POEZI: Agim Vinca
Etyd për studentët e mi
Çdo të premte, në orën dymbëdhjetë
Takohemi gjysmilegalisht në një shtëpi private
Në rrugën e vjetër Vëllazërim – bashkim
Se godinat e fakulteteve
tek shullëhen vëllezërit tanë shtërpinj
I ruajnë engjëjt me automatikë
I biem mespërmes qytetit
Nga Bregu i Diellit deri në Vranjec
E bindemi për të satën herë
Se e madhe është Prishtina!
I zbathim këpucët, hyjmë në odë
në shtëpinë e re të zotit Ahmet
Rruga Vëllazërim – bashkim nr. 70
E ata – vëllezërit tanë
Sjellin në duar mollën e sherrit
Vjelë nga pema atavike e urrejtjes.
Ulur në tepih e kauçë
mësojmë përmendsh doktrinën e Durimit
E dëfrehemi me përralla të lira për Lirinë!
Çdo të premte, në orën dymbëdhjetë
Rruga Vëllazërim – bashkim nr. 70.
Viti 1993
add a comment