verë të kualitetit të lartë me etiketa luksoze. A ka ndonjë ndryshim këtu? I vetmi ndryshim është se dëmi në rastin tonë është më i madh. Bëhet fjalë për medikamente dhe për jetë njerëzish që mashtrohen në mënyrë kriminale.

Tregojnë për një fakt interesant, por të vërtetë. Dikush e gjeti një kurë për diabetin. Këtij zbuluesi një kompani e madhe farmaceutike i dha mbi 30 milion dollarë, që ai të mos e marketonte barin që zbuloi !. A nuk lidhet kjo e gjitha me paratë?. A ka njeri që mendon se prodhuesit e insulinës do të kënaqeshin, kur dikush do të zbulonte një bimë që do të shëronte njerëzit me diabet dhe të ata të mos kishin më nevojë për insulinë? Natyrisht, jo. Kjo, do t’i nxirrte ata jashtë biznesit.

Shëndetësia, ose ndryshe mjekimi, parandalimi dhe diagnoza e sëmundjeve, është industria më fitimprurëse në botë. Për sa kohë ka të sëmurë, biliona e biliona dollarë fitime sigurohen çdo vit. Pa mendoni për këtë. Janë shuma marramendëse parash që fitohen, të cilat u a marrin njerëzve që janë të sëmurë. Të shëndoshët, nuk harxhojnë asnjë lekë  për industrinë e kujdesit shëndetësor.  I shëndoshi nuk ka nevojë të blejë barna, nuk ka nevojë për trajtim mjekësor.  Po qe se të gjithë njerëzit do të ishin të shëndetshëm dhe pa sëmundje, kompanitë e barnave dhe e gjithë industria e kujdesit shëndetësor do të dilnin nga biznesi. Për kompanitë e barnave dhe për të gjitha institucionet që përfshihen në kujdesin shëndetësor, njerëzit nuk janë asgjë tjetër, veçse konsumatorë. Për aq kohë sa jemi të sëmurë, ne jemi konsumatorë të mirë. Industria e kujdesit shëndetësor nuk ka asnjë interes financiar nga njerëzit e shëndoshë. Ajo nuk ka interes financiar të parandalojë ose të kurojë sëmundjet. E gjithë industria e kujdesit shëndetësor, si të gjitha industritë e tjera, udhëhiqet nga motivi: të bëjmë para!. Kjo industri drejtohet nga njerëz dhe këta njerëz janë, (me përjashtime fare të vogla), nga më të pamëshirshmit, më të pasurit dhe më lakmitarët e planetit.

A është e vërtetë kjo që sapo thashë? Le ta shikojmë këtë skenar:  Imagjinoni një shkencëtar që punon diku në një laborator. Ai bën një zbulim të madh: ka gjetur një bimë të vogël që kur bëhet çaj dhe pihet, eliminon brenda një jave, të gjitha kanceret në trup.  Imagjinojeni këtë kërkues të njoftojë, se ia ka dhënë këtë çaj njëmijë pacientëve me kancer dhe çdo njëri prej tyre, brenda një jave, pa operacion, u gjet i shëruar. Eureka! Një kurë për kancerin! Një kurë e thjeshtë, e lirë, e gjitha natyrale, pa efekte anësore. Vetëm një bimë e thjeshtë, që e bëni çaj, e pini dhe shëroheni. Për më tepër, kjo kurë kushton vetëm qindarka.

Imagjinoni që ky shkencëtar e njoftoi këtë zbulim në gjithë botën. Natyrisht, ai do të merrte Çmimin Nobel. Natyrisht, komuniteti mjekësor botëror do të bashkohej me të. Nuk ka më problem me kancerin ! Çdo pacient me kancer do ta pinte këtë çaj dhe në një javë kanceri do të shërohej. Çdo person që jeton me frikën se ka kancer, tani e di se po të pijë disa gota nga ky çaj që kushton vetëm pak qindarka, do ta evitojë kancerin. O bota ime! Parajsa, nuk është asgjë para kësaj!. Por, fatkeqësisht, ne kurrë nuk e dëgjuam këtë histori. Jo pse historia nuk është e vërtetë, por sepse po të lejohej çaji me bimën që kuron të gjitha kanceret, nuk do të kishte më nevojë për gjithë këto shoqata të kancerit anembanë botës. Nuk do të kishte më nevojë për kompani farmaceutike që prodhojnë dhe shesin barnat për kancerin. Nuk do të kishte më nevojë për kërkime në fushën e kancerit. Klinikat e kancerit rreth e rrotull botës do të mbylleshin, qindra mijëra njerëz do të flakeshin nga puna, e gjithë industria do të mbyllej brenda natës dhe biliona e biliona dollarë fitime nuk do të kanalizoheshin më drejt njerëzve të fuqishëm, që kontrollojnë industrinë e kancerit.

Shumëkujt nga ju, u kujtohet “Dr. Arqileja” dhe shumë mjekues të tjerë popullorë. Imagjinoni që njëri prej tyre e bëri këtë zbulim. Imagjinoni çfarë do të ndodhte? Disa nga këta njerëz, thjesht, do të zhdukeshin. Në raste të tjera, do t’u jepen qindra milionë dollarë për kërkimet e tyre. Ka ndodhur në botë që qeveritë i bastisin zyrat e këtyre kërkuesve, u konfiskojnë të dhënat dhe e burgosin kërkuesin për ushtrim të mjekësisë pa licencë.

A është kjo që them unë fantazi, apo është e vërtet? A është e vërtetë, që industria e kujdesit shëndetësor i pengon  kurat natyrale e të lira, që ato të mos përdoren për sëmundjet dhe invaliditetet? A është e vërtetë që i vetmi motivacion i shërbimit shëndetësor është fitimi? Le të shikojmë këto histori.

Të gjithë kemi dëgjuar historinë e shpikësve, që prodhuan karburatorët me të cilët makinat do të udhëtonin mijëra kilometra, me më pak benzinë. Ne kemi dëgjuar, gjithashtu, se industria e makinave pagoi për këtë shpikje miliona dollar që të siguronte patentën dhe pastaj i varrosi këto patenta, që kjo teknologji kurrë të mos përdoret. Pse? Sepse kjo shpikje do t’i kushtonte industrisë së makinave, biliona dollar.

Kush ka lexuar ose ka parë filmin “The Insider”, e ka kuptuar se si për vite industria e cigareve gënjente duke futur në cigare përbërës shumë adiktive(droga). Më në fund, një i brendshëm i fryu bilbilit dhe tha të vërtetën. Ai bëri të ditur atë që të gjithë njerëzit e mendonin. Cigaret kishin edhe drogë. Prodhuesit e cigareve këtë e dinin prej vitesh më parë, por gënjyen para Kongresit amerikan kur thanë se “ata nuk kishin dijeni “. Kjo e tëra ishte një gënjeshtër. Pse gënjenin ata? Për paratë. E gjitha është punë parash!

Nuk ka njeri, pa le më doktor, që nuk e di se sjellja e plehrave të Europës, nuk ka ndonjë të mirë për shëndetin e njerëzve. Por është dashuria për para, që bën të mpihet mendimi dhe të errësohet pamja. Janë paratë, që në shkallë e në mënyra të ndryshme, detyrojnë ministrat, kryeministrat, Akademikët, Shefat e doktorët e shkencave, madje dhe mjekët e thjeshtë, që të mos ngrihen kundër sjelljes së plehrave.

A ka njeri në botë që nuk e di se çmontimi i armatimeve nuk duhet të bëhet në qendra të banuara? Nuk besoj. Por është babëzia që bën të humbasë gjykimi dhe të kuptosh se ke bërë krim, vetëm, atëherë, kur 26 të pafajshëm humbasin jetën dhe qindra të tjerë lëndohen, gjymtohen dhe humbasin shtëpitë e tyre.

Kushdo që mendon se reformat në shëndetësi që na propozohen, do të përmirësojnë shërbimin, gabon. Ato pasurojnë kompanitë dhe ata që i zotërojnë këto kompani. Në vend që ato pak para që dalin nga buxheti i shtetit për shëndetësinë të shkojnë të gjitha për të sëmurët,pjesa e luanit do të shkojë për kompanitë. Çfarë do të mbetet, do të shkojë për shëndetin e njerëzve.

Unë nuk them se paratë në vetvete janë të këqija. Të bësh para dhe fitime nuk është keq. Kjo bëhet e keqe kur të hipën babëzia. Të bësh para, bëhet gjë shumë e keqe kur “bije në dashuri me paratë”. Të bësh para dhe të fitosh, duke dëmtuar njerëzit dhe  punonjësit, kjo është shumë gjë e keqe. Kur gënjen dhe mashtron konsumatorët. Kur shkatërron ambientin. Kur shfrytëzon punëtorët. Kur ilegalisht nxjerr jashtë loje e biznesi konkurruesit. Kur me qëllim shet produkte dhe shërbime të dobëta. Kur paratë i vendos përpara çdo gjëje tjetër. Këto janë raste kur bërja e parave bëhet një problem.

Paratë duhet të përdoren dhe njerëzit duhet të dashurohen. Problemi lind kur dashurohen paratë dhe përdoren njerëzit.!

Të gjithë e kemi dëgjuar frazën, ”Dashuria për paratë është burimi i çdo të keqeje”. Ngado që të kthehesh e shikon se kjo shprehje është e vërtetë. Unë them me siguri, se shumica e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe drejtuesit e kompanive të mëdha publike e private, janë të babëzitur tej çdo besimi. Ata janë tejmase të korruptuar! Bërja e parave bëhet xanxë, adiksion.  Bëhet motivi i gjithë këtij konsumi kompulsiv për këta njerëz. Bërja e parave bëhet gjëja më me rëndësi në jetën e këtyre njerëzve. Bërja e parave dhe e çdo aktiviteti tjetër për të bërë më shumë para, bëhet motivimi kryesor për të gjitha vendimet dhe veprimet e tyre. Bërja e më shumë parave do të thotë të gënjesh, të vjedhësh, të falsifikosh, të zhvatësh, ose të dëmtosh njerëz të tjerë. Të bësh më shumë para do të thotë të thyesh ligjet, të shkatërrosh ambientin, të shikosh të tjerët të vuajnë. Nuk më besoni mua? Lërmëni t’u sjell disa shembuj.

A e dini se në të gjithë botën ka mijëra e mijëra milionerë e multimilionerë  në burgje (përveç Shqipërisë!)? Pse janë ata në burgje? Sepse edhe me milionat e tyre, ata kishin aq shumë babëzi sa që donin të shkelnin ligjet për të bërë më shumë para. Ju mund të mendoni se këta njerëz janë përjashtime. Jo, nuk është ashtu. Për çdo posedues drogash që është kapur dhe është në burg, ka afërsisht njëmijë njerëz të tjerë që shpërndajnë droga nëpër rrugë dhe që akoma nuk janë kapur! Unë them se për çdo milioner ose drejtues kompanish që është në burg për shkelje ligji për babëzi, ka qindra në mos mijëra të tillë që kanë mashtruar publikun, të motivuar nga babëzia personale. A e dini se cili është motivi numër një për vrasjet? Paraja! Pikërisht paraja. Dashuria për paratë dhe babëzia, janë motivues shumë të fortë, që i nxisin njerëzit të vrasin njerëz të tjerë. Kjo është plotësisht e vërtetë. Babëzia, e përcaktuar si dashuri për para, është vërtet rrënja e çdo të keqeje.

Njerëz që kanë dhjetëra miliona dollar në llogaritë e tyre bankare, vazhdojnë të jenë po aq të babëzitur, sepse duan më shumë. Ata gënjejnë, mashtrojnë, tradhtojnë dhe vjedhin paratë e të tjerëve dhe të punonjësve të tyre, për përfitime personale. Etikën e kanë flakur nga dritarja . I a kanë shitur shpirtin shejtanit.  Ka mijëra njerëz në të gjitha llojet e bizneseve dhe të pushtetit, që kryejnë akte ilegale, sepse duan më shumë para.  Gjithçka lidhet me paratë. Vetëm shikoni reality showt në TV. Producentët e shumicës së  këtyre show-ve e dinë se me këto shfaqje shkatërrojnë jetët e shumë njerëzve, veçanërisht, të rinjve. Por kjo nuk ka rëndësi për ata. Mjafton që ata të bëjnë para me babëzi të paparë.  Sa më shumë “dëm“ t’u bëhet  njerëzve, aq më shumë para bëjnë ata. Kjo duket sikur të ushqesh luanët me njerëz.

Pse janë këta njerëz kaq të lumtur, kur shkatërrojnë jetën e dikujt tjetër me programet që prodhojnë e shfaqin?. Sepse kur është puna për të fituar para, atyre nuk u bën përshtypje jeta e njerëzve të tjerë.

Për këto babëzi, sot, flitet më shumë. Pse? Sepse për dekada ajo që ka ndodhur me Mafien ishte sekrete. Askush nuk e pranonte se La Cosa Nostra ekzistonte. Më në fund u desh një person, Joe Velaçi, që të shkëputej nga ky rreth e t’i frynte bilbilit dhe të tregonte çfarë ndodhte brenda krimit të organizuar. Që nga ajo kohë, duzina mafiozë treguan për sekretet që ndodhnin brenda dyerve të mbyllura.

Ju mund të mendoni se kompanitë e barnave drejtohen nga njerëz që kanë pasionin të parandalojnë dhe të kurojnë sëmundjet, në të mirë të njerëzve. Jo mos e mendoni këtë. A mos vallë bëhet kot ai numër pa kufi reklamash për barnat në TV e gazeta, shumë herë në ditë. Drejtuesit e industrisë që duhet të mbrojë shëndetin nuk janë bamirës, nuk janë njerëz të “mrekullueshëm” me përkushtim, e që digjen nga dëshira t’i çlirojnë njerëzit nga sëmundjet. Në qoftë se hapet perdja dhe do të zbulohet e vërteta, ne do të habitemi kur të shikojmë njerëzit e pasur prapa saj. Babëzia dhe dëshira e tyre e pangopur për të bërë më shumë para dhe për të përbuzur njerëzit, është tronditëse.

A nuk është babëzia që i shtyn deputetët të blihen e të kalojnë sa nga njëri krah në tjetrin, pa pyetur për votën e zgjedhësve të tyre? A nuk është babëzia që si mjeranë i çon ata studio më studio televizive, ku përpiqen, ashtu siç thotë populli, “të lajnë mutin me shurrë”.  Jam i lumtur që nuk njoh, personalisht, asnjë prej tyre. Por, jam i bindur se edhe miqtë e tyre që do të kenë shansin t’u shtrëngojnë dorën dhe t’i shikojnë në sy, në atë takim duarsh e sysh do të ndjejnë pabesinë dhe pasigurinë.  

Industria e shërbimit shëndetësor është industria më fitimprurëse në botë. Për aq kohë sa njerëzit sëmuren, këta të pangopur do të bëjnë miliona dollarë fitime, ndaj industria shëndetësore nuk ka interes të kurojë sëmundjet. Po qe se kjo industri i kuron sëmundjet ata të gjithë do të dalin jashtë biznesit. Qëllimi i tyre, pavarësisht sa e pabesueshme duket, është të kenë sa më shumë njerëz të sëmurë dhe sa më shumë njerëz të kenë nevojë për mjekim. Kështu sigurohet fitimi. E gjitha lidhet me paranë.

Spitalet, kompanitë e barnave dhe e gjithë industria shëndetësore, është më mirë të quhet industria e “kujdesit për sëmundjen”dhe jo për shëndetin siç e quajmë sot. Kjo makinë “ që bën para” ,  nuk i bën fitimet e veta nga njerëzit e shëndetshëm, por nga të sëmurët. Ajo i gjen këto “viktima” dhe pastaj u shet atyre barnat, procedurat kirurgjikale dhe procedura të tjera mjekësore, çuditërisht, të shtrenjta dhe fallco.  Atyre nuk u intereson sa shumë mëlçi dëmton bari që shesin. Ata bëjnë gjithçka që bari të aprovohet e të shitet. Madje, për këtë ata paguajnë pa kursim. Ata gjejnë lobistët e miqtë që u duhen, vetëm, që bari të shitet dhe fitimet e tyre të shumëfishohen. Ata nuk kursejnë paratë për joshur doktorët më të mire dhe shefat, për t’u bërë reklamë barnave të tyre. Ata i joshin këta mjekë të korruptuar me dhurata të shtrenjta, me specializime dhe me seminare në vende ekzotike.

Paratë bëjnë që bota të sillet rreth tyre!!

(“DITA”)