Vështrim/Analizë

Dilaver Goxhaj: Pse nuk festohet 10 Qershori – datë e krijimit të Ushtrisë Çlirimtare dhe datë e Çlirimit të Kosovës shqiptare

PSE NUK PËRKUJTOHET DATA 10 QERSHOR, DATË E KRIJIMIT TË
USHTRISË ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE DATË E ÇLIRIMIT TË SAJ?
Me rastin e 25 vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 10 Qershor 2023, prezantova fakte për rolin drejtues të atij Shtabi, si dhe për çlirimin e Kosovës, meqenëse 10 Qershori 2023 përkon edhe me 24 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga Serbia. Mirëpo, deri sot Parlamenti i Kosovës nuk e njeh as 10 Qershorin 1998, që është data e krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por as edhe datën 10 Qershor 1999, që është Data e Çlirimit të Kosovës nga Serbia!
Sikundër shihet, 10 Qershori është një datë dyfish e shënuar në historinë e popullit shqiptar në Kosovë. Atë duhet ta festojë me gëzim të madh jo vetëm populli i Republikës së Kosovës, por edhe mbarë kombi ynë. Edhe 10 Qershori i vitit 1998 ishte një datë si kjo e 10 Qershorit 2023, por gjendja e atëhershme ishte krejt ndryshe nga tani, për arsye se populli shqiptar në Kosovë jetonte ditë të errëta dhe shumë të vështira, prandaj për Lëvizjen Popullore të Kosovës shtrohej çështja: Të dilej me armë në dorë për të siguruar lirinë e Kosovës, apo të qëndrohejë duarlidhur e të nënshtruar dhe të pritej kur ta çlironte Kosvën Perëndimi, sikundër propagandonte Lidhja Demokratike e Kosovës me 800 mijë anëtarët e saj?
Pra ishin çaste vendimtare.
Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, i konceptuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës, nuk ishte diçka e rastit, nuk ishte një krijesë formale, përkundrazi, ai ishte i domosdoshëm dhe kishte rëndësi të
jashtëzakonshme, të brendshme dhe të jashtme. Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm kishte rëndësi të brendshme për arsye se, krijimi i këtij instutucioni lufte e shndërroi kryengritjen e filluar disa vite më
herët, në Ushtri Çlirimtare. Në ato momente, në vend të njësiteve, çetave dhe batalioneve që kishin marrë gjer në atë kohë një zhvillim të madh, shkëlqeu Luftimi Famëmadh i Jasharajve në Prekaz të Drenicës, aksione dhe formacione që ishin nxitur dhe orientuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës me kryetar Xhavit Hazirin, Behajdin Hallaçin, Fadil Vatën, Afrim Zhitien…, që ishin udhëheqësit e lëvizjes ilegale për çlirim, e cila njihej me emrin Lëvizja Për Republikën e Kosovës (LPRK), ishte e domosdoshme që të organizoheshin formacione më të mëdha dhe të veprohejë me plane më të gjera e të koordinuara mirë kundër forcave të armikut. Kjo nevojë ishte e domosdoshme, duke marrë parsysh që Serbia i kishte vënë vetes detyrën e ngutshme për asgjësimin e Luftës Partizane (Guerile) Çlirimtare. Prandaj, perspektiva për goditjen në shkallë më të gjerë të forcave pushtuese, perspektiva e çlirimit sa më parë të Kosovës dhe, krijimi qysh më parë i zonave të çliruara të përhershme, në të cilat armiku të mos mund të futej dot më këmbë, kërkonte të krijohejë Shtabi i Përgjithshëm, që do të organizonte drejtimin e këtyre formacioneve të mëdha.
Gjithashtu, krijimi i Shtabit të Përgjithshëm ishte i domosdoshëm, pasi zhdukej edhe mendimi i mëparshëm për luftrat që pati bërë populli shqiptar në Kosovë në të kaluarën dhe deri në 10 Qershorin e vitit 1998, me çeta, të cilat vërtet kishin luftuar kurdoherë me trimëri të rrallë, por vepronin të
izoluara dhe ishin të lidhura shumë pak me njëra-tjetrën. Ato ushëhiqeshin nga qëllimi i lartë i çlirimit të Kosovës nga synimet grabitqare serbe. Mirëpo, historia e këtij populli dhe e luftëtarëve të tij në të kaluarën e hershme e të afërt ka vërtetuar se, me gjithë përpjekjet, heroizmat dhe sakrificat e panumërta të luftëtarëve të organizuara nëpër njësite e çeta, dëshirat e zjarrta të popullit dhe të patriotëve në Kosovë nuk mund të realizoheshin.
Ato ishin kryengritje të armatosura, të frymëzuara nga idealit e një politike çlirimtare brenda së cilës kishte lloj-lloj mendimesh e botëkuptimesh, që e mbanin atë lëvizje të pa lidhur e të paorganizuar, të cilat, në fund të fundit, bënin që Kosova të mbetej kurdoherë në diell, siç thotë populli. Në këtë drejtim, krijimi i Shtabit të përgjithshëm ka një rëndësi të madhe, se ndihmoi të përdorej drejt rezistenca e kaluar e luftës popullore. Në këtë rrugë duhej të ecte kryengritja popullore, prandaj njësitet, çetat dhe batalionet duhej të merrnin formën që populli të kishte ushtrinë e vet çlirimtare, e cila duhej të përbëhej e të komandohej nga njerëzit e popullit, të mbronte iteresat e tij e të frymëzohej nga këto interesa. Kjo ushtri duhej të dilte nga zjarri i luftës dhe jo me konferenca apo vendime politike apo qeverish në ekzil. Ky ishte një nga qëllimet kryesorë të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm.
Ngjashëm si 10 Qershorin e vitit 1998 kemi edhe 10 Qershorin e vitit 1999, datë e cila shënon çlirimin e Kosovës nga pushtimi shekullor i Serbisë. Psë këmbëngul që data 10 Qershor 1999 shënon ditën e çlirimit të Kosovës? Për arsye se, në 10 Qershor 1999:
1. U bë publike mbarimi i Luftës Çlirimtare në Kosovë, data që u shpallë se Serbia pranoi kapitullimin e saj, të nënshkruar më 9 Qershor 1999, në Kumanovë;
2. Gjithashtu, sikundër theksohet në Nënin II, të Marrëveshjes së Kumanovës (EIF), çështja: “Ndërprerja e armiqësive”, pika 2, thotë: “RFJ-ja pajtohet për një tërheqje në faza të të gjitha forcave të RFJ-së nga Kosova në lokacione në Serbi, jashtë Kosovës.”;
3. Vijon Nënpika (a): “Me EIF+1 ditë, forcat e RFJ-së, të dislokuara në Zonën 3, do të largohen.” Pra, fillimi i largimit të forcave të RFJ-së fillon në datën 10 Qershor 1999;
4. Ndërsa dita e fundit e tërheqjës së forcave të RFJ-së nga Kosova Përfundont: Me EIF+11 ditë, (nën pika “e”), që nënkupton 20 Qershor 1999.
5. 10 Qershor 1999 përkon edhe me çlirimin e Kryeqytetit të Kosovës, çlirimin e Prishtinës, nga forcat e Zonës IV Operative të LLapit.
6. Dhe, së fundi, data 10 Qershor 1999 përkon edhe me datën e themelimit të Famëmadhes “Lidhja e Prizrenit”, 10 Qershor 1878, themelimi i së cilës e ka vëndlindjen në Kosovë, gjë që e çimenton edhe më shumë përcaktimin e datës së çlirimit të Kosovës, datën 10 Qershor 1999.

Nëse do të pranojmë, se ditë çlirimi të quhet dita e largimit të ushtarit të fundit të forcave të RFJ-së, atë herë datë çlirimi të Kosovës do të quajmë datën 20 Qershor 1999. Por kurrësesi nuk duhet pranuar si datë çlirimi data 12 Qershor 1999,sikundër na lëvdohen shumë simpatizantë të të huajve, dhe aspak
dashamirë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës(!), të cilët duan të quajnë datë çlirimi, datën kur hynë forcat e para tokësore të NATO-s në Kosovë, që ishin forcat franceze dhe që shpejtuan të ndanin nga Kosova
MitrovicënVeriore, dramë e cila vijon edhe sot, pas 24 viteve.
Me këtë përcaktim datë çlirimi 10 Qershorin 1999, nuk duam të mohojmë aspak ndihmën e NATO-s me anët të aviacionit të saj, gjë që e kemi ezauruar atë ndihmë në shkrimin me titull “Dilema: Kush e çliroi Kosovën”, botuar më 10 Qershor 2023, si dhe në shkrimin me titull: “UCK-ja dhe NATO si dy duar që lajnë njera-tjetrën”, datë 10 qershor 2019”.
Tiranë, më 15 Qershor 2023