Vështrim/Analizë

Dilaver Goxhaj: KRITIKË NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Komuniste” me autor Bejtullah Destanin (Pjesa e Dytë)

KRITIKË NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Komuniste”
                me autor Bejtullah Destani (Pjesa e Dytë)
   Dy ortakët e librit “Dosja Amerikane për Shqipërinë Komuniste”, Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti, të cilët dikur janë binjakëzuar kur ishin ambassadorë, i pari përfaqësues i Kosovës në Romë, dhe i dyti i Shqipërisë në Vatikan, njëkohësisht edhe këshilltarë të dy qeverive shqiptare, nuk po na e thonë të vërtetën se, pse i janë kundërvënë me një zell të paparë edhe Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, (1939-1944), duke e  përkufizuar Luftë Civile(!). Duke e cilësuar historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë si “luftë civile”, këta nuk bëjnë gjë tjetër, veçse mundohen të njollosin historinë më të lavdishme të Shqipërisë. Të mos e dinë vallë këta intelektualë se “Ta turpërosh vendin tënd është njësoj sikur ta tradhëtosh atë” – sikundër ka thënë Viktor Hygo. Ndaj dhe na vinë në kujtesë vargjet e poetit turk me origjinë shqiptare, Arif: “Me ju shqiptarët sot, habitem si askurrë, / Kjo çorbë politike, gjykim me katraurë? / Shporreni hajnin tinzar, që e mbani këshilltar!”
    Dhe ajo që të befason, është fakti që këtë turpërim të LANÇ Shqiptare e në këtë libër e inicon Bejtullahu nga Kosova, duke u munduar të na mësoj ne banorëve të Shqipërisë Londineze “të vërtetën” e historisë së LANÇ-it tonë, duke na thënë, se: “Deri në fund të gushtit 1943, kur shpërtheu hapur lufta civile ekzistonte një lloj bashkëpunimi i ngushtë midis “Frontit NÇ të dominuar nga komunistët dhe partizanëve “nacionalistë” – e të ndërlidhjes ushtarake britanke brenda Shqipërisë, delegatët e  grupeve të rezistencës komuniste dhe nacionalistët ishin takuar në MUKJE dhe ranë dakort  të bashkonin forcat e tyre në luftën çlirimtare. . . Por në terren e injoruan plotësisht marrëveshjen e Mukjes. Synimi ishte të dobësonin forcat nacionaliste me të gjitha mjetet dhe format e ndryshme.”, (f.36). Kësaj i thonë: “Hoxha në Stamboll, dhe prifti ia tregon”.
   Së pari, ai takim në Mukje nuk është bërë “me nxitjen e grupeve të ndërlidhjes  ushtarake britanke”, gjë që e  përgënjeshtron një prej oficerave britanikë, të ardhur në Shqipëri në fund të prillit 1943, Reginald Hibbert, i cili shkruan: “Në fillim të gushtit, pa e marrë vesh oficerët britanikë, ishte mbajtur një mbledhje shumë me rëndësi në fshatin Mukje në veri të Tiranës.” (Reginald Hibbert “Fitorja e hidhur – LNÇ e Shqipërisë, Tiranë, 1993, f.92)”
   Së dyti, për t’u zhvilluar takimi në Mukje qe vendosur në  mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, më 10 Korrikut 1943, në Labinot, ku ishte vendosur edhe krijimi Shtabit të Përgjithshëm, edhe formimi i Ushtrisë së Rregullt  Çlirimtare, edhe kalimi në kreyngritje të armatosur; dhe, po në atë mbledhje u pranua zhvillimi i atij takimi, e njohur edhe  me emërtimin “Mbledhja e Mukjes”, duke u miratuar edhe platforma e bisedimeve me BK. Madje ajo platformë u botua edhe në gazetën “Bashkimi” të muajit Korrik 1943.
Në atë platform theksohej: “BK duhet të zgjedhi udhën e drejtë e të hidhet me trup e me shpirt nga ana e popullit, në LNÇ; s’ka vend për një politikë mbi dy karrige, dhe të ndërpresi propagandën antikombëtare se gjoja LNÇ është një lëvizje komuniste; të futet menjëherë në luftë dhe të pranojë bashkëpunimin me këshillat nacionalçlirimtare; dhe, mbasi të ketë luftuar mund të futet në Shtab të Përgjithshëm dhe të marrë pjesë në një konferencë kombëtare, ku do të vinin patriotë nga të gjithëa anët”. (“Dokumenta të organeve të larta të pushtetit revolucionar nacional çlirimtar”, Tiranë 1962, f.32).
   Ndërsa, ambasadori poet Visar Zhiti, pa iu dridhur as qerpiku i syrit, e zgjatë atë “luftë civile” edhe gjysëm shekulli më tej, duke na thënë: “Nuk ndryshoi për gjysmë shekulli Shqipëria e robëruar prej vdekjes më të keqe.” (!), (f.17)
Sikundër vërehet, ky Bejtullahu, duke qenë se e urren Shqipërinë,  mundohet ta minimizoi në maksimum LANÇ-in e Shqipërisë, kur na thotë “në Mukje shkuan delegatët e  grupeve të rezistencës komuniste“, duke mos na thënë të paktën se si u dakorduan ato  “grupeve të rezistencës komuniste” që të formonin një delegacion të përbashkët?!
E pyesim këtë “historian”: A mund të na shpjegoni se si mund të çlirohet një shtet vetëm me disa “grupe të rezistencës”, pa pasur një ushtri  me komandim unik dhe pa u shndëruar lufta për çlirim kombëtar në kryengritje të armatosur? A e di ky student’ i Beogradit, por edhe intektuali poet Visar Zhiti se, nuk mund të kalohet në kryengritje të armatosur  vetëm me “grupe të rezistencës”?
   Këta të dy, duke qenë jo vetëm intelektualë, por që pretendojnë se janë edhe historianë, duhet ta kanë ditur mirë se, kur Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar vendosi që të shkohejë në takim me BK në Mukje, më 10 korrik 1943: “Efektivi i forcave partizane në formacionet e rregullta kishte arritur në 10.000 luftëtarë të organizuar në 22 batalione dhe një numër të madh çetash. Rreth 20.000 luftëtarë të tjerë vepronin në çetat vullnetare e territoriale të zonave të lira dhe njësitet guerile të qyteteve e krahinave të pushtuara. Zonat e lira përbënin  rreth gjysmën e sipërfaqes së vendit, ishin kthyer në baza të fuqishme të Luftës NÇ dhe ishte vendosur pushteti i Këshillave Nacionalçlirimtare.”,(Pof.Dr. Shahin Leka “Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH 1943-1945”, Tiranë, 1998, f.8) .
Këtë fakt e pohon edhe oficeri anglez Reginald Hibbert i ardhur në Shqipëri në fund të prillit 1943, kur thotë: “PKSH kishte bërë përparime të shumta në dy vitet e ekzistencës. Formimi i Ushtrisë Nacionalçlirimtare po ecte mirë, por ajo përfshinte shumë njerëz që nuk ishin komunistë në të gjitha nivelet, me përjashtim të majës së piramidës.” (Reginald Hibbert, po aty, f.94)
 Prandaj na japin të drejtën se, këto deformime të historisë së LNÇ që shkruajnë këta  dy “këshilltarët” diplomatë shqiptarë, të vëllazëruar në Itali, është propagandë dashakeqe antishqiptare e antihistorike, veçse nëse nuk është injorancë.
   Ky diplomati, i mbushur me “dashuri” të madhe në Universitetet e Beogradit për Shqipërinë, kërkon ta poshtërojë UNÇSH, duke i thënë lexuesit të brezit të sotëm se shteti i Shqipërisë nuk pati Ushtri Çlirimtare, por vetëm :ca “grupe komuniste të rezistencës”. Ja se deri ku shkon urrejtja e këtij të diplomuari në Beograd!
   Jo më kot egjiptologu gjerman Georg Ebers thotë: “Kur gënjen njëherë njeriu, duhet të vazhdojë medoemos të gënjejë”, ndyshe kalon në faza nervore. Prandaj veprojnë kështu dy ish-ambasadorët shqiptarë, në Romë e Vatikan. Të pretendosh se je shqiptar intelektual, diplomat, shkrimtar, apo edhe historian, dhe të thuash se “në 1-2 gusht 1943 filloi “lufta civile” “, do të thotë jo se nuk e dinë, por hiqen sikur nuk e dinë se për çfarë u organizua ai takim në Mukje dhe se, si përfundoi. Ndryshe do të thotë se këta të dy, ose nuk e kanë fare të qartë se kur kemi “luftë civile”, ose me plot ndërgjegje kërkojnë të kthejnë përmbys të vërtetën e asaj ngjarje historike, duke u mbështetur në “dëshmitë” e tradhëtarëve të popullit shqiptar të kohës së asaj lufte.
   Historia e Shqipërisë e ka bërë të qartë se në mbledhjen e Mukjes Ymer Dëshnica dhe  Mustafa Gjinishi ranë në grackën e BK dhe nënshkruan  një trakt në emër të një “Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë”, ku flitej për bashkimin që ishte arritur midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar! Dhe kryetar i atij “komiteti” ishte vendosur Ministri i Drejtësisë i qeverisë aktuale  kolaboracioniste, Hasan Dosti. Dhe, komiteti përbëhej nga 12 antarë, 6 nga LANÇ dhe 6 nga BK, i cili deri atëherë nuk kishte hedhur asnjë pushkë kundër pushtuesit(!), ndërkohë që Zonat e Lira përbënin  rreth gjysmën e sipërfaqes së vendit ku dhe ishte vendosur pushteti i Këshillave Nacionalçlirimtare, në një kohë kur organizata e BK nuk kishte dhënë asnjë provë lufte kundër fashizmit italian.
Që BK nuk kish luftuar kundër pushtuesve italianë, na e pohon oficeri italian pjesmarrës në pushtimin e Shqipërisë, efektiv i divizionit “Perugia”, togeri Giovanni Bonomi, kur tregon për rastin e shkuarjes së përfaqësisisë së forcave partizane të LANÇ në komandën e divizionit italian me 6.000 forca, që ndodhej në kazermat e tyre në Gjirokastrës, me propozimin që italianët t’u dorëzoheshin forcave të Frontit të LNÇ, sipas direktivës së lëshuar nga Komanda Aleate e Mesdheut në Kajro, dhe konkretisht: “Në datën 13 shtator 1943 partizanët, nën komandën e  një majori anglez Telman, kishin marrë nën kontroll zonën veri-lindore të Gjirokastrës, kurse Balli Kombëtar, QË ISHIN EDHE USHTARËT TANË, kishin marrë nën kontroll malet jug-lindore dhe qytetin e Gjirokastrës.” (shih Giovanni Bonomi “Albania 1943 – la tragica marcia dei military italiani da Tepeleni e Argirocastro a Santi Quaranta”, Milano 1971, f.73-74). Pra, BK ishin ushtarë të ushtrisë pushtuese italiane. E thotë oficeri italian, jo ne.
    Nëse LANÇ  do të ishte “luftë civile” si do të mund të çlirohej Shqipëria nga nazi-fshizmi me forcat e veta?! Të mos e ketë lexuar ky diplomati i përgatitur në Beograd librin e ish-zv.presidentit të Jugosllavisë (i Titos), malazezi Milovan Gjilasit, botuar në Beograd në v.1983, i cili, kur takohet më Stalinin në Moskë, në v.1948, i përgjigjt pyetjes së tij: “Shqipëria është i vetmi vend në  Evropën Lindore që është çliruar nga fashizmi pa ndihmën vendimtare të Ushtrisë së Kuqe.”?! (Milovan Gjilas “Fytyra e totalitarizmit”, Tiranë, 2006, f.84).
   Dhe, çuditërisht këtë të vërtetë e shpreh edhe Reginald Hibbert, në librin e tij: “Shqipëria ka qenë i vetmi vend në Evropën e pushtuar nga gjermanët, në të cilin as u fut dhe as kaloi përmes ndonjëra nga ushtritë e Aleatëve. Kështu që fati i saj mbeti në duart e atyre që ia dolën të ndërtojnë një lëvizje masive rezistence brenda vëndit.”, (po aty, f.84)
Madje në atë traktin e mbledhjes së Mukjes për krijimin e atij “Komitetit të shpëtimit të Shqipërisë”, midis të tjerave theksohej edhe bashkimi me Kosovën e Çamërinë, ndërkohë që binte ndesh me Kartën e Atllantikut e 14 Gushtit 1941, që ishte shpalosja e një marrëveshjeje e bërë mes F.D Ruzveltit dhe W.Çurçillit (ShBA-së dhe Britanisë), dhe që më 24 shtator të vitit 1941 iu bashkangjit edhe Bashkimi Sovjetik. Në atë kohë, atë Kartë gjithë kundërshtarët e lutës kundër Gjermanisë, e njihnin këtë marrveshje si Program të Përbashkët. Dhe, një nga pikat e asaj Karte ishte se, nuk do të njihej asnjë ndryshim kufijsh që do të bënte fashizmi në Evropë.(shih Juri Korolkov “Kështu ka ndodhur”, Titanë, 1974, v.1.,f 26-28).
   Prandaj, në mosnjohjen e asaj Marrëveshjeje në Mukje dhe mospranimin e atij trakti për formimin e atij “Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë”, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçirimtar, midis të tjerave theksonte: “Çështja e Kosovës dhe e Çamërisë do të zgjidhen në bazë të Kartës së Atllantikut… dhe garanci më e madhe për triumfin e këtij principi është vetë lufta që bëjnë dhe do të bëjnë Kosova e Çamëria për të zhdukur fashizmin në Ballkan.” (“Dokumenta të organeve të larta….”, f. 58).
Nëse PKSH dhe FNÇl do ta pranonin atë platformë të “Komitetit të shpëtimit”, Shqipëria do të ndëshkohej në Jaltë nga Tre Fuqitë e Mëdha Aleate. Nëse do pranohej rënia në tradhëti e Ymer Dëshnicës dhe e Mustafa Gjinishtit në Mukje, duke mos i qëndruar vendimit të Mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm NÇl, të datës 10 Korrikut 1943, PKSH dhe Fronti NÇl do të ishin të detyruar të bënin lëshime të tjera oportuniste, gjë që do të vinte në pikëpyetje tragjike të ardhmen e Shqipërisë, dhe vështirë se do të kishte sot Shqipëri në hartën e Ballkanit.
Thua të mos e dinë këta dy ambasadorët-historianë tanët se edhe në Konferencën e Parisit 1946 u tentua që të fshihej nga harta Shqipëria, po të mos ishte bërë e qartë nga Kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Enver Hoxha, ku ua faktoi me referenca të pakundrshtueshme se Ushtria jonë Çlirimtare prej 70.000 luftëtarë, angazhoi në luftime 100.000 ushtarë italianë dhe 70.000 ushtarë gjermanë, duke mos i dërguar dot Boshti ato forca në Frontin e Lindjes kundër Ushtrisë së Kuqe.(“Histori e Shqipërisë”, v.2, Tiranë 1965, f.821)
“LUFTA CIVILE”, zotërinj Destani dhe Zhiti, ka vetëm motiv politik, të marrjes ose të mbajtjes së pushtetit; ndërkohë që në gushtin e vitit 1943, Shqipëria ishte e pushtuar. Dhe në një vend të pushtuar, kur pushteti është në duart e pushtuesit të huaj, nuk ka si të bëhet “luftë civile” midis palëve kundërshtare të popullit të atij vendi. Në të tilla kushte “Lufta civile nuk pushton e nuk fiton asgjë” – ka thënë Viktor Hygo.  Kjo për arsye se pushtetin nuk e kishte as PKSH dhe as Balli Kombëtar. Pushtetin e kishte i huaji, fashizmi italian. Lufta kundër të huajit nuk bëhet për t’i marrë atij pushtetin, por për të çliruar vendin; ajo ishte “luftë çlirimtare” e popullit kundër pushtuesit për çlirimin e vendin dhe automatikisht që do t’i merrej pushteti të huajit kur do të largohej. Dhe largpamësia e PKSH u vërtetua se, menjëherë pas Mukjes, në Shtator 1943 Balli Kombëtar, pas tij edhe Legaliteti u bashkuan edhe me pushtuesin e ri, me ushtrinë gjermane, duke krijuar së bashku Komitetin Ekzekutiv të Shqipërisë së Madhe. Si mund të kishte “luftë civile” në Shqipëri ndërkohë  që BK, Legaliteti dhe gjermanët, të tre së bashku, ishin kundër Frontit Nacionaçlirimtar? Në rast se BK do qe bashkuar me Frontin Nacionaçlirimtar, dhe pas çlirimit do fillonte lufta mes BK dhe Frontit, të udhëhequr nga PKSH, po, atëhere do të kishim “luftë civle”.
Dhe, që të mos lodhet lexuesi dhe për t’i bindur këta dy bashkëautrët e librit “Dosjet amerikanë për Shqipërinë Komuniste”, se LANÇ-i ynë nuk ishte “Luftë Civile”, mjafton të citojmë një pjesë të  telegramit të Gjeneralit anglez Devis, pjestar i Misionit Ushtarak Angles në Shqipëri (SOE: Shërbimi Sekret Britanik), dërguar Komandës Aleate të Mesdheut në Kajro, më 17 Dhjetor 1943: “Unë mendoj se qëndrimi i ALEATËVE duhet të bëhet publikisht menjëherë, duke theksuar se kuislingët, tradhëtarët dhe ata që nuk luftuan kundër gjermanëve duhet të marrin dënimin e merituar nga Aleatët kur të vijë koha… Prandaj, rekomandoj të bëhet një deklaratë e hapur në favor të LNÇ.” (PRO, FO. 371/37145).
Dhe koha erdhi, u nxorën në gjyq ata që u kapën, të tjerët u arratisën në Greqi e Itali, më pas edhe në Jugosllavi dhe kanë dhënë këto lloj “dëshmi” që zotërinjtë Bejtullah dhe Zhiti na i  prezantojnë se këto dëshmi të tradhëtarëve na qenkanë historia e vërtetë e Shqipërisë gjatë viteve të LANÇ-it(!).
Është edhe një  oficer tjetër anglez i SOE, Jualian Amery, që shprehet ngjashëm si gjenerali Deivis: “Sukseset ushtarake të komunistëve, jo vetëm e justifikonin, por e bënë të domosdoshme përkrahjen britanike ndaj kauzës së tyre.” (J.Amery “Bijtë e shqipes”, Tiranë 2002, f.379)
Po të njëjtin vlerësim jep edhe oficeri tjetër anglez i SOE-s, Reginald Hibbert, në librin e tij ”Fitoria e hidhur”, Tiranë 1993, f.372: “Partizanët ishin të vetmit që e vlente t’i mbështesje. Po të kisha qenë  shqiptar, unë do të isha bërë partizan. Unë për këtë kam qenë i vetëdijshëm se nga shtatori  vitit 1944 fjala “partizan” po bëhej sinonim me fjalën komunist.”
Edhe oficeri tjeter anglez i SOE-s, William Tilman shkruan: “Kur mbreti Zog u arratis dhe e la vëndin në mëshirën e fatit, dhe pasi kaloi goditja e parë nga befasia, nisi të merrte trajtë një lëvizje rezistence, si në shumicën e vendeve të pushtuara, me nxitjen e një grupi komunistësh. Ajo u bë e njohur LNÇ, ose Lëvizja Nacionalçlirimtare, dhe përfshinte gjithë shtresat, gjithë pikpamjet politike, gjithë besimet dhe tri të katërtat e popullsisë në Shqipërinë e Jugut. Ajo u rreshtua me Aleatët, kundër fashizmit e nazizmit dhe kishte si objektiv të parë çlirimin e Shqipërisë nga italianët e gjermanët, ndërsa si objektiv të dytë kishte ngritjen e një “Shqipërie të lirë, të pavarur e demokratike”. Për këto qëllime ata ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka… Partia kryesore rivale e LNÇ ishte Balli Kombëtar, që i shihte grekët e jugosllavët si armiqtë realë dhe prandaj parapëlqente të ruante forcat derisa të mbaronte lufta. Në një shfaqje sa për sy e faqe si rezistencë, ata ishin të gatshëm të pajtoheshin me fuqitë e Boshtit. Nëse nuk do të fitonte LNÇ, aq më mirë për ta, sepse atëhere do të ishin në gjendje t’i mposhtnin rivalët… Kështu edhe një grup tjetër me pak rëndësi më 1943, por që u bë më me peshë më vonë, i cili përfshinte përkrahësit e mbretit Zog në mungesë. Edhe ata nuk ishin të gatshëm të hynin në konflikt me gjermanët për t’u bërë qejfin Aleatëve…Në gushtin e vitit1943, (pas mbledhjes së Mukjes, D.G), kishte  dyshime por jo veprime armiqësore të hapura midis dy grupimeve kryesore. Për mua u bë e qartë se vetëm LNÇ kishte qëllime luftarake të ngjashme me tonat dhe ata ishin të gatshëm të bënin gjithçka për t’i arritur ato…. Mënyra e përshëndetjes për LNÇ e pandryshueshme dhe e detyrueshme ishte: “Vdekje fashizmit!”, ndërsa përgjigja ishte “Liri popullit!”. Kjo formulë e prerë ndihmonte për të larguar çfarëdo prirje të Ballit, i cili kishte si parrullë të veçantë: “Vdekje tradhëtarëve!”, me të cilën ata kuptonin LNÇ.” (William Tilman “Kujtime që nuk shlyhen”, Tiranë, 1997, f.11-12, 19)
Dhe për ta mbyllur këtë shpikje të “luftës civile” të të dy ambasadorëve shqiptarë, vijues të kundërshtarëve me armë të LNÇ,  po u vëmë përballë edhe  njoftimin e gazetës “MUNDIMI”, Nr.37, datë 7 dhjetor 1944, organ i Komandës Anglo-Amerikane të Mesdheut, që shpërndahej nga RAF, USAAF: “Më  28 nanduer Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Shqiptar shpalli nji amnisti të përgjithshme me këto fjalë: “Këshilli amniston të gjithë ata, të Ballit Kombëtar, të Legalitetit dhe të grupeve të tjerë, që janë në bashkëpunim me okupatorin. Amnistia përmbledh edhe ata që nuk vepruen sipas urdhënit të Këshillit Antifashist që i urdhënonte të bashkoheshin me partizanët.
Kjo amnisti përjashton kriminelët e luftës dhe ata që plaçkitën popullin.
Fronti Nacional çlirimtar asht  për t’u-përshëndetë për këtë masë me rëndësi, që ka marrë, masë e cila do të shërojë përçarjet e shkaktueme në këto dy vjetët e fundit dhe do të bashkojë popullin Shqiptar ashtu si duhet për punën e randë të rindërtimit të atdheut.” (Arkivi Qëndror i FA, F.100/1, Dosja D-134 //-21)
Që urrejtje e Visar Zhitit kundrejt LNÇ është edhe më e madhe se ajo e Bejtullahut, e shfaq ndaj Konferencën e Pezës, ku shkruan:  “Më 16 shtator 1942, komunistët organizuan një takim, të cilin e quajtën “konferencë”, për të shkrirë elementët nacionalistë me komunistët”. . . “ajo ishte thjeshtë një përpjekje për t’u hedhur pluhur nacionalistëve. Ideja e vërtetë ishte t’i shtypnin ata.” (f.21).
Mirëpo, është po ai oficeri anglez, Reginald Hibbert, i cili e përgënjeshtron këtë te pavërtetë të Visar Zhitit, duke na thënë: “Është një thjeshtim i tepëruar të thuhet se forcat e LNÇ, ishin krijuar vetëm për të marrë pushtetin dhe jo për të luftuar kundër italianëve e gjermanëve…. Balli Kombëtar e kishin bërë të qartë se ata ishin kundër luftës guerile dhe pasojave të saj çregulluese. Refuzmi i BK për të bërë luftë guerile ishte vetëm një strategji dhe asnjëherë nuk e ndryshuan… Ishte “sektarizmi” i tepëruar i BK që kishte shkaktuar të mbeteshin larg Konferencës së Pezës.” (Reginald Hibbert, po aty, f.95, 96)
Visarit nuk i paska pëlqyer vetëm se në Konferencën e Pezës u vunë bazat e plota organizative e politike, si bashkim luftarak i masave rreth Frontit Nacionalçlirimtar për çlirimin e atdheut, ku dhe për herë të parë u dha orientimi për ngritjen e këshillave nacionalçlirimtar, ku dihet që këshillat kanë qenë një traditë e vjetër e fshatrave dhe e krahinave tona. Prandaj Visari shprehet: “në gusht 1943 në Shqipëri shpërtheu lufta civile.”,(në f.36).
Meqenëse Visar Zhiti me këtë parathënie kërkon të mashtrojë lexuesin, duke thënë për Konferencën e Pezës: se “ajo ishte thjeshtë një përpjekje për t’u hedhur pluhur nacionalistëve”,  po e pyesim: Pse italianët, gjermanët, ballistët, zogistët e kolaboracionistët e tjerë nuk mundën ta ndalonin popullin të shkonte me Frontin Nacionalçlirimtar dhe PKSH, por përkundrazi, vetëm partizanë shkuan 70 mijë(?), ndërkohë që, (sikundër na e vërtetojnë edhe disa oficera të SOE-s anglez), “nacionalistët” tuaj, Visar, ndihmuan gjermanët e italianët të bënin gjithë ato krime kundër popullit.
Përgjigjia është shumë e thjeshtë: populli i urrente të vetëquajturit “nacionalistë” për veprat e ulta që bënin kundër tij së bashku me pushtuesit, ndaj dhe rinia shqiptare, e mbështetur nga masa më e madhe e popullit të Shqipërisë, luftoi me heroizëm nën udhëheqjen e Frontit Nacionalçlirimtar dhe PKSH.
Tiranë, 04 Gusht 2024