Lëvizja\UÇK

Deklaratë e Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”

Mos e përdorni historinë për interesa partiake, zotërinj politikanë!

Deklaratë e Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve
të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”
Sidomos javët e fundit disa politikanë të djathtë i janë sulur historisë së lavdishme të popullit shqiptar thjesht për interesa partiake, madje deri edhe vetjake e familjare. Lideri i së djathtës shqiptare, Sali Berisha, i gjendur në pozitë të vështirë për shkak të dënimit “non gata”, dhënë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thjesht për të spostuar vëmendjen e popullit ndaj tij ka filluar e vazhdon të shpreh në foltoret e tij broçkulla historike. Ditën e 29 Nëntorit – festës së Çlirimit të Atdheut, (që ai nuk e njeh si të tillë!), është shprehur, se “Studimet e dekadave të fundit të bazuara në dokumente të panumërta kanë provuar se serbët, Enver Hoxha dhe vasalët e tyre të tjerë shqiptarë, në krye të ushtrisë partizane të Shqipërisë kryen gjatë luftës kundër pushtuesve gjenocid dhe krime të rënda ndaj shqiptarëve”! Dhe më tej vazhdon: “Këto të vërteta për luftën partizane nuk mund të mohohen as nga gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit që udhëheqja komuniste shqiptaro – sllave kreu gjatë luftës dhe për të cilat meriton çdo dënim, madje nuk mund të mohohen as dhe nga karakteri vëllavrasës dhe civil që dominoi këtë luftë, pasi Enver Hoxha dhe klika e tij për qëllime të pushtetit personal dhe i urdhëruar nga padronet e tij serbë i dhanë asaj pas shkelmimit nga ai të marrëveshjes historike të Mukjes në shtator të vitit 1943”!
Siç edhe nuk është vështirë të kuptohet, Sali Berisha ka dalë fare nga “binarët” e historisë! Për të krijuar pështjellim në opinionin e gjerë publik, hedh shashka të kësaj natyre, mjafton t’i shërbejë vetes dhe familjarëve të tij. Për të shpëtuar nga e keqja që e ka zënë, sajon shpifje mbas shpifjesh me mendimin, se diçka edhe mund të ngelet në mendjet e atyre që e dëgjojnë. Arrin deri aty sa të thotë, se “29 Nëntori nuk ishte ditë e çlirimit të Shqipërisë, por ishte ditë e pushtimit komunist të Shqipërisë”! Edhe në të ashtuquajturat “Foltore” vazhdon të përrallisë me deklarata të kësaj natyre!
Nisur nga këto deklarata mjerane të Sali Berishës, frymëzohet e ngre zërin edhe Adriatik Alimadhi – kryetar i Partisë Balli Kombëtar. Ai shkon edhe më tej, duke deklaruar, se “ishte Partia Komuniste ajo që shkaktoi luftën civile në Shqipëri” (!), duke lënë të kuptohet se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk paska qenë pjesë e pandarë e Koalicionit të madh Antifashist Botëror! Ky politikan mjeran përgojon të rënët për çlirim, duke i konsideruar jo si theror për Atdhe, por si viktima të luftës vëllavrasëse, madje shumë prej tyre i konsideron kriminelë! Dhe, për t’i dhënë merita Ballit Kombëtar, kësaj ish organizate të përbërë nga karavidhe, ngre lart figurën e Mitat Frashrit, si dhe atë të disa drejtuesve të kësaj organizate tradhtare.
Si për të plotësuar korin e zërave që kritikojnë dhe fyejnë lavdinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare del në media dhe flet edhe një deputet demokrat, një farë Enkelejd Alibeaj, nip i një prej kriminelëve më të njohur të Myzeqesë. Me atributet e një ligjvënësi deklaron, se “shumë shpejt grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të përgatisë për votim një draft ligjesh për dekomunistizimin e vendit”, duke lënë të kuptohet se do të rishikohet historia! Në vend që të merakoset për unitetin në gjirin e partisë së vet, parti që është bërë çorap, hedhë tymëse për të krijuar mjegullnajë në popull!
Interesant është fakti, se zërave çjerrëse të politikanëve të djathtë, si heshturazi, por përherë e më shpesh po iu bashkohen edhe disa prononcime, as mish e as peshk, të disa prej figurave të së majtës! Në ligjërime të ndryshme e kanë të vështirë të deklarohen, se Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare e ka ideuar, organizuar dhe udhëhequr Partia Komuniste Shqiptare e se Ushtria Antifashiste Nacionalçlirimtare u drejtua nga Komandanti i Përgjithshëm i saj, Gjeneral – Kolonel Enver Hoxha. Edhe gjatë këtyre ditëve, si një lloj reagimi ndaj deklaratave antihistorike e antikombëtare të Sali Berishës, disa syresh belbëzuan disa fjali, që s’iu mor vesh ku e kishin kuptimin. Po këto ditë, në reagim të një statusi në Fb. të deputetit socialist Bujar Çela, që vinte në një plan Flamurin dhe Enver Hoxhën, demokrati Alibeaj kërceu përpjetë, a thua se ky i kishte vrarë ithtarët e tij ish ballistë e kriminelë. Por çudia vazhdoi më tej, kur ndonjë politikan i majtë u ndje i zemëruar prej statusit të kolegut të tyre deputet!
Veteranët e LANÇ dhe pasardhësit e tyre dhe kushdo tjetër që i ka të shenjta idealet e lirisë, në zbatim edhe të detyrës që shtroi Konferenca XII Kombëtare e Organizatës sonë, vazhdojnë e do të vazhdojnë të jenë konsekuentë në bindjet e tyre të patundura për çështjen e luftës për çlirimin e Atdheut. Sali Berisha dhe tërë salinjtë e tjerë të kallëpit të tij le të llomotisin sa të duan kundër shenjtërisë së epopesë së lavdishme të Çlirimit, por e vërteta shkëlqen e do të shkëlqejë si drita e diellit. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar ka qenë dhe do të mbetet medaljon i artë në gjoks të Atdheut.
Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar dhe Kryesia e tij i hedh poshtë me neveri e përbuzje deklaratat mohuese e fyese të ish liderit të çoroditur të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ndërkohë, u bën thirrje demokratëve të vërtetë, prindërit e të cilëve kanë luftuar dhe janë sakrifikuar për LANÇ, që t’i mbyllin gojën këtij sharlatani politik, që kërkon të shpëtojë lëkurën e vet përmes synimit për ta postuar vëmendjen e popullit nga e vërteta historike.
Thjesht për interesa të ngushta partiake, disa politikanë të djathtë i fryjnë me qellim përçarjes së popullit, duke shfrytëzuar për këtë qellim si mjet të djeshmen e lavdishme. Sikundër dikur bashkëpunëtorët e fashistëve e të nazistëve gjatë periudhës së LANÇ, edhe neofashistët e ditëve tona, disa prej të cilëve të veshur edhe me petkun e politikanit, vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë: lëshojnë deklarata denigruese, mohuese e fyese nëpër ekrane televizionesh; shkruajnë broçkulla nëpër gazeta, dëmtojnë simbole të LANÇ, botojnë libra për figura kolaboracionistësh e deri dekorojnë figura të urryera bashkëpunëtorësh e kriminelësh të LANÇ!
Duke qenë e bindur se shpreh dhe mbron mendimet realiste dhe ndjenjat më të pastra të mbarë popullit shqiptar, Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ dhe Kryesia e tij do të bëjë të gjitha përpjekjet për të demaskuar deri në fund politikanët që mbrojnë kauzën e atyre që bashkëpunuan me pushtuesit e huaj. Po kështu, ky Komitet dhe kjo Kryesi do të bëjë ç’është e mundur që të zgjojë disa nga figurat e së majtës, që aktualisht e kanë të vështirë, në mos edhe të pamundur ta ngrenë zërin e tyre për të thënë të vërtetën e asaj që çoi në çlirimin e vendit. Ndërkohë, ky Komitet dhe kjo Kryesi fton të gjithë intelektualët e vërtetë, që e konsiderojnë veten idhtarë të historisë së LANÇ, që ta thonë me zë të lartë fjalën e tyre prej studiuesi, sepse kjo do të ishte edhe në nderin e tyre.
Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pasardhësit e tyre, sikurse edhe të gjithë ata që iu dhimbset lavdia e epopesë së lirisë lipset të jenë në lartësinë e misionit të tyre. Kudo e kurdoherë duhet të flasin hapur e me ton të ngritur për të vërtetat e LANÇ, sepse kjo do të ishte jo thjesht në interes të një shtrese të caktuar, por të mbarë popullit, sepse bëhet fjalë për një kauzë të shenjtë, për të cilën ndihet krenar mbarë një popull.