Lëvizja\UÇK

Çlirim Zeka: 40 vjet nga rënia e themeluesve të Lëvizjes, Heronjve të Janarit

40 vjet nga rënia e themeluesve të Lëvizjes, Heronjve të Janarit

Sot është 40 vjetori i tri figurave emblematike, tre veprimtarëve të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, tre pishtarëve të lirisë në mërgim, tre ideologëve të lëvizjes kombëtare, organizatorëve të shkëlyeshëm të demonstratave.

Ata ishin intelektualë të kohës moderne të paluhatshëm në përpjekjet e tyre për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve dhe të përkushtuar deri në fund ndaj çështjes kombëtare shqiptare, të cilët me dijen guximin e vendosmërinë e tyre e bënë ndërkombtarizimin e çështjes së Kosovës në botën Perëndimore.

Kadriu, Jusufi e Bardhoshi atë kohë po bashkonin shqiptarët, organizatat e tyre, dhe po frymëzonin jetën politike e kulturore duke ndërtuar një bazë të shëndoshë për një vetëdije më të lartë shoqërore e politike të shqiptarëve, ata i dhanë jetë lëvizjes, i dhanë frymë përpjekjeve për liri dhe për shtet.

Kadriu, Jusufi e Bardhoshi ende vazhdojnë të na frymëzojnë mendjen e të na ngrohin zemrën me krijimtarinë që na e lane… I përjetshëm do të jetë kujtimi për ta!
Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla e Bardhosh Gërvalla si nismëtar e krijues të Lëvizjes Popullore të Kosovës, përjetësishtë do të mbeten në analet e historisë si ideator, themelues e arkitektë të Pavarësimit dhe shkëputjes së Kosovës nga Serbia.
Rënia e tyre ishte goditje e rëndë për lëvizjen kombëtare, por njëherit u bë Kushtrim për lirinë e popullit shqiptar.

Do t’i kujtojmë gjithmonë, sepse me kontributin e shquar dhe veprimtarinë e pandalshme hynë në historinë e ndritur të Kosovës. Ata trasuan rrugën e lirisë, ndërkaq krenaria për ta e shembulli i tyre do të përcillet ndër breza.

Tre ranë, me mijëra u ngritën.
Tre flakadanë të lirisë së Kosovës, që nuk shuhen kurrë!
Lavdi jetës dhe veprës së tyre!